Rizvanolli propozim për tarifat e rrymës: Pa rritje për ata që shpenzojnë më pak, ndarje më të drejtë për të tjerët
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, se i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat orë (kWh) në muaj.
Përtej kësaj shifre, ajo propozoi që konsumatorët të ndahen në më shumë kategori, duke u shmangur trajtimi i njëjtë për ata që kanë konsum të ndryshëm.
“Ne kemi kërkuar nga ZRRE që mos të ketë fare rritje për ata që konsumojnë deri në 800 kWh. Ndërsa për të tjerët, rritja të jetë sa më e vogël dhe konsumatorët të klasifikohen në blloqe të veçanta – të mos barazohet ai që harxhon 1000 kWh me dikë që harxhon 3000 kWh,” u shpreh Rizvanolli në një video-mesazh në Facebook.
Ajo shtoi se qëllimi kryesor është mbrojtja e familjeve dhe veçanërisht e atyre që kanë nevojë më të madhe, pa rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji.
Megjithatë, Zyra e Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar se një rritje e çmimit është e paevitueshme.
Petrit Pepaj nga kjo zyrë deklaroi më 14 mars se pritet një ngritje rreth 15 për qind, për shkak të kostove në rritje.
“Dy faktorë kryesorë kanë ndikuar në këtë: mungesa e prodhimit vendor, përfshirë edhe burimet e ripërtëritshme, si dhe çmimet e larta të importit,” theksoi ai.
Kundërshtime ndaj rritjes së tarifave kanë ardhur nga disa fronte. Nisma qytetare “Asnjë cent më shumë”, partitë opozitare LDK, AAK dhe PDK, si dhe Presidenca e Kosovës, janë shprehur kundër propozimit.
Presidenca, përmes një deklarate më 28 mars, theksoi se rritja bie ndesh me obligimet ligjore të ZRRE-së për mbrojtjen e konsumatorit dhe neglizhon realitetin ekonomik të qytetarëve.
Pak ditë më parë, më 5 prill, qytetarët protestuan në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë, në një tubim të organizuar nga iniciativa “Asnjë cent më shumë”, i cili mblodhi një numër të madh pjesëmarrësish.






























