Njohësit e politikës vlerësojnë që rritja e partive të ekstremit të djathtë në Evropë mund të rrezikojë projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, e kjo pashmangshëm do të ndikojë edhe në proceset integruese të Kosovës. Edhe ashtu, qasja e këtyre partive në raport me Kosovën nuk është miqësore.
Partitë e krahut të djathtë- ekstrem, gjatë viteve të fundit kanë shënuar rritje të ndjeshme në shumë shtete të Evropës. Në plan të parë ato e vënë identitetin kombëtar dhe nacionalizimin dhe shpesh e kundërshtojnë integrimin e thelluar në Bashkimin Evropian dhe politikat e migracionit që aplikohen në shtetet demokratike.
Ndryshime të tilla në peizazhin politik mund të kenë ndikim të rëndësishëm në politikat e zgjerimit të BE-së, një proces që gjithashtu ndikon në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë familje të madhe evropiane. Në fakt, integrimi i Kosovës në këto struktura është një nga qëllimet që është ndjekur për një kohë të gjatë prej pas shpalljes së Pavarësisë, më 2008.
Rasti më i freskët i rritjes së një partie të djathtë ekstreme janë zgjedhjet federale në Gjermani, ku partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) edhe pse nuk i ka numrat që të qeverisë, në votimet e shkurtit 2025 ka shënuar një rritje ku siguroi mbi 20 për qind të votave – duke u bërë forca e dytë politike në shtetin më të fuqishëm evropian.
Ngritja e alarmit për pengim të zgjerimit
Enver Robelli, redaktor i të përditshmes zvicrane “Tages Anzeiger”, vlerëson se forcimi i të djathtës ekstreme në Evropë mund të ketë pasoja sa i përket projektit të zgjerimit të BE-së në Ballkan.
Meqë në gjenezë të tyre këto parti kanë qëllime krejtësisht të ndryshme, Robelli shpreh shqetësimin se shumica e partive të tilla kultivojnë një ton pothuaj armiqësor ndaj BE-së, disa prej tyre kërkojnë një Evropë të shteteve nacionale dhe – për pasojë – shpërbërjen faktike të BE-së.
“Përballë forcimit të së djathtës ekstreme, konsideroj se 5 vitet e ardhshme janë vendimtare për integrimin e Ballkanit në BE. Pas kësaj kohe frikësohem se e djathta ekstreme mund të marrë pushtetin në shtete të rëndësishme si Franca apo Gjermania dhe projekti për integrimin e Ballkanit do të dështojë përfundimisht”- ngreh alarmin Robelli.
Ai thekson se Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila tani është forca e dytë politike në Gjermani, në programin e saj elektoral ka nënvizuar: “Ne kundërshtojmë zgjerimin e BE-së dhe NATO-s drejt Lindjes”.
Në anën tjetër, partia simotër e AfD-së në Austri, FPÖ, e cila është partia e parë në këtë vend, por nuk arriti të krijojë qeverinë së fundi, është po ashtu skeptike sa i përket pranimit të shteteve të reja si anëtare.
“Ndonëse FPÖ është më tolerante ndaj Serbisë për shkak të afërsisë me regjimin e presidentit aktual serb dhe kërkon që nga vendet e Ballkanit vetëm Serbia të hyjë në BE”- thotë Robelli.
Në zgjedhjet e shtatorit 2024 në Austri, partia e krahut të djathtë FPÖ edhe pse fitoi më së shumti vota, 28.8 për qind, shumica nuk i mjaftoi për ta formuar Qeverinë, duke çuar kështu në formimin e një qeverie të re koalicionit qendror pa pjesëmarrjen e saj.
Por, qeveria austriake doli të jetë jetëshkurtër dhe me dorëheqjen e kryeministrit, Karl Nehammer, pas pesë muajsh, tri parti njoftuan se kanë arritur një marrëveshje për të formuar një qeveri të re- të qendrës.
Sidoqoftë, Robelli shpreh bindjen se rezistenca ndaj vendeve me popullsi myslimane është e madhe te të gjitha partitë e ekstremit të djathtë, duke marr shembull AfD-në, e cila në programin e saj shkruan se Turqia nuk i përket kulturalisht Evropës, por është “partner i rëndësishëm strategjik dhe ekonomik”.
Kosova aktualisht mban statusin e vendit kandidatit potencial për anëtarësim në BE. Për këtë proces ka punuar që nga shpallja e pavarësisë. Në vitin 2015, Kosova nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE-në, e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016. Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BIEPAG), njëherësh eksperte dhe hulumtuese e lartë e sigurisë, vlerëson se rritja e partive të djathta në mbarë Evropën dhe në nivel global, paraqet një sfidë serioze për rendin liberal të bazuar në rregullat që u vendosën pas Luftës së Dytë Botërore.
