LAJMI I FUNDIT:

Salcë ekzotike me spec të kuq djegës dhe arra kokosi

Salcë ekzotike me spec të kuq djegës dhe arra kokosi

Kjo salcë pikante përdoret për të shoqëruar peshk të zier ose makarona llazanja.

Për 8 persona nevojiten:

* 10 gr.speca të vogla djegëse, të prera hollë e pa farëza
* 20 gr. speca jeshile djegëse, të prera hollë e pa farëza
* 100 gr. gjalpë
* 250 gr. karkaleca deti të qëruar (sipas dëshirës)

Për beshamelin me arra nevojiten:


* 30 gr. gjalpë
* 400 ml. qumësht arrash kokosi
* 30 gr miell
* 2 thelpinj hudhër të shtypura ose të grira hollë
* 1 lugë supe salcë soje
* kripë dhe piper
* arrë moskati e bluar

Gatimi

Në fillim përgatitet beshameli me arra kokosi. Përgatiteni përzierjen duke tretur fillimisht 30 gramët e gjalpit në një tenxhere të vogël e duke shtuar më pas miellin.

Lëreni në zjarr të ngadaltë për dy minuta, duke e përzier vazhdimisht. Më pas shtoni qumështin e arrave të kokosit dhe lëreni derisa të marrë valë. Hidhni kripën, piperin dhe arrën e moskatit dhe vazhdojeni zierjen për 20 minuta, duke e përzier vazhdimisht.

Pasi ta keni hequr tenxheren nga zjarri, hidhni salcën e sojës dhe hudhrat.

Për të gatuar specat përdorni një tenxhere tjetër, ku do të ngrohni në fillim 100 gr. gjalpë derisa të marrë ngjyrë. Shtoni specat dhe hidheni menjëherë masën e përgatitur në beshamelin me arra kokosi, duke e përzier vazhdimisht derisa specat të homogjenizohen në të plotësisht. Nëse dëshironi, në fund të gatimit mund të shtoni karkaleca deti.

Kjo salcë serviret e ngrohtë.