LAJMI I FUNDIT:

Roli i Enver Hoxhës për Kosovën dhe çështjen kombëtare!

Roli i Enver Hoxhës për Kosovën dhe çështjen kombëtare!

Edhe pse kanë kaluar 27 vjet nga rënia e regjimit komunist shqiptar, vazhdon që të ketë shumë shqiptarë të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi që ushqejnë një simpati e vlerësim ndaj Enver Hoxhës dhe regjimit të tij. Ekzistenca e kësaj nostalgjie për enverizmin mund të ishte e kuptueshme deri në vitet 90-të kur shqiptarët jashtë kufirit ishin të tejngopur për dekada me radhë nga propaganda shurdhuese e sistemit totalitar që kishte ndërtuar kultin e individit udhëheqës. Kuptohet që për shumë shqiptarë gjatë okupimit sllav bëhej fjalë ose për t’u orientuar nga Beogradi i robërisë ose nga Tirana, pavarësisht se kush e sundonte Shqipërinë. Mirëpo tani që po mbushen dy dekada nga çlirimi i Kosovës dhe shqiptarët janë të lidhur e komunikojnë me njëri- tjetrin si asnjëherë më parë, është e pakuptueshme dhe indinjuese që ka ende nga ata që besojnë se Enveri dhe regjimi komunist ka qenë i dobishëm për Shqipërinë dhe kauzën kombëtare.

Pikësëpari kur flitet për rolin historik të Enver Hoxhës dhe regjimit që ai drejtoi, nevojitet një reflektim dhe ndryshim opinionin për komunizmin për faktin se regjimet e mbështetura te kjo ideologji kanë bërë krime nga më mizoret duke eliminuar mbi 100 milionë qytetarë të pafajshëm. Mjafton të shikohen tmerret e periudhës së terrorit të kuq, spastrimeve dhe holomodorit në Bashkim Sovjetik, hopi i madh përpara dhe revolucioni kulturor në Kinë apo vrasjet masive të khmerëve të kuq në Kamboxhia për të kuptuar sa çnjerëzor është komunizmi e pse duhet dënuar. Shqiptarët e ish-Jugosllavisë kanë qenë vetë viktima të mohimit të të drejtave të njeriut e duhet që të dënojnë regjimet komuniste si format më ekstreme të zhveshjes së njeriut nga të drejtat më themelore.

Së dyti, figura e Enver Hoxhës dhe regjimit komunist duhet shqyrtuar nga shqiptarët e ish-Jugosllavisë edhe në prizmin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe keqardhje për vuajtjet ekstreme të shtetasve shqiptarë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Instituti Studimit të Krimeve të Komunizmit në raportin e tij ka nxjerrë se gjatë regjimit janë vrarë 6 027 vetë, janë burgosur dhe dënuar për arsye politike 34 135 vetë dhe janë internuar në kampe përqendrimi 59 009 persona. Torturat dhe kushtet e rënda gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit iu kanë shkaktuar vdekjen 984 qytetarëve dhe kanë shkaktuar humbjen e aftësive mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit 308 personave. Në raport thuhet se këtu nuk janë llogaritur me mijëra qytetarë që janë vrarë nga viti 1944-1955, pasi për ta nuk ka gjurmë në arkiva. Pra, të qenit shqiptar kërkon jo vetëm solidarizimin e shqiptarëve të Shqipërisë me ata të Kosovës gjatë robërisë, por edhe anasjelltas, dhembshurinë për vuajtjet e shkaktuar nga regjimi më i egër komunist në Europë.


Një ndër provat kryesore të rolit negativ që Enver Hoxha ka pasur për çështjen kombëtare është padyshim mënyra se si ai e nëpërkëmbi çështjen çame. Në shkurt të vitit 1943 u krijua çeta “Çamëria” që pak më vonë u shndërrua në batalionin “Çamëria” me mbi 2000 mijë partizanë ku shumica dërrmuese ishin çamë. Ky formacion ndërmori disa beteja heroike dhe ishte dëshmia edhe më e mirë se shqiptarët çamë luftuan kundër fashistëve. Mirëpo në qershor të vitit 1944, Enver Hoxha, duke e konsideruar çështjen çame tekstualisht “si patate të nxehtë që do kërcënonte marrëdhënien me Greqinë”, vendosi që t’ia ndryshonte emrin në batalionin Thanas Ziko. Duke i vënë emrin e një minoritari grek dhe hequr emrin Çamëria, Hoxha iu dha sinjalet e para grekëve se do e injoronte problemin çam. Po ashtu në vend që të dërgonte Ushtrinë Antifashiste Nacional-Çlirimtare masakrat ndaj shqiptarëve civilë të pambrojtur të Çamërisë, e dërgoi në Jugosllavi çka tregon që kjo ushtri nuk e ka pas merituar emrin “nacional çlirimtare”.

