Rreth 694 të burgosur që vuajnë dënimet në burgjet e Kosovës presin me ankth vendimin e presidentit të Kosovës për falje të viteve që u kanë mbetur brenda mureve të qelive të tyre.

Për festën e Pavarësisë ata kanë bërë kërkesa për falje sipas ligjit në fuqi. E për falje ata duhet plotësuar disa kritere.


Drejtori i Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj, ka sqaruar procedurat që duhet ndjekur një i burgosur për të kërkuar që të falet.

Sipas Zogajt, ata duhet të kenë sjellje të mira gjatë qëndrimit në burg, e po ashtu edhe të mos shkelin rregullat e burgut.

Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Korrektues shpreson se kësaj radhe do të ketë numër më të madh të burgosurve që falen nga presidenti.

“Ne i kemi pasur komisionet nëpër burgje që e kanë hartuar listën ata të cilët duhet t’i plotësojnë këto kritere edhe kanë ardhë në drejtori qendrore dhe koordinatorja e saj së bashku me mua i kemi dërguar në Presidencë”, ka thënë Zogaj për kp.

Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i atyre që sivjet do të falen nga presidenti pasi që komisioni i krijuar për këtë çështje edhe ende duke vlerësuar kërkesat e personave të dënuar.

Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Presidencën e Kosovës konfirmon se komisioni ad-hoc, është duke shqyrtuar dhe vlerësuar secilën kërkesë veç e veç për falje në pajtim me ligjin.

“Pa përfunduar puna e shqyrtimit e të gjitha kërkesave që i janë drejtuar Presidentit, nuk mund të japim asnjë numër, ngase sipas procedurave përkatëse, fillimisht Komisioni i rekomandon Presidentit e më pas është në të drejtën e Presidentit që të bëjë shpalljen e faljeve individuale. Duhet të kemi parasysh që falja nënkupton pushtetin e jashtëzakonshëm ekzekutiv të Presidentit për t’i falur personat e dënuar për vepër penale, duke i liruar nga dënimi i përcaktuar nga gjykata. Presidenti pasi që të vendos për personat që do të falen do të shpall Falje me anë të Dekretit i cili do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, kanë nga Presidenca.

Të burgosurit e Kosovës nuk kishin fat në kohën sa presidente ka qenë Atifete Jahjaga.

Gjatë mandatit të saj Jahjaga ka falur një numër shumë të vogël të të burgosurve dhe për këtë ditë më parë ka reaguar edhe Këshilli për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

KMDLNj po ashtu ka kërkuar që presidenti Thaçi të falë sa më shumë të burgosur, pasi që kjo e drejtë ua garanton edhe Kushtetuta e Kosovës.

Ndryshe të burgosur në Kosovë më së shumti ka falur Jakup Krasniqi i cili viti 2011 e gjeti në postin e ushtruesit të detyrës së presidentit pasi që paraardhësi i tij Fatmir Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga ky post pasi që Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se ka shkelur Kushtetutën duke mbajtur edhe postin e kryetarit të LDK-së.

Krasniqi kishte falur lirinë për 103 persona të dënuar. Shumë më pak se Krasniqi në vitin 2010 kishte falur Fatmir Sejdiu. Gjatë këtij viti ai kishte falur vetëm 62 të dënuar. /kp/