LAJMI I FUNDIT:

Samiti Olimpik u jep fund telasheve të sportistëve kosovarë

Samiti Olimpik u jep fund telasheve të sportistëve kosovarë

Trajtimit jo të barabartë të sportistëve kosovarë në ngjarje ndërkombëtare mund t'i ketë ardhur fundi.

Samiti Olimpik, që përbëhet nga drejtues të lëvizjes olimpike në botë, të shtunën, ka dalë me qëndrimin se organizatorët e garave që janë nën ombrellën e federatave ndërkombëtare apo të komiteteve olimpike nacionale duhet të bëjnë të mundur hyrjen në vend të të gjithë sportistëve dhe që sportistët e të gjitha vendeve të kenë trajtim të barabartë, shkruan sot Koha Ditore.

Ky qëndrim është marrë, para së gjithash, për faktin se disa sportistë të Izraelit e kanë pasur të pamundur të hyjnë në disa vende, por IOC-i është shprehur i brengosur edhe për faktin se sportistët e Kosovës mund të kenë vështirësi në disa vende. Kështu ka raportuar agjencia prestigjioze e lajmeve Associated Press.

Samiti Olimpik nuk ka përmendur emra të vendeve në deklaratën zyrtare.
"Samiti është pajtuar që për të gjitha garat që janë nën ombrellën e federatave ndërkombëtare, asociacioneve të tyre kontinentale apo regjionale dhe për garat e komiteteve olimpike nacionale, duhet të sigurohet që të gjithë sportistët e vendeve anëtare mund të hyjnë në vend që të garojnë dhe të trajtohen të barabartë.