LAJMI I FUNDIT:

Rreth 40% e grave shqiptare punojnë në bujqësi, Valbona Arapi ndan përvojën e saj

Rreth 40% e grave shqiptare punojnë në bujqësi, Valbona Arapi ndan përvojën e saj

Në Shqipëri roli i grave në bujqësi ka një ndikim të rëndësishëm. Afro 40% e grave të punësuara në vend, punojnë në këtë sektor, i cili gjatë tre dekadave të fundit është zhvilluar mes problematikash të shumta, si informaliteti apo çështjet e pronësisë mbi tokën. Megjithatë mjaft gra dhe vajza janë lidhur ngushtësisht me bujqësinë duke sfiduar vështirësitë, falë modeleve pozitive që trashëgojnë nga familjet.

Një prej tyre është Valbona Arapi nga qyteti i Lushnjës.

Në mes të arave në afërsi të qytetit të Lushnjës, një grua 33 vjeçare, po projekton të ardhmen duke ndjekur gjurmët e sigurta të nënës. Valbona Arapi, udhëheq prej disa vitesh ekipin e kompanisë së eksporteve “Neta”, emri i nënës së saj. Nuk është tunduar asnjëherë nga mendimi për të braktisur tokën apo fshatin drejt qytetit, pasi në themel të funksionimit të saj ka dy shembuj që ia kanë dalë në atë ecurinë e vrazhdë të bujqësisë shqiptare, prindërit e saj.


“Gjatë gjithë kohës që në fëmijëri unë jam rritur me bujqësinë. Familja ime ka qenë familje bujku, më pas i kemi hyrë pjesës së tregtisë. Si e vogla e shtëpisë, unë rrija pas mamit dhe babit. I shikoja çfarë bënin, ku shkonin, më merrnin me vete tek puna dhe gjatë gjithë kohës kërkoja, shikoja. Në fillim prindërit punonin nëpër fshatra dhe shkoja pas tyre. Shisnin prodhime me pakicë, me kilogramë. Ka qenë e vështirë në atë kohë. Mami nëpër fshatra shiste prodhimet tona, por për ta plotësuar gamën e tyre, merrte dhe produkte në tregun e qytetit të Lushnjës. Ishte shumë e vështirë. Unë e kam shijuar se isha e vogël dhe më dukej e bukur, por mami dhe babi kanë kaluar vështirësi”- tregon Valbona Arapi, drejtuese e Kompanisë “Neta”.

E ka filmuar në kujtesë ashtu nënën e saj si frymë dhe mbështetje për gjithçka që do të vinte më pas. Që prej vitit 2000, Neta Arapi, do të ndërtonte me shumë mund një shtrat të sigurt për vazhdimësinë, në sektorin e eksporteve të mallrave bujqësore. Prej gati 5 vitesh vajza e saj Valbona, është kthyer në atë traun që mban peshën e punëve në kompani.

“Jam rritur me frymën e punës që kur isha e vogël. Gjatë gjithë kohës kisha prioritet të ndihmoja prindërit, të ecnim sa më shumë para, sepse duke i parë gjatë gjithë kohës të lodhur kisha atë idenë që t’u dilnim sa më shumë në krah.”- vijon zonja Arapi.

Roli i grave në bujqësi ka një ndikim të rëndësishëm, pasi ky sektor mban peshën më të lartë në punësimin e tyre. Afro 40% e grave të punësuara në vend, punojnë në bujqësi. Valbona tregon për Zërin e Amerikës vështirësitë që has në aktivitetin e saj në fushën e eksportit të fruta- perimeve, por mendon se pasioni e bën më të lehtë gjithçka.

“Është e lodhshme, është e vështirë gjithçka. Kemi një shprehje ne në anët tona, kur themi që bujqësia është shtëpi pa çati. Nuk ka një siguri të lartë tek gjërat që do bësh. Por megjithatë ato që janë të përfshira e duan. Këtë punë nëse nuk e do nuk e bën dot”- vijon Valbona Arapi.

Valbona është nënë e tre fëmijëve, më i madhi djali 15 vjeç, vajza 8 dhe djali tjetër 6 muajsh. Të ndash punën në sektorin e bujqësisë, me rolin në familje si grua dhe nënë, nuk është e lehtë për të, por as e pamundur.

“Një nënë duhet të jetë sa më afër fëmijëve. Puna do kohën e saj, familja gjithashtu do kohën e saj. Tani kemi komoditetin që i marr edhe te puna që t’i kem afër, por dhe të ndjekin punën si bëhet”- tregon ajo.

Megjithëse prej 5 vitesh Valbona ka marrë drejtimin sërish në krah ka nënën Neta Arapi, themeluesen e kompanisë, e cila di të heshtë, të dëgjojë, por dhe të kritikojë.

“Mamatë janë gjithnjë për të kritikuar. Edhe mami im më ka kritikuar për diçka që nuk e kam bërë mirë. Me flet, sepse është mentorja ime”- rrëfen Valbona Arapi.

Prej disa vitesh kompania e eksporteve në fushën e prodhimeve bujqësore “Neta” ka ardhur duke u rritur, dhe sot statistikat për Valbonën e cila ka kryer studimet e larta në degën e financës, janë të tregues i qartë.

“Para 5 viteve kemi qenë si volum në eksporte, deri tek 300 kamionë në vit, ose 6 mijë ton produkte bujqësore, fruta-perime. I kemi shtuar sasitë e eksportit. Sot eksportojmë rreth 18 mijë ton, ose 900 kamionë në vit”- tregon Valbona.

Synimi për të ardhmen mbetet investimi në mekanizimin e proceseve të seleksionimit dhe paketimit të mallrave për eksport.

Valbona Arapi ecën e sigurt sot, mes dashurisë për tokën, natyrën, punën dhe familjen. Ka mentore nënën e saj ndaj dhe ndjehet dyfish më e fortë dhe e sigurt. Të jesh në krye të punëve në çdo orë të ditës dhe natës është sa e vështirë edhe e bukur për të. Por kur kamionët dalin të ngarkuar nga magazinat drejt vendeve të rajonit dhe Europës, e gjithë lodhja vjen dhe zbehet, duke ia lë vendin guximit të një gruaje që thjesht ka dëshirë të ecë përpara./VOA

Në trend Lajme

Më shumë

"Bashkëpunimi i Shabanit e Qerimit me Serbinë për ta akuzuar UÇK-në për trafikim organesh", flet Shukri Buja

Lajme
​Anëtarësimi i Kosovës dhe Bosnjës në NATO do të izolonte ndikimin e Serbisë dhe Rusisë në rajon

​Anëtarësimi i Kosovës dhe Bosnjës në NATO do të izolonte ndikimin e Serbisë dhe Rusisë në rajon

Siguri
Rama tregon pse u mbulua monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Rama tregon pse u mbulua monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Lajme
Kosova mund të ndjekë një rrugë të re drejt NATO-s, QKSS propozon modelin KECI

Kosova mund të ndjekë një rrugë të re drejt NATO-s, QKSS propozon modelin KECI

Siguri
Pejani vendosi dy GPS në veturën e të dashurës dhe shpërndau fotografi denigruese në emër të saj – kërkohet paraburgim

Pejani vendosi dy GPS në veturën e të dashurës dhe shpërndau fotografi denigruese në emër të saj – kërkohet paraburgim

Kronika e Zezë
MPJD reagon pasi u anuluan disa fluturime Kosovë-Gjermani

MPJD reagon pasi u anuluan disa fluturime Kosovë-Gjermani

Lajme
Kalo në kategori