Rohde mbështet reagimin e BE-së rreth sjelljes së Serbisë karshi Kosovës në Këshillin e Evropës

Gjermania ka mbështetur reagimin e Bashkimit Europian (BE) ndaj sjelljes së Serbisë lidhur me aspiratat e Kosovës për ta përmirësuar statusin e saj në Këshillin e Europës.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, është deklaruar pasi disa kanë komentuar se Gjermania do ta bllokonte Kosovën vitin e kaluar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë.
“Më lejoni ta bëj të qartë: Gjermania ka qenë një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Europës. Dhe Kosova e di saktësisht në cilat pika duhet të dorëzojë në mënyrë që të sigurojë votat e nevojshme. Duke ditur se nuk u siguruan vota të mjaftueshme, ishte opsioni më i mirë për të hequr votën nga rendi i ditës për të parandaluar një humbje në votim që do të kishte qenë një fatkeqësi diplomatike”, ka reaguar Rohde në rrjete sociale.
Ndryshe, Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të premten se Serbia, me sjelljen e saj në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, në të cilën, mes tjerash, Beogradit i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Kosova hasi edhe në një pengesë tjetër gjatë kësaj jave në Këshillin e Evropës (KiE), pasi kërkesa e saj për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, u hoq nga rendi i ditës të mërkurën.
Serbia, në disa raste në të kaluarën, ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndonëse Marrëveshja e arritur me lehtësimin e Bashkimit Evropian qartë thotë se ajo nuk mund ta bëj një gjë të tillë.
Marrëveshja nuk është nënshkruar, por BE-ja ngul këmbë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe duhet të zbatohet në tërësi.
Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak se u kushtëzua me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Edhe Asociacioni është obligim për Kosovën nga kjo Marrëveshje.
Vitin e kaluar, Serbia kishte formuar grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit, dhe luftimin e korrupsionit.


















