Në fund të vitit 1945 deri në 1945, dy divizione partizane V dhe VI me rreth 10 000 trupa nën komandën e Gjin Markut dhe Rrahman Parllakut vazhduan luftën në Jugosllavi deri në Vishegrad afër Sarajevës mbi 100 kilometra larg trojeve shqiptare, në ndjekje të forcave gjermane që tërhiqeshin drejt Berlinit. Më shumë se 700 partizanë ranë në luftimet kundër gjermanëve në Jugosllavi në të njëjtën kohë kur Zerva në krye të formacioneve kolaboracioniste të nazistëve masakronin me mijëra civilë çamë të pambrojtur vetëm pak kilometra në jug të kufirit të Shqipërisë. Po ashtu pas mbarimit të Luftës së II Botërore, në vend që të merrej me zgjidhjen e kthimit të refugjatëve çamë në vendlindje, Hoxha futi hundët në politikën e brendshme të Greqisë duke mbajtur krahun e EAM-ELLAS-it në luftën civile të Greqisë dhe për rrjedhojë duke dëmtuar simpatinë ndërkombëtare për shqiptarët e dëbuar nga Çamëria.

Por diktatori nuk u mjaftua me këtë gjë, në vitin 1953 Enver Hoxha konfiskoi dokumentet greke, hoqi në mënyrë të dhunshme shtetësinë greke të refugjatëve çamë që ishin në Shqipëri duke ua bërë edhe më të vështirë kthimin ligjor të tyre dhe pretendimet legjitime që ata kishin për kthimin e pronësisë. Në të njëjtën linjë të qëndrimeve të tija antiçame që synonin të akomodonin e t’i jepnin garanci shtetit grek, në vitin 1960 Hoxha iu dha çamëve që ishin në Shqipëri një goditje finale duke ndërmarrë gjyqin e sajuar ndaj grupit të 65 çamëve të drejtuar nga admiral Teme Sejko, e cila jo vetëm eliminoi zyrtarët më të lartë e figurat më të shquara çame, por u shoqërua me një persekutim të familjeve të tyre dhe gjithë çamëve në përgjithësi.

E ashtuquajtura Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ) që në zanafillë u dominua jugosllave. Dokumentet e deklasifikuara të shërbimeve sekrete perëndimore tregojnë se disa nga figurat kryesore të luftës antifashiste ishin faktikisht agjentë të Jugosllavisë, të cilët u aktivizuan në luftë kundër pushtuesve italianë me kërkesën dhe sponsorizimin e britanikëve, të cilët donin që të hapnin një front të ri në Shqipëri kundër fashizmit. Kështu për shembull Myslim Peza dhe Haxhi Lleshi, të cilët ishin rekrutuar nga shërbimet jugosllave u kthyen në Shqipëri dhe organizuan veprime të armatosura me fondet që vinin nga Londra. Po ashtu janë të panumërta dokumentet që e dëshmojnë katërcipërisht se Partia Komuniste e Shqipërisë u formua më 8 nëntor 1941 nga dy emisarë jugosllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, të cilët e drejtuan këtë parti deri në fund të luftës.

Faktikisht Partia Komuniste Shqiptare ishte vetëm një degë e partisë komuniste jugosllave, deri në vitin 1948 kur Titoja u prish me Stalinin. Vetëm kur Bashkimi Sovjetik e futi Shqipërinë në zonën e vet të influencës, Partia Komuniste Shqiptare u bë e pavarur prej ndikimit jugosllav dhe ndryshoi emrin në Partia e Punës së Shqipërisë.

Por mungesën e nacionalizmit dhe kontrollin nga jugosllavët e dëshmon akoma më mirë prishja e marrëveshjes që doli nga konferenca e Mukjes. Kjo konferencë synonte të bashkonte të gjithë shqiptarët në rezistencën ndaj fashistëve dhe u mbajt në 1-3 gusht 1943 me pjesëmarrjen e 12 përfaqësuesve të Frontit Nacionalçlirimtar dhe 12 përfaqësuesve të Ballit Kombëtar. Pas shumë diskutimesh dhe lëshimesh të dyanshme, u arrit marrëveshja për luftë të përbashkët dhe të menjëhershme kundër pushtuesit përkrah aleatëve të mëdhenj dhe u krijua edhe Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë si një organ i përbashkët i bashkërendimit të luftës që përbëhej nga 6 përfaqësues nga secila palë. Por pika 2 e proklamatës që doli nga marrëveshja ishte veçanërisht problematike për jugosllavët, sepse thoshte “Pika 2. Luftë për një Shqipëri indipendente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike”. Emisarët jugosllavë Svetozar Vukmanovic-Tempo dhe Miladin Popoviç e bindën Enver Hoxhën që ta mohonte dhe prishte këtë marrëveshje madje Hoxha shkoi edhe më tej duke nisur sulmin ndaj Ballit Kombëtar duke nisur një luftë civile paralel me atë antifashiste. Po ashtu Enver Hoxha nuk e përshëndeti aspak konferencën e Bujanit që u mbajt në