Pas Luftës së Dytë Botërore, komuniteti ndërkombëtar u përpoq të krijonte një rend liberal të bazuar në rregulla dhe në organizata që ndërtojnë bashkëpunim në mënyrë që mos të nxiten konflikte. Duke u nisur nga kjo ide, përgjatë 1944-1949 u themeluan disa nga organizatat, si Kombet e Bashkuara (OKB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Emini deklaron se këto parti po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje në shumë shtete anëtare të BE-së, gjë që sipas saj, përbën një rrezik të madh duke pasur parasysh rolin e tyre në kornizën institucionale të BE-së, përfshirë Këshillin e Evropës.
“Me rritjen e ndikimit të tyre, këto parti mund të ndryshojnë drejtimin e politikave dhe prioriteteve të BE-së, duke ndikuar potencialisht në procesin e zgjerimit dhe duke e vështirësuar qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës, një çështje që gjithmonë ka qenë e ndjeshme”- tha ajo për KALLXO.com.
Për rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani, Emini thotë se fitorja e Unionit Demokristian të Gjermanisë (CDU), ka sjellë një farë stabiliteti. Megjithëse është një parti konservatore, sipas saj, CDU-ja tradicionalisht është pozicionuar në qendrën e djathtë të spektrit politik.
Megjithatë, sipas saj, ndikimi i CDU-së do të varet nga zgjedhja e partnerëve të koalicionit dhe nga qëndrueshmëria politike që kjo qeveri do të sjellë, si për Gjermaninë ashtu edhe për Evropën në përgjithësi.
“Për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, ndikimi i këtyre dinamikave politike është i vështirë për t’u parashikuar. Ajo që është e sigurt është se partitë e djathta nuk kanë gjasa të mbështesin zgjerimin e BE-së, pasi ato zakonisht fokusohen në interesat kombëtare në vend të integrimit evropian”- deklaron ajo.
Si rrjedhojë, Emini shpreh brengën se një ndryshim i tillë mund ta vështirësojë edhe më shumë angazhimin diplomatik të Kosovës në nivel të BE-së, pasi ndikimi do të fragmentohet më shumë ndërmjet shteteve anëtare.
Ajo thekson faktin që partitë e djathta, shumë prej të cilave ndjekin agjenda nacionaliste, do të jetë një sfidë e madhe për ta mbështetur Kosovën, “sidomos duke pasur parasysh që Kosova tradicionalisht ka përfituar nga mbështetja e forcave liberale”.
Engjëllushe Morina, eksperte në organizatën Këshilli Evropian për Politikë të Jashtme (ECFR), me seli në Berlin, thotë se në Gjermani, në veçanti AfD-ja ka dyfishuar numrat e saj në zgjedhjet e fundit, por kjo parti nuk do të mund të qeveris apo të bashkohet me një koalicion qeverisës. Kjo për shkak të sistemit politik në Gjermani i cili e përcakton që partitë politike nuk do të bashkëpunojnë me një parti neo-naziste për shkak të historisë së vendit.
“Do të ketë më pak vëmendje për çështjet që janë jashtë çështjeve të brendshme gjermane. Unë shoh më pak vëmendje ndaj proceseve të integrimit në BE dhe zgjerimit të BE-së”- thotë ajo.
Qasja ndaj Kosovës
Në përgjithësi, partitë politike të majta në Evropë priren të jenë më mbështetëse për pavarësinë e Kosovës për shkak se themeli i tyre ideologjik është respektimi i të drejtave të njeriut.
Partia Socialiste Evropiane (PSE) cila përfaqëson partitë socialiste dhe social-demokrate në Parlamentin Evropian, ka mbështetur vazhdimisht pavarësinë e Kosovës. Për shembull, Hannes Swoboda, ish-kryetar i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, e kishte përshkruar shpalljen e pavarësisë së Kosovës si “një hap të vështirë, por të paevitueshëm për rajonin”.
Donika Emini tregon se shumë parti të djathta në Evropë kanë marrëdhënie të ngushta me Rusinë, gjë që sipas saj, çon në një mbështetje më të fortë për Serbinë sesa për Kosovën.
“Historikisht, brenda BE-së, Serbia ka pasur më shumë ndikim politik dhe ekonomik se Kosova, qoftë si partner tregtar apo si aleat diplomatik”- thotë Emini.
Në dhjetor 2016, partia e djathtë ekstrem FPÖ në Austri, atëkohë e udhëhequr nga Heinz-Christian Strache, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi pesë-vjeçare me partinë e “Rusia e Bashkuar” (United Russia) e cila është e Vladimir Putinit.
Një gjë të tillë ajo thotë që është dëshmuar në vende si Hungaria dhe Sllovakia, ku qeveritë kanë adaptuar politika të pafavorshme për Kosovën, madje me Sllovakinë që ka tërhequr praninë e saj diplomatike në Kosovë vitin e kaluar. Ky shtet kishte në Kosovë një zyrë ndërlidhëse.
Hungaria ka kundërshtuar vazhdimisht anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian. Më 10. 01. 2023, ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto deklaroi se Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat evropiane, me pretendimin se një veprim i tillë mund të pengojë mundësinë e arritjes së një kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Disa shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, gjë pengon avancimin e procesit të integrimit. Ato shtete janë Sllovakia, Spanja, Qipro, Rumania dhe Greqia.
“Nëse ky trend vazhdon të përhapet në Evropë, pozita e Kosovës do të bëhet gjithnjë e më e brishtë”- shprehet Emini, duke shtuar se kjo situatë bëhet edhe më e pasigurt për shkak të paparashikueshmërisë së Shteteve të Bashkuara, aleatit kryesor strategjik të Kosovës.
Enver Robelli thotë se partitë e djathta nuk kanë ndonjë respekt të madh për idetë liberale perëndimore në emër të së cilave janë mbrojtur të drejtat e njeriut në Kosovë. Një gjë e përbashkët e partive të ekstremit të djathtë, ai thotë se është fakti që kanë aversion ndaj pavarësisë së Kosovës.
“Duke qenë parti në thelb nacionaliste, ato besojnë se shtetet mund të bëjnë çfarë të duan brenda territorit të tyre apo të kontrolluar prej tyre”- shtoi ai.
Në anën tjetër, Engjëllushe Morina nuk sheh ndonjë indikacion që partitë e ekstremit të djathtë në Gjermani apo Evropë të luajnë një rol në lidhje me mosnjohjen e Kosovës.
Përgjithësisht, ajo thotë se ekziston një kombinim faktorësh që kanë kontribuar në ngritjen e partive të ekstremit të djathtë në Evropë gjatë dekadave të fundit. Ndër më kryesorët vlerësohet të jetë rritja e migracionit.
Pos kësaj, ajo thotë se ka edhe faktorë të tjerë si: rënia e mirëqenies ekonomike, inflacioni i nxitur nga pandemitë në 2020 dhe më pas lufta në Ukrainë që bëri që çmimet të rriteshin, procesi i energjisë në veçanti që më pas çoi në inflacion, që u hap rrugën partive të ekstremit të djathtë “që të përdorin këto ankesa për të drejtuar gishtin ndaj mosfunksionimit të sistemit”.
Përveç në Gjermani dhe Austri, viteve të fundit e djathta ekstreme është rritur edhe në Suedi. Në vitin 2022 u ngrit me vota partia Demokratët e Suedisë (Democrats of Sweeden). Në Itali po ashtu partia Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia) në zgjedhjet e përgjithshme italiane të vitit 2022, siguruan një numër të madh që i çoi në formimin e një qeverie të krahut të djathtë. Në vitin 2023 në Finlandë, Partia Finlandeze (Finns Party) siguroi 46 vende, duke u bërë partia e dytë më e madhe në parlamentin finlandez.
Edhe pse përgjithësisht kanë nënndarje, sipas librit “Majtas dhe djathtas: Rëndësia e një dallimi politik” me autor filozofin italian Norberto Bobbio, partitë e krahut të majtë përkufizohen si parti që mbështesin bashkëpunimin ndërkombëtar, multilateralizmin dhe ndërhyrjet humanitare. Rrjedhimisht, këto ideologji partiake i japin përparësi diplomacisë dhe marrëveshjeve globale për çështje si ndryshimi i klimës dhe të drejtat e njeriut.
Përkundër kësaj, sipas Bobbios, partitë e krahut të djathtë mbështjellin në vete një qasje më nacionaliste duke vënë të parin interesin dhe sovranitetin kombëtar, duke i vënë më mënjanë çështjet globale që manifestohen me organizata dhe marrëveshje ndërkombëtare, raporton Kallxo.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Specialja nuk e lejoi ta vizitojë babanë e sëmurë, reagon vëllai i Hashim Thaçit: Refuzimi është vetëm politik

Ende s’ka përditësim të rezultateve nga numërimi i votave në përfaqësitë diplomatike

Karamuço: Dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe dy biznesmenë dyshohet se kanë urdhëruar një vrasje

Policia zbardh vrasjen e 24-vjeçares në Tiranë, shpallet në kërkim palestinezi

Përpjekjet e Serbisë për ta fajësuar Kosovën për trazirat e saj të brendshme

"Është koha që KEDS dhe Qeveria të japin llogari", Sejdiu ngre dyshime për transparencën e KEDS-it

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA, e krahason me 'majmun kacavjerrës'

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Nga Instagrami i Gjestit e konfirmojnë që ai deshi të arratisej nga shtëpia e BBVA duke kapërcyer murin?

Cila është rruga e 'Gold Card' e Trump drejt shtetësisë dhe si mund të funksionojë?