Site icon Telegrafi

Sa ishin dhe sa do të jenë pagat e kabinetit Haradinaj? (Video)

Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor ka marr vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, dhe pjesës tjetër të kabinetit qeveritar. Por pagat ua ka ulur për 32.50 euro zëvendësministrave.

Deri para marrjes së këtij vendimi, niveli i pagave të kabinetit qeveritar nuk ka qenë në këtë nivel.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë thënë në një përgjigje për Telegrafin, se paga e Kryeministrit ka qenë 1,443.20 euro, ndërsa me vendimin e marrë kjo pagë është rritur në 2,950 euro, rritje kjo për 100 për qind.

Rritja e pagës së Kryeministrit Ramush Haradinaj nuk është rritja e vetme. Rritje të lartë në pagë kanë përfituar dhe vartësit e tij.

Nga 2,500 euro do të paguhen zëvendëskryeministrat, ndërsa më herët janë paguar nga 1,356.30 euro, një rritje kjo për 90 për qind.

Lexo po ashtu Vendimi për pagat e zyrtarëve qeveritarë: Paga më e vogël 800 euro, më e larta 2,950 euro (Dokument)

Nuk do të qëndrojnë keq dhe ministrat. Ata tash do të paguhen 2,000 euro për muaj, nga 1,270.50 euro që ishin paguar më herët, me një rritje prej më shumë se 70 për qind. Ndërsa, zëvendësministrat do të jenë të vetmit që do t’u zbritet paga, nga 1,182.50  euro, ata do të paguhen për muaj me 1,150 euro. Kjo një ulje page prej 32.50 euro.

Këshilltarët e lartë të tyre gjithashtu do të gëzojnë paga të larta. Këshilltari i Lartë i Kryeministrit dhe i ministrit deri më tani janë paguar nga 693 euro, por nga tani ata do të paguhen 1,340 euro, përkatësisht 1,050 euro, me gati 100 për qind rritje. Ndërsa, këshilltari politikë i ministrit tash do të paguhet 800 euro bruto, nga 577.50 euro bruto që ishte paguar më herët, apo gati 80 për qind më shumë.

Po ashtu, asistentët dhe shoferët do të gëzojnë pagë të lartë. Asistenti i Lartë i Kryeministrit tash do ta ketë pagën prej 970 euro. Asistenti i Lartë i Ministrit do ta ketë pagën prej 600 euro nga 407.55 euro, apo 80 për qind më shumë, ndërsa shoferi i tij do të paguhet 580 euro nga 348.56 euro që ishte paguar më herët, me një shtim page mbi 80 për qind.

Këto nuk janë përfitimet e vetme që Kabineti Qeveritar do ta ketë. Referuar nenit 21, pika 1 të Rregullores për fushat e Përgjegjësitë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave thuhet se Kryeministri mund të emërojë deri në 12 Këshilltarë Politikë.

Por, me ndryshim-plotësimin e kësaj Rregulloreje, numri i këshilltarëve rritet për 9 dhe Kryeministri mund të emërojë deri 21 Këshilltarë Politikë.

Në nenin 2 të Plotësim-Ndryshimit të kësaj Rregulloreje thuhet se “Te neni 21 paragrafit 1, pas pikës shtohet teksti si në vijim: Kryeministri, gjithashtu mund të emërojë edhe nga një (1) këshilltar politik për secilin nga komunitetet nga radha e komunitetit serb, turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian, goran, malazez dhe kroat”.

Përveç Kryeministrit, në këtë Rregullore ceket se edhe Ministrat kanë të drejtë të emërojnë nga një këshilltar që vjen nga komunitetet pakicë.

Sipas të njëjtës Rregullore Kryeministri, Zëvendëskryeministrat, Ministrat emërojnë një nga këshilltarët politikë në cilësinë e Këshilltarit të Lartë Politik.

Gjithashtu, Zëvendëskryeministrat dhe Ministrat kanë të drejtë të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë dhe me plotësim-ndryshimin e Rregullores, atyre u shtohet edhe një këshilltarë nga komunitetet, që i bie nga 6 këshilltarë sa kishin të drejtë, tash mund të emërojnë 7. Pra, në nenin 3 të saj, thuhet se “Ministrat, gjithashtu mund të emërojnë një (1) këshilltar politik nga komunitetet”.

Nën supozimin që bëjnë emërimin e këshilltarëve në përputhje me numrin maksimal të lejuar nga Rregullorja, Zëvendëskryeministrat dhe Ministrat, që gjithsej janë 23, mund të emërojnë në total 161 Këshilltarë Politikë.

Sipas të njëjtës Rregullore, në nenin 33, përcaktohet edhe numri i nëpunësve nëpër kabinete, të cilët nuk janë nëpunës civilë dhe u pushon mandati me përfundimin e mandatit të vartësit të tyre. Në këtë rregullore thuhet se Kryeministri mund të emërojë deri në 15 të punësuar në kabinetin e tij. Pra, këta nuk janë këshilltarë, por janë nëpunës.

Zëvendëskryeministrat mund të emërojnë deri në 4 të punësuar, ndërsa ata zëvendëskryeministra që mbulojnë edhe ministri mund të emërojnë deri në 5 të punësuar në kabinet. Ministrat mund të emërojnë deri në 4 të punësuar në kabinet, ndërsa zëvendësit e tij mund të emërojnë deri në 2 të punësuar në kabinet. Po ashtu, zëvendësministrat me miratim të ministrit mund të kenë edhe një këshilltar në dispozicionin e tyre.

Secili nga këta 88 zyrtarë të lartë ka të drejtë në një shofer, që i bie Kryeministri, zëvendësit e tij, ministrat dhe zëvendësit e tyre. Pra, janë 88 shoferë që duhet të punojnë për Kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrave.

Lexo po ashtu Haradinaj ka pagën më të lartë në rajon

Krahasuar me pagat e shefave të Qeverive në Ballkanin Perëndimor, del se Kryeministri Haradinaj ka pagën më të lartë në rajon.

Bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, të nënshkruar nga vetë Haradinaj, rroga e tij mujore do të jetë 2,950 euro.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pagën mujore e ka 1,700 euro. 400 euro pagë më të vogël sesa të Ramës e ka Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me 1,300 euro.

Kryeministri malazez Dusko Markoviq e ka pagën 1,130 euro, ndërsa Ana Bërnabiq, shefja e Qeverisë serbe paguhet vetëm 1,000 euro në muaj

Ky nuk është vendimi i parë që Kryeministri Haradinaj ka marrë lidhur me pagat.

Ai edhe kur ishte Kryeministër gjatë vitit 2005 e kishte marr një vendim që Ministrave të Qeverisë së Kosovës t’iu njihet e drejta e pagës edhe për një vit pas përfundimit të mandatit, pra ish-ministrat do t’iu paguheshin me 70 për qind të pagës së plotë që kanë marr gjatë mandatit të tyre.

Sipas të dhënave për nivelin e pagave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në fund të vitit 2016, paga bruto në sektorin privat ishte 371 euro, ndërsa në atë publik paga bruto ishte 525 euro.

Qeveria, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, është kritikuar edhe për numrin e lartë të vartëseve të tij. /Telegrafi/

Exit mobile version