Site icon Telegrafi

Roma fiton lehtësisht edhe ndeshjen e dytë ndaj Trabzonsporit, futet në grupe të Ligës së Konferencës

Roma ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë në ‘Play-Off’-in e Ligës së Konferencës përballë Trabzonspor.

Giallorosët triumfuan para tifozëve të vet me rezultat të pastër 3-0.

Skuadra italiane golin e parë e gjeti pas 20 minutave lojë, kur Rick Karsdorp asistoi bukur te Bryan Cristante i cili me një gjuajtje të fortë shënoi për 1-0.

Roma vazhdoi me sulme edhe pas golit të parë, por 45 minutat e para përfunduan me epërsinë e tyre minimale 1-0.

Në pjesën e dytë, Roma vazhdoi edhe më shumë të sulmojë, derisa në minutën e 65-të gjetën golin e qetësisë.

Ishte qendërmbrojtësi Gianluca Mancini që asistoi për Nicolo Zaniolon i cili realizoi për 2-0.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, në skenë doli sulmuesi italian Stephan El Shaarawy që realizoi për rezultatin përfundimtar 3-0.

Kësisoj Roma pas dy ndeshjeve ndaj Trabzonsporit, eliminon skuadrën turke me rezultat të përgjithshëm 5-1.

Roma tani është pjesë e grupeve në garën e re evropiane, UEFA Conference League. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version