31 dhjetor 1943- 2 janar 1944, në Bujan të Tropojës, u mbajt ajo që është quajtur Konferenca e Bujanit, e cila në rezolutën e saj shprehu haptazi vullnetin për bashkim kombëtar nëpërmjet luftës kundër fashizmit. Madje organi i partisë komuniste shqiptare “Zërit të popullit” në atë kohë kur raportonte për Konferencën e Bujanit e kishte censuruar plotësisht fjalinë lapidare të rezolutës së kësaj konference që thoshte se “populli i Kosovës e i Rrafshit të Dukagjinit si gjithmonë dhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin”.

Mungesën e dimensionit nacionalist të Enver Hoxhës e tregon edhe implikimi i ushtrisë partizane shqiptare në çarmatosjen e rezistencës nacionaliste kosovare si dhe në transportimin e partizanëve kosovarë nëpërmjet territorit të Shqipërisë drejt masakrës së Tivarit. Partizanët e Enver Hoxhës e ndihmuan projektin e zhdukjes së kosovarëve në Tivar duke dorëzuar tek jugosllavët të gjithë të arratisurit shqiptarë nga trevat e tyre, por edhe gjithë vullnetarët shqiptarë të Kosovës që u bashkoheshin batalioneve të UNÇL e mandej jugosllavët i çuan këta në thertoren e Tivarit. Tradhtia e Enver Hoxhës ndaj Kosovës u pa edhe në Konferencën e Paqes në Paris, në gusht 1946, kur u përmend çështja e Kosovës, Enver Hoxha do të deklaronte haptazi se: “Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë, Jugosllavisë”. Faktikisht jo vetëm që Enver Hoxha nuk kërkonte bashkimin kombëtar me trojet e ngelura në Jugosllavi, por qe i gatshëm edhe për ta bërë Shqipërinë republikën e 7-të të federatës së sllavëve të jugut. Për këtë qëllim u bë bashkimi monetar dhe doganor, u ndryshua dita e çlirimit nga 28 nëntor në 29 nëntor për ta përshtatur me çlirimin e Jugosllavisë dhe ushtarët tanë u integruan në strukturat e ushtrisë jugosllave me të njëjtën uniformë e u ndërmorën veprime të tjera në këtë drejtim. Pavarësia e Shqipërisë shpëtoi vetëm prej prishjes që Stalini pati me Titon në vitin 1948 dhe që si pasojë e kësaj thyerje Bashkimi Sovjetik e nxori Shqipërinë nga kthetrat e Jugosllavisë dhe e futi në sferën e vet të influencës.

Por për të kuptuar akoma më qartë mungesën e dimensionit patriotik të enverizmit, mjafton të shikohet heshtja e regjimit komunist ndaj krimeve e padrejtësive që iu bëheshin shqiptarëve të ish-Jugosllavisë edhe gjatë viteve në vijim kur nuk Shqipëria nuk ishte më nën ndikimin jugosllav, por kishte prapa Bashkimin Sovjetik.

Shqipëria jo vetëm që nuk i ka denoncuar në arenën ndërkombëtare, por as nuk i ka përmendur në shtypin vendas apo në tekste mësimore të kohës. Shqipëria komuniste mbështeste pafund protesta, denoncime apo rezoluta në OKB që kishin të bënin me solidaritet komunist antikapitalist si ato kundër Izraelit pro Palestinës, kundër SHBA e pro vietkongëve, për regjimet komuniste në Amerikë Latine apo lëvizjet çlirimtare dekolonizuese në Afrikë e gjithfarë nismash ndërkombëtare të këtij lloji, mirëpo nuk bënte të njëjtën gjë për Kosovën. Pra, edhe pse nuk mund të ofronte mbrojtje ushtarake së paku do të ishte natyrshme që në arenën ndërkombëtare Shqipëria të niste rezoluta, të bënte denoncime apo protesta, Madje Shqipëria jo vetëm që nuk e ka thirrur ambasadorin jugosllav për sqarime gjatë situatave të vështira për shqiptarët e ish-Jugosllavisë sikurse duhet ta bëjë çdo shtet dinjitoz, por e ka mbajtur Jugosllavinë si partnerin e saj kryesor tregtar.

