Me siguri, lexueset dhe lexuesit e ndjeshëm të kësaj rubrike të përdielshme do të pandehin – nisur nga titulli i saj – se gjasat janë që sot të jem frymëzuar nga ndonjë fabul e frëngut La Fonten si, për shembull, “Korbi dhe Dhelpra”.
Me keqardhje, jam i detyruar t’i zhgënjej duke u mësuar se, ç’është e vërteta lakuriq, jam frymëzuar nga dy shprehje të pranishme në gjuhën shqipe si këto më poshtë: E para është shprehja “grij sallatë” në kuptimin “flas kot”. A nuk po grijnë sallatë prej vitesh politikanët tanë deri në atë pikë sa, sikur sallata e pafajshme të kishte gojë do të kishte protestuar duke i hedhur në gjyq gjithë ata që e përdorin këtë shprehje fyese për atë dhe duke i kërkuar sistemit tonë të drejtësisë, të vetinguar apo jo, që pikërisht këtë shprehje ta zëvendësonte me shprehjen “grij politikë”?
A nuk do të tingëllonte më saktë e më vërtetësisht kjo shprehje, pra, “grij politikë”, në gojën e shqiptarëve bashkëkohorë? A nuk do të ishte më bukur të thoshim herë pas here “Hidhi pak kripë politikës se qenka fare pa shije!”? Ose “Laje, pra, politikën, se qenka gjithë krimba!”? Ose “Flake tutje këtë politikë se qenka e tëra e kalbur!”? Ose “Kjo politikë qenka për t’u hedhur në hale!”?
Nga ana tjetër, edhe analistët tanë, madje ata më të kthjellëtit e më të ndershmit, dashur pa dashur, duke u përpjekur të analizojnë objektivisht politikën e sotme shqiptare, grijnë edhe ata, pa e kuptuar, “sallatë”, më falni, “politikë”, ndërkohë që ne, lexues gazetash, radiodëgjues e teleshikues, ndjekim nën shembullin e tyre sallatëgrirës ose më saktë, politikëgrirës, tragjikomedinë që luhet në kurrizin e shoqërisë sonë të çoroditur! Në këtë mënyrë, paradoksalisht, i ndihmojmë politikanët tanë ta mbajnë gjallë politikën e tyre duke i rënë edhe ne, ditë e natë, në shtëpi, në kafe e kudo gjetiu, teneqes oshtitëse të politikës. Ah, ja ku dolëm te teneqja, gjymtyra e dytë e titullit të kësaj rubrike.
Po në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) figuron edhe shprehja “i bie teneqes”, madje u thënka e u shkruaka edhe “i bie legenit”, në kuptimin “flas kot më kot”. A e shihni se si sallata u lidhka me teneqen, se si teneqja u lidhka me legenin dhe, krejt natyrshëm, legeni me kazanin! “Po përse pikërisht me kaza nin?”, mund të pyesë ndonjë lexuese apo lexues i paduruar. Sepse, të paktën sipas meje, legeni nuk është veçse një kazan i vogël! Tani po e pyes unë lexuesen apo lexuesin e vonuar për arsye objektive:
“Po kazani, sipas jush, me kë lidhet, sidomos këto vitet e fundit?” dhe jam i bindur se përgjigja e saj apo e tij do të jetë e nuk mund të jetë veçse kjo: “Me… me… zotin Kryeministër!” Po, po, pikërisht me atë! Me këtë fjalë bën rregullisht gargarë zotëria i sapopërmendur sa herë që e ndien veten në shënjestrën e mediave! Kazani si enë kuzhine apo si vendgrumbullim plehrash duhet të ndihet shumë krenar që në Shqipëri zoti Kryeministër e ka futur atë në vorbullën e politikës shqiptare!
Aty hedhin valë e valle shumë nga aktorët e faktorët, kombëtarë e ndërkombëtarë, të çorbës politike shqiptare të këtyre tri dekadave të fundit nën tingujt mashtrues të orkestrës laramane të pushtetarëve tanë që nën drejtimin e vetë zotit Kryeministër grijnë sallatë, i bien teneqes, qemanes e veçanërisht fyellit në të njëjtën vrimë, në vrimën e zezë të korrupsionit, së cilës i trembet edhe vetë perëndia, por jo qeveria (me “q” dhe jo me “n” si germë të parë).
Sot jemi më 5 Maj, Dita e Dëshmorëve, e atyre që derdhën gjakun e dhanë jetën për një Shqipëri të lirë e për një shoqëri ku të gjithë shqiptarët të jetonin me dinjitet, me dashuri për njëri-tjetrin dhe me besim në të ardhmen e fëmijëve të tyre. Sa të zhgënjyer do të ndiheshin ata sikur ta dinin si po përpëliten pasardhësit e tyre nga kutërbimi i politikës së ndjekur aktualisht prej baballarëve të babëzitur të kombit tonë ndërkombëtarisht të kobitur e të koritur.
Së fundi, për t’u kthyer një çast te fabula “Korbi dhe Dhelpra”, le të urojmë së bashku, të dashura lexuese e lexues të dashur të kësaj rubrike, që të vijë së shpejti një La Fonten shqiptar për të shkruar një variant aktual të kësaj fabule ku korbi dhe tërë zogjtë e vet majë pemës, të cilët mbajnë në sqep jo më copa djathi, por fletë votimi, nuk duhet kurrsesi t’i lëshojnë në kutitë e votimit që mbajnë me putrat e tyre të përparme dhelpra dhe këlyshët e saj, sa lajkatarë aq edhe hipnotizues, të shoqëruar nga gjarpërinjtë që nuk i fshehin më as dhëmbët, as këmbët! /Panorama/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Gjesti zgjedh për t'i rikthyer: Redonin, G Banin, Jozin, Amberin, Klajdin, Krisën dhe Gertin, banorët shkojnë në televotim

Një këngëtar, një sipërmarrës dhe një blogere, tre banorë të rinj i bashkohen shtëpisë së BBVA

Gjesti takon motrën e Eglit: Nëse lëndohet ndonjëherë, janë gjëra që ndodhin

Si përfundoi në fajde furrtari nga Prizreni?

Egli Tako kërkon ta lërë shtëpinë e Big Brother VIP Albania

Paradoksale: Në Dragash mbi 240 vota për partitë serbe, edhe pse atje nuk ka serbë

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Livia eliminohet nga Big Brother VIP Albania

Muhamet Dragusha zbulon klubin që ia ndërtoi shtëpinë

Si përfundoi në fajde furrtari nga Prizreni?

Analistët: LVV-ja synon të “peshkojë” deputetë opozitarë për formimin e qeverisë

Paradoksale: Në Dragash mbi 240 vota për partitë serbe, edhe pse atje nuk ka serbë

Palestinezi që ka qëndruar më së gjati në burg, izraelitët pritet ta lirojnë