LAJMI I FUNDIT:

Ritet e lindjes në Zym të Hasit

Për botëkuptimet popullore martesa ka për qëllim kryesor shtimin e njerëzimit, përkatësisht sjelljen në jetë të fëmijëve. Ndërkaq, ardhja në jetë e fëmijëve paraqet ngjarje me rëndësi, gëzim të çiftit bashkëshortor, të familjes dhe farefisit më të gjerë (Drita Statovci “Elemente mitologjike dhe demonologjike në doke e zakone të lindjes”, Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji, Instituti Albanologjik i Prishtinës, nr. 18, viti 1988, faqe 173-191).

Nga dëshira e madhe për t’u përtërirë jeta, përkatësisht për të pasur pasardhës, populli (pa dallim nacionaliteti, besimi, race apo vendi) ka krijuar doke e zakone të llojllojta, të cilat jetësohen në raste të caktuara të ngjarjes së lindjes. Dukuritë e këtilla janë dëshmi e një vetëdije shoqërore, gjegjësisht është dëshmi e një shkalle të zhvillimit njerëzor.

Te tradita shqiptare, pra edhe në Zym të Hasit, ardhja në jetë e fëmijës paraqet gëzim në familje. Lindja – shtimi i familjes – shihet si pasuri e shtëpisë, përkatësisht shihet si vazhdimësi e jetës së familjes.

Dëshira për të pasur pjellori – fëmijë – në fakt shfaqet që në ditën e martesës, në ditën e dasmës, kur nusja hynë në oborr e me ç’rast i hidhet mbi kokë grurë e sheqerka (A. Dojaka “Ceremoniali i dasmës shqiptare”, Tiranë, Etnografia shqiptare, nr. IX, viti 1978, faqe 132).

Zakoni i lindjeve edhe sot është i ruajtur mirë si në fshatrat shqiptare e po ashtu edhe nëpër qytete. Bile, ky zakon ushtrohet si në shtëpinë e vajzës, sidomos kur kumbara i dhëndrit që ka ardhur me krushq, hynë te nusja (në shtëpi të vajzës) dhe asaj i derdhë mbi kokë para të metalta. E po ashtu edhe kur vjen nusja në shtëpi të burrit (dhëndërit), kur në hyrje të oborrit një plakë u hedhë mbi koka të krushqve, por edhe të nuses, grurë dhe sheqerka (të përziera). Pra, elementet e këtilla simbolizojnë pjellorinë – vazhdimin e jetës.

Te shtëpia e dhëndrit dasma fillon në mesnatë (në mes të ditës së mërkurë dhe ditës së enjte) kur i zoti i shtëpisë shtinë me armë, që është simbol i pastërtisë dhe virgjërisë, sinjalizon fillimin e sitjes së miellit nga një djalë, e pastaj tri vajza (që kanë prindër, vëllezër e motra, përkatësisht – me zemra plotë) fillojnë të gatuajnë kulaçin e nuses. Në fakt, kulaçi është simbol i pjellorisë, por edhe prania e djalit paraqet dëshirën që nusja për të cilën po gatuhet kulaçi të lind djem (Anton N. Berisha “Grishja dhe këngët e grishtarit në Zym”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji, viti 1975, faqe 143-156); Rr. Berisha “Kontribut rreth zakonit të këngëve të “kulaçit të nusës”, Instituti Albanologjik i Prishtinës – folklor dhe etnologji, nr. III, viti 1975, faqe 119-121). Natyrisht se këto rite e zakone përcillen edhe me këngë e def.

Po ashtu, doket dhe zakonet popullore dëshmojnë se për të lindur nusja djem, nga shtëpia e dhëndrit dikur kur niseshin krushqit për ta marrë nusen, patjetër e merrnin një djalë të vogël. Ndërkaq, tash kur dasmat bëhen me makina, krushqit në makinë të nuses i marrin dy fëmijë (një djalë dhe një vajzë), që do të thotë se kur nusja hyn në makinë ajo ua puthë duart që të dy fëmijëve. Mirëpo, kur nusja vjen në shtëpi të dhëndrit, familjarët e dhëndrit e marrin një djalë tjetër dhe e fusin në makinë, të cilin nusja e ulë në prehër dhe më pastaj e përcjell kah dera tjetër, ku e pret një person i cili djalin e merr dhe e hip mbi makinë nga e merr personi i mëparshëm, dhe përsëri atë e ulë nusja në prehër. Kështu ky rit përsëritet tri herë, për çka edhe nusja e dhuron me diçka atë djalë. Në fakt, më herët kur nuk kishte makina, nusja vinte me kali të bardhë dhe e mbuluar me duvak të kuq. Edhe atëherë veprohej kështu: një djalë e fusnin në duvakun e nuses, për çka nusja e dhuronte me ndonjë dhuratë e pastaj e sillnin tri herë mbi kali e nën kali.

