Shpesh dëgjojmë se si notat e mira nuk janë barometër i diturisë dhe i suksesit jetësor të një personi. Megjithatë, na habisin lajmet kur ndonjë pasanik i njohur ka arritur të krijojë perandori financiare edhe pse nuk ka qenë nxënës i mirë në shkollë.

Është e vërtetë se shkollimi luan rol shumë të rëndësishëm në jetë. Por, një grua nga Kina ka zbuluar për mediat botërore se njeriu mund të jetë vetë një shkollë e të mësojë gjatë jetës gjërat që i duhen për të qenë i suksesshëm, transmeton Telegrafi.


Bëhet fjalë për 47-vjeçaren Zhou Qunfei, e cila është shpallur femra më e re miliardere, kurse gjithë pasurinë që e ka e ka fituar me djersë, punë dhe mund.

4 70

Ajo nuk ka trashëguar kurrfarë pasurie nga familja dhe në asnjë moment askush nuk e ka përkrahur financiarisht. Madje, nuk e ka të përfunduar as shkollën e mesme.

Qunfei është themeluese dhe anëtare e bordit ekzekutiv të kompanisë “Lens Technology” që merret me prodhimin e ekraneve dhe lenteve për telefonat iPhone.

Kur kompania e saj u shfaq në treg dhe u bë e njohur në vitin 2015, ky fakt e bënte atë jo vetëm femrën më të re, por edhe më të pasur në botë që ka arritur të fitojë e vetme gjithçka që ka sot.

2 111

Është një tregim interesant se si e ka braktisur shkollën qysh kur ishte 16-vjeçe, me qëllim të fillojë punën në një fabrikë të orëve, transmeton Telegrafi. Tregimi i saj fillon në vitin 1993, kur ajo ishte vetëm 22-vjeçe. Asokohe kishte themeluar kompaninë për riparimin e disa pjesëve të orëve.

“Gjatë periudhës së rritjes së shpejtë ekonomike të Kinës, kanë ekzistuar mundësi të ndryshme për sipërmarrësit - përfshirë këtu edhe gratë. Kjo më ka ndihmuar ta zhvillojë biznesin tim”, ka deklaruar ajo.

3 85

Gjatë një interviste dhënë për revistën “Times” gjatë vitit 2015, ajo kishte deklaruar se më me dëshirë do të punonte sesa të martohej si 16-vjeçare, siç kanë vepruar shumica e bashkëmoshatarëve në fshatin ku është rritur.

15-vjet më parë ajo filloi të punojë në industrinë e telefonave dhe shumë shpejt prodhues të njohur filluan të kërkojnë produktet e saj. Sot kompania e saj vlen rreth 10 miliardë euro dhe ka 32 fabrika në të cilat janë të punësuar mbi 90 mijë persona.

Qunfei është e martuar dhe i ka dy fëmijë nga martesa e parë, por thotë se arrin pa kurrfarë problemi ta ndajë jetën private nga ajo profesionale. /Telegrafi/