Lëvizja Vetëvendosje - Qendra në Prishtinë ka reaguar pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ftuar një seancë të jashtëzakonshme për ditën e sotme.

Sipas LVV-së, në seancë është vetëm një pikë e rendit të ditës: Plani Zhvillimor Komunal (PZHK).


"Ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin Ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore. Ky draft aktual i PZHK-së, me 28 komente negative nga MMPHI, ndër të tjera parashikon zgjerim të zonave ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar, projekton rrugë që kalojnë nëpër toka bujqësore të cilësisë së lartë dhe rrezikon zonat e mbrojtura ujore", thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se "për këtë arsye, Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do të marrë pjesë në këtë seancë klandestine të thirrur nga kryetari në ikje. Ne refuzojmë të bëhemi pjesë e një procesi joligjor, joprofesional dhe të dëmshëm për Prishtinën".

"Ftojmë publikisht të gjithë kolegët asamblistë nga të gjitha subjektet politike që ta bojkotojnë këtë mbledhje, dhe të mos e legjitimojnë me praninë e tyre një dokument që rrezikon të kthehet në pasojë për të ardhmen e qytetit", bëhet e ditur në njoftimin e tyre.

Më tej, theksohet se "Prishtina ka nevojë dhe do ta ketë një Plan Zhvillimor të ligjshëm, vizionar dhe të ndërtuar mbi interesin publik, e jo plan mbi tavolina të errëta me interesa private e partiake - siç po propozon kryetari të cilit i kanë mbetur vetëm edhe pesë muaj mandat"./Telegrafi/