Regjimi enverist qëndroi duarkryq e nuk bëri asnjë përpjekje ndërkombëtare kundër pastrimit etnik që iu bë trojeve shqiptare duke dëbuar popullsinë në Turqi. Marrëveshja turko-jugosllave e vitit 1953 nënshkruar në Split prej Titos dhe ministrit të Jashtëm turk Fuad Kyprili ripërtëriu marrëveshjen e dikurshme të vitit 1938 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Gjatë periudhës 1953-1965 janë dëbuar rreth 450 mijë shqiptarë dhe janë sjellë dhjetëra mijëra kolonë duke përbërë një pastrim etnik të heshtur masiv. Po ashtu nuk iu dëgjua aspak zëri Shqipërisë kundër masave represive e terrorizuese që shoqëruan fushatën e kërkimit të armëve në dimrin e viteve 1955-56. Po ashtu Tirana qëndroi indiferente edhe ndaj masave ndëshkuese që erdhën pas demonstratave të vitit 1968. E vërteta është se Enveri harxhonte dhjetëra miliona euro për të financuar parti komuniste anembanë botës dhe stërviste në territorin e saj për luftë guerile dhjetëra grupe ushtarake që vinin nga Zaire, Ekuadori, Peruja, Cejloni, Kili, Indonezia e Haiti e shumë vende të tjera mirpo nuk ka bërë të njëjtën gjë për Kosovën.

Është qesharake të mendosh që diktatori ka pasur ndër mend të sulmojë e çlirojë Kosovën kur dihet që investimi më i madh ushtarak në kohën e tij ka qenë mbushja e vendit me bunkerë të cilët nuk lëvizin, nuk janë ofensivë e shërbejnë vetëm për mbrojtje. Por për “dashamirësinë” e diktatorit për Kosovën mund të “dëshmojnë” më së miri kosovarët që u arratisën nga Jugosllavia me shpresë se do të gjenin strehë në Shqipëri. Mbi 1200 kosovarë u dergjën nëpër burgjet e regjimit kurse mbi 4500 syresh u katandisën në internim në zonët më të humbura të Shqipërisë.

Një tjetër dëm i madh i shkaktuar nga Enveri ka qenë padyshim vendimi i tij për të izoluar tërësish Shqipërinë nga vendet fqinje e për rrjedhojë nga gjysma e kombit e ngelur jashtë. Braktisja e Tiranës dhe pamundësia e komunikimit me shtetin amë mund të konsiderohet padyshim si një nder faktorët kryesorë që çuan në asimilimin e shumë shqiptarëve në trojet tona etnike. Gjatë dekadave të izolimit të Shqipërisë janë asimiluar shqiptarët në Tivar, Plavë e Guci të Malit të Zi si dhe janë boshnjakëzuar në Turin dhe Pazar të Ri të Sanxhakut në Serbi. Po ashtu kanë humbur identitetin kombëtar shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë e Greqisë. Po qe se Shqipëria komuniste do t’i kishte mbajtur kufijtë relativisht hapur si ta zëmë Hungaria apo Bullgaria, komunikimi ndërkufitar nuk do të kishim asimilimin masiv që ka ndodhur mes shqiptarëve të ngelur jashtë shtetit dhe shqipja nuk do të ishte rrudhur në përmasat e sotshme.

Me pak fjalë duhet kuptuar njëherë e mirë, për arsyet e sipërpërmendura, por edhe për shumë arsye të tjera se regjimi komunist i Enver Hoxhës ishte një ndër fatkeqësitë më të mëdha që i kanë ndodhur kombit tonë dhe se Hoxha ishte një narcizist që të vetmen gjë të shtrenjtë kishte mbajtjen me çdo kusht të pushtetit personal. Pra, jo vetëm që nuk ka qenë Hoxha patriot, por ka qenë madje shumë i dëmshëm. Për hir të pushtetit personal ky diktator sadist eliminoi shokët e tij më të afërm dhe ishte i gatshëm të shiste kauzën kombëtare sa herë që ia lypte nevoja. Nga ana tjetër, duhet kuptuar që Kosova dhe trojet e tjera etnike kanë pasur një kosto të jashtëzakonshme oportune prej regjimit enverist dhe se rezistenca e lufta për liri e pavarësi në ish-Jugosllavi nuk ka ardhur prej Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, por e ka pasur burimin vendor tek patriotizmi e krenaria kombëtare e shqiptarëve të atyshëm. E ka burimin tek një atdhedashuri autentike që ngeli e pashuar pavarësisht një shekull robërie.