Sa është e lehtë të hysh "pa leje" në një stadium modern - sistemi i sigurisë në impiantin e Atalantas dështon totalisht

Atalanta është përballur së fundmi me një incident të turpshëm sigurie në stadiumin e saj. Në rrjetet sociale ka qarkulluar me shpejtësi një video, në të cilën shihet një person duke depërtuar në ambientet e stadiumit të klubit bergamask në një mënyrë të pabesueshme.
Bëhet fjalë për “New Balance Arena”, e njohur deri vitin e kaluar si "Gewiss Stadium", ku një nga portat hyrëse rezulton të ketë si fjalëkalim… vitin e themelimit të klubit.
Po, tingëllon e pabesueshme, por sipas videos virale, personi provoi thjesht kodin 1907 – viti kur u themelua Atalanta – dhe arriti ta hapë portën, duke hyrë në stadium gjatë natës pa asnjë pengesë.

Ky rast ka ngritur shqetësime serioze për masat e sigurisë në impiantin e klubit të Serie A dhe ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku tifozët dhe ndjekësit janë shprehur të habitur nga lehtësia me të cilën u realizua ndërhyrja.
Ngjarja është pjesë e një fenomeni gjithnjë e më të përhapur, i njohur si “stadium hopping”, apo "shëtitje ilegale në stadium", ku tifozë apo individë kureshtarë nga vende të ndryshme përpiqen të hyjnë ilegalisht në stadiume të famshme sportive kur ato janë të mbyllura.
Pas këtij incidenti, Atalanta pritet të rishikojë dhe forcojë masat e sigurisë rreth stadiumit për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/





















