Po ashtu, kumbara i shtëpisë së dhëndrit, që në dasmat e Zymit ka shumë rëndësi, pasi të vendosen krushqit në shtëpi të dhëndrit pas sjelljes së nuses, ua merr tre krushqve tre plisa dhe shkon te nusja. E, para se t’ia heq duvakun, ia vënë plisat tri herë në kokë e pastaj ia heq duvakun. Do përmendur se gjatë kësaj kohe nusja duhet të qëndroj mbi një umi të parmendës, apo të ndonjë metali tjetër, të mbështjellë me një thes gruri.

Ky pra është një rit me simbolikë të pjellorisë së dyfishtë. Themi kështu sepse umi i parmendës është i lidhur me tokën, që jep ushqime – pjellori – që do të thotë se barazohet edhe me pjellorinë e nuses, përkatësisht se pjelloria e tokës bartet edhe te ajo e nuses. Në anën tjetër, umi e ka edhe funksionin mbrojtës nga demonët e këqij, pasi që ata (demonët) i frikësohen hekurit (metalit).

Në afërsi të Zymit të Hasit, përkatësisht afër Kroit të Laskavecit, aty afër 100 metra në anën e djathtë nga drejtimi Gjonaj-Zym, gjendet Rrethi i Grave. Quhet Rrethi i Grave, sepse siç pohojnë pleqtë e këtij vendbanimi, dikur ishte turp të lindnin gratë në shtëpi, ndaj plakat e shtëpisë i dërgonin shtatzënat në atë vend për të lindur. Aty afër ishte edhe burimi i ujit (Kroi i Laskavecit), por kishte edhe drunj për ta ndez zjarrin për ta nxeh ujin për nevoja të lindjes. Pra, Rrethi i Grave në njëfarë mënyre paraqiste një lloj gjinekologji të vendbanimit.

Pas lindjes gratë ktheheshin në shtëpi dhe varësisht nga stina – gjatë pranverës, verës e vjeshtës së hershme – thoshin se fëmiun e solli lejleku apo shqiponja. Përkatësisht, në vjeshtën e vonë dhe dimrit thoshin se fëmijën e kanë gjetur në grazhdë të ahurit të bagëtive.

Do përmendur se edhe pas interesimit tonë se a ka ndokund në trevat shqiptare diçka të tillë si Rrethi i Grave në Zym, nuk kam dëgjuar e as nuk kam lexuar, që do të thotë se Rrethi i Grave në Zym të Hasit është unikat.

Natyrisht se për shtatzënat në mënyrë të veçantë janë kujdesur plakat e familjes, në mënyrë që akti i lindjes të jetë sa më i lehtë. Për t’ju lehtësuar lindja, janë bërë edhe disa rite si puthja e katër mureve të dhomës, duke e formuar kryqin në dhomë. Pra, elementet më të paraqitura padyshim se ka qenë ai i kryqit, pastaj i ujit i përhershëm që ecën (si te Rrethi i Grave që ekziston burimi – Kroi i Laskavecit). Këto rite të tjera përkojnë edhe me disa simbole ilire (Aleksander Stipçeviq “Amuletet ndër ilirë në kohën parahistorike”, Gjurmime aIbanologjike – seria historike, Instituti Albanologjik i Prishtinës, nr VIII, viti 1978, faqe 29: i njëjti, “Simbolet e kultit te ilirët”, IAP, 1984, faqe 21).
Në fakt kryqi, si simbol solar, përkatësisht i diellit, do të thotë se simbolizon jetën dhe shëndetin. Në anën tjetër, uji që rrjedhë simbolizon plleshmërinë, vdekjen dhe përtëritjen, por që ka edhe aftësinë e pastrimit si mjet i të liruarit.

Në ditët e para të lindjes, si lehonat e po ashtu edhe fëmijët, i ruajnë nga gjërat e pakëndshme, si nga demonët e këqij, nga terri, nga vetmia, nga “syri i keq” e kështu me radhë. Bie fjala, për ta ruajtur lehonën, ajo duhet që në shokë (brez) të mbanë hudhra. Në anën tjetër, fëmija duhet që ta ketë fytyrën e mbuluar, apo që në djep të ketë edhe hudhra – apo në shokë me të cilën lidhet për djepi, mund të ketë edhe këmbë të iriqit, lëkurë të gjarprit e kështu me radhë, që të mbrohej nga “syri i keq” (mësyeshi) – amuletja, demonët e këqij e të tjerë.

Rrethi i Grave në Zym të Hasit

Në trend

Më shumë

"Unë thjeshtë dua të luaj futboll" - Vini Jr me një gjest të shëmtuar në miqësore, Laporte tallet me të pas ndeshjes

La Liga
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

Magazina
Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në

Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në "Miss Universe", bukuroshja Rumy Alqahtani do t'i përfaqësojë në garën e bukurisë

Magazina
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Zbulohet se sa do të jetë

Zbulohet se sa do të jetë "kostoja ditore" nga shembja e urës në Baltimore

Amerika
Kalo në kategori