Nga: Agron Islami
Qyteti i vogël me emrin Bizantion, i themeluar në shek. VII p.e