Nga: Douglas Murray / New York Post (titulli: Stop thinking like it’s 2003 - toppling Iran’s mullahs does not risk mistakes of Iraq War)
Përkthimi: Telegrafi.com

Gati 20 vjet më parë, në vitin 2007, Qeveria Revolucionare e Iranit rrëmbeu 15 anëtarë të Marinës Mbretërore Britanike dhe anëtarë të tjerë të personelit detar britanik. Iranianët pretenduan se anija britanike kishte devijuar nga ujërat irakiane në ujërat territoriale iraniane.


Dhe, kështu, për gati dy javë iranianët i përdorën britanikët e kapur si pionë shahu, i shfaqën në programet e tyre televizive të mbrëmjes dhe i detyruan të burgosurit, si edhe qeverinë britanike, të kërkonin një ndjesë poshtëruese e përulëse. Më në fund, britanikët e kapur u kthyen në shtëpi me disa “dhurata” poshtëruese.

Kam dyshime se sot historia do të ishte ndryshe nëse marina iraniane përpiqet të zaptojë ndonjë anije amerikane. Nëse e provojnë këtë në ditët në vijim, duhet të presin një përfundim krejt tjetër.

Këtë javë, presidenti Trump njoftoi se “armada” amerikane ishte nisur drejt Iranit, e gatshme të mbërrinte që këtë mëngjes. Në mesin e mjeteve ndodhet edhe aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln. Siç theksoi presidenti, flota që ai ka dërguar drejt Iranit jo vetëm që po lëvizte “shpejt, me fuqi të madhe, entuziazëm dhe qëllim”, por është edhe më e madhe se flota që kishte dërguar së fundmi drejt Venezuelës.

Një paralajmërim i drejtpërdrejtë për mullahët.

Lexo po ashtu nga Douglas Murray:
- Trumpi ka mundësi të përfundojë sundimin me terror të Khameneit në Iran
- Pse C. S. Lewis ia qëlloi për luftën?

Sigurisht, regjimi luftarak iranian u përgjigj në mënyrën e tij të zakonshme. Një këshilltar i lartë i “Udhëheqësit Suprem” të Iranit pretendoi se, nëse Amerika do të godiste objektiva iraniane, përgjigjja nga Irani do të ishte “e menjëhershme, gjithëpërfshirëse dhe e paprecedentë”.

Ky është shkëmbimi i fundit i kërcënimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit. Javët e fundit, presidenti Trump e ka bërë të qartë se nëse regjimi iranian kryen ekzekutime masive të protestuesve, do të ketë një reagim të menjëhershëm nga ushtria amerikane. Deri tani, ky reagim nuk ka ndodhur. Dhe, ka një sërë shpjegimesh pse.

Ndoshta sepse administrata Trump u besoi thashethemeve se regjimi iranian kishte ndalur planin për të ekzekutuar publikisht më shumë se 800 protestues. Megjithatë, vetë zëdhënësit e regjimit iranian kanë thënë se ky pretendim është “plotësisht i rremë”. Regjimi në Teheran në fakt krenohet me ekzekutimet masive.

Për më tepër, nuk ka nevojë të caktohet një vijë te varja e protestuesve nga Qeveria Revolucionare, kur ata po i qëllojnë me armë zjarri - me mijëra. Ndonjëherë për çdo ditë.

Të tjerët thonë se disa nga aleatët rajonalë të Amerikës po e paralajmërojnë ShBA-në të vonohet. Ndoshta ata kanë frikë nga pasojat e një plani që është ose gjysmak ose që nuk shihet si i përfunduar. Të tjerë pyesin se si do të dukej “përfundimi”.

Shumë nga këto shqetësime në rajon - dhe këtu në Amerikë - janë rezultat i një mendësie të vitit 2003. Njerëzit shqetësohen se rrëzimi i regjimit në Teheran do të kishte rezultate të ngjashme me rrëzimin e Saddam Husseinit.

Por, ka shumë dallime mes vitit 2003 dhe sot.

Jo më pak i rëndësishëm është fakti se sot janë vetë iranianët ata që kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër qeverisë së tyre. Janë iranianët ata që janë lodhur nga sundimtarët e tyre tiranikë, me ekstremizmin e tyre islamik dhe politikën e çmendur të jashtme antiamerikane që e ka bërë vendin kaq të përjashtuar. Populli iranian ka kujtesë për një liri relative përpara se Ajatollahu të merrte pushtetin. Dhe, shumë prej tyre do të donin që kjo kujtesë të kthehej sërish në realitet.

Po aq i rëndësishëm është fakti se një nga arsyet kryesore pse ndodhi katastrofa pas vitit 2003 në Irak ishte pikërisht regjimi iranian. Regjimi që tani vetë po lëkundet.

Ishin iranianët ata që përmbytën Irakun pas Saddamit, me forcat dhe armatimin e tyre. Ishin iranianët ata që prodhuan bombat rrugore që vranë mijëra ushtarë amerikanë dhe aleatë të tjerë në Irak. Ishin forcat ushtarake iraniane dhe të tjera ato që e shndërruan Irakun në një kurth vdekjeje për ShBA-në. Dhe, ishte regjimi iranian ai që hyri në vakumin e krijuar pas rënies së Saddam Husseinit - duke e kthyer praktikisht Irakun në një shtet vasal të Iranit.

Pothuajse kudo që shikon në Lindjen e Mesme, historia është e njëjtë. Jemeni? Janë iranianët ata që kanë armatosur milicinë e huthëve, e cila ka shënjestruar personelin ushtarak dhe diplomatik amerikan. Pa mbështetjen iraniane, huthët nuk do të dinin as si të lëshonin një varkë në ujë.

E njëjta gjë ndodh në Liban, ku ushtritë e Iranit kanë ndihmuar në shkatërrimin e vendit dhe në sigurimin që ai të mbetet në një gjendje përhershme konflikti civil dhe fetar. E njëjta gjë ndodh pothuajse kudo tjetër që shikon.

Është Irani ai që e ka përhapur terrorin e tij deri në Bullgari dhe Buenos Aires. Është kjo qeveri iraniane ajo që është përpjekur të vrasë një romancier britanik për krimin e shkrimit të një romani dhe të vrasë një banor të Bruklinit për krimin se e ka kritikuar regjimin revolucionar.

Për dekada, regjimi në Iran ka vepruar pothuajse pa u ndëshkuar në të gjitha këto territore dhe më gjerë. Dhe, përgjigjja e komunitetit ndërkombëtar ka qenë herë përpjekja për ta izoluar regjimin, herë përpjekja për ta nxjerrë nga izolimi. Qeveritë amerikane dhe homologët e tyre evropianë kanë kaluar dekada duke u përpjekur t’i izolonin ajatollahët, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, duke u dhënë atyre para.

Ndoshta për këtë arsye mullahët mendojnë se mund t’ia dalin mbanë me gjithçka. Sepse për gati 47 vjet kanë arritur ta bëjnë këtë. Ata mund të masakrojnë popullin e tyre në rrugët e tyre. Mund të përhapin terror në gjithë globin. Dhe, mund të rrëmbejnë personel perëndimor detar, ta poshtërojnë, ta detyrojnë të rrëfehet dhe ta dërgojnë në shtëpi me “dhurata”.

Mirëpo, këtë herë mund të kenë gjetur kundërshtarin e gabuar në këtë Shtëpi të Bardhë.

Njerëzit shpesh më pyesin se çfarë mendoj se do të bëjë presidenti Trump për një çështje të caktuar. Dhe, zakonisht them të njëjtën gjë, pavarësisht temës: shikoni çfarë ka thënë se do të bëjë, dhe kjo është ajo që ka më shumë gjasa të bëjë.

Populli iranian është ngritur me guxim të jashtëzakonshëm kundër qeverisë së tij tiranike. Presidenti Trump i ka thënë regjimit të ndalojë masakrat e protestuesve, por masakrat vazhdojnë.

Pra, tani gjithçka varet nga Trumpi. /Telegrafi/