Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët se reshjet e vazhdueshme, të paralajmëruara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, po paraqesin rrezik për vërshime në disa zona të komunës.

Si pasojë, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave ka aktivizuar të gjitha kapacitetet emergjente, ndërsa ekipet komunale janë në terren duke monitoruar gjendjen dhe duke ndërmarrë masa të menjëhershme për mbrojtjen e banorëve dhe tokave bujqësore.


Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të lëvizin me kujdes, të shmangin zonat pranë lumenjve dhe përroskave, të mos hedhin mbetje në kanalet e ujërave dhe të kujdesen për kanalizimet, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, qytetarët janë paralajmëruar të mos hapin kapakët e pusetave, pasi kjo mund të shkaktojë bllokime dhe dëme shtesë.

Çdo situatë urgjente, sipas komunës, duhet të raportohet menjëherë tek organet kompetente.

Ndërkohë, për shkak të punimeve për pastrimin e mbetjeve pranë urës, rruga “Sokol Elshani” është mbyllur përkohësisht dhe do të qëndrojë e tillë deri në përfundimin e ndërhyrjeve.

Komuna ka bërë të ditur se ekipet mbeten në gatishmëri për çdo rast emergjent që mund të paraqitet. /Telegrafi/