Rikthim sensacional i Southamptonit për përmbysjen e Liverpoolit (Video)

Southamptoni është treguar skuadër e jashtëzakonshme duke mposhtur Liverpoolin me rezultat 3-2 në St. Mary’s Stadium, edhe pse ishte në disavantazh prej dy golash nga pjesa e parë.
Skuadra mysafire ishte mbresëlënëse në gjysmën e parë të ndeshjes, gjatë të cilës shënoi dy gola. Philippe Coutinho pranoi një top nga Lallana dhe ishte fantastik me goditjen e tij që u ndal në rrjet (17’).
Shumë shpejt erdhi goli i dytë. Origi pasoi te Daniel Sturridge, i cili gjeti hapësirë për të goditur dhe për të shënuar (22’).
Në fillim të pjesës së dytë u akordua penalti për vendasit, mirëpo Simon Mignolet mbrojti goditjen e Sadio Manes (49’).
Por angazhimi i nikoqirëve ishte i vazhdueshëm dhe ata arritën të përmbysin gjithçka. Fillimisht, Sadio Mane përmirësoi gabimin duke e ngushtuar rezultatin (64’), derisa Graziano Pelle e barazoi rezultatin (84’).
Menjëherë pas, Sadio Mane shënoi golin e dytë personal dhe e kaloi skuadrën vendase për herë të parë në epërsi (86’).
Southamptoni është i shtati në tabelë me 47 pikë, ndërsa Liverpooli është në vend të nëntë me 44 pikë (megjithatë Redsat kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara). /Telegrafi/

















































