Ronaldo këshillon lojtarët e Man Cityt se si ta tejkalojnë krizën e madhe të rezultateve

Cristiano Ronaldo ka këshilluar lojtarët e Manchester Cityt, teksa i ka dhënë mbështetje edhe Pep Guardiolës për ta tejkaluar krizën e madhe të rezultateve që ka kapluar ata. Ronaldo i cili ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve gjatë karrierës së tij, u nderua në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nga Globe Soccer Awards në Dubai, duke u shpallur lojtari më i mirë i vitit në Lindjen e Mesme dhe një çmim si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Duke folur pasi pranoi këto çmime, Ronaldo i doli në mbështetje ekipit të Guardiolës pas rënies në formë së fundmi, teksa në të njëjtën kohë nuk la pa përmendur fuqinë e Real Madridit në garat evropiane. “Skuadrat gjithmonë kanë momentet e tyre të mira dhe të këqija. Tani, Manchester City po kalon në një moment të keq, por ata do të rikthehen”.

Ky koment i Ronaldos vjen në një moment mjaft kritik për Manchester Cityn, të cilët po mundohen ta gjejnë sërish ritmin.
Lëndimet e shumta kanë bërë që paraqitjet e tyre të jenë nën standardin që kërkohet, por të besuarit e Guardiolës do synojnë rikthimin tek rezultatet pozitive të dielën, kur do të ballafaqohen me Leicester Cityn. ‘Dhelprat’ të cilët momentalisht gjenden në pjesën e poshtme të tabelës, mund t’i ofrojnë ‘Qytetarëve’ një mundësi për të rindërtuar besimin dhe për të gjetur rrugën tek fitoret./Telegrafi/






















































