Roma fiton derbin e javës ndaj Napolit dhe rrëmben vendin e tretë

Roma ka fituar derbin e javës në Serie A ndaj Napolit me rezultat të ngushtë 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të.
Giallorossët kanë vazhduar serinë pozitive në kampionat, duke marr edhe fitoren e tretë me radhë dhe duke rrëmbyer pozitën e tretë.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të mirë dhe shumë raste nga të dyja skuadrat, por ishin vetëm vendasit të cilët gjetën rrjetën.
Ishte Nicolo Zaniolo (19'), i cili shënoi një supergol për epërsinë 1-0, ndërsa Aleksander Kolarov (26') dështoi të thellojë epërsinë, duke humbur penalltinë.

Napoli pati raste të mira me Arkadiuzk Milik (41') që goditi traversën me kokë dhe Dries Mertens, i cili goditi mbi portë nga afërsia.
Në pjesën e dytë, Roma gjeti shpejt golin e dytë, ku mesfushori Jordan Veretout (55') u tregua i saktë nga pika e bardhë për 2-0.
Mysafirët arritën të kthehen në lojë me anë të Milik (72'), i cili nga afërsia ngushtoi epërsinë në 2-1, por kjo nuk i mjaftoi pasi me këtë rezultat përfundoi ndeshja dhe Roma mori tri pikët.

Me këtë fitore, Roma e sheh veten në pozitën e tretë me 22 pikë, ndërsa Napoli renditet i shtati me 18 pikë.
Në ndeshjen e radhës, Giallorosët udhëtojnë te Parma, ndërsa Napoli e pret Genoan. /Telegrafi/




















































