Sa do të fitojnë magazinierët, berberët dhe ekografistët që luajnë në Kupën e Botës për Klube

Kupa e Botës për Klube i ka sjellë përfitime të mëdha financiare klubit amator të Auckland City, pavarësisht rezultateve të dobëta.
Nga fondi prej 1 miliard dollarësh, Aucklandi fitoi 4.58 milionë dollarë (3.58 mln për pjesëmarrjen dhe 1 mln për barazimin ndaj Boca Juniors), edhe pse pësoi dy humbje dhe 17 gola.
Ky shpërblim është shtatë herë më i madh se buxheti vjetor i klubit, por lojtarët, sipas rregullave të Ligës Kombëtare të Zelandës së Re, janë amatorë dhe nuk mund të marrin pagë për futbollin – vetëm kompensim deri në 89 dollarë në javë.
Megjithatë, lojtarët e gjejnë mënyrën për të përballuar shpenzimet. Shumica prej tyre punojnë me orar të plotë si berberë, operatorë depoje, lustrues makinash, ekografistë, trajnerë, konsulentë etj. Disa janë të punësuar edhe brenda klubit në pozita jo-lojtari, duke shmangur kufirin e pagave.
Shembull: portieri Conor Tracey punon në një depo farmaceutike; mbrojtësi Boxall është agjent pronash, ndërsa dy lojtarë punojnë për Coca Cola.
Këta morën leje të papaguar për të qenë pjesë e turneut në Arabinë Saudite.
Paga e Harry Kane është e barabartë me 43 buxhete vjetore të Aucklandit, dhe mund të kompensonte 7,000 lojtarë amatorë të Zelandës së Re.
Ndërsa lojtarët e Aucklandit luajnë për pasion, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe shpresojnë për ndonjë bonus të mundshëm.
Sipas rregullave, 50% e fitimeve shkojnë për klubin, 3% për klubet e tjera, dhe pjesa tjetër për Federatën.
Me këtë skemë, Aucklandi pritet të marrë rreth 2.29 milionë dollarë, ndërsa lojtarët mund të përfitojnë deri në 30,000 dollarë secili si bonuse – shtatëfish i të ardhurave të tyre vjetore.
Edhe pse shpërndarja përfundimtare ende nuk është vendosur, Auckland City mbetet një histori frymëzuese për futbollin amator, që konkurron në një botë profesionistësh milionerë, por me shpirtin dhe përkushtimin e vërtetë sportiv. /Telegrafi/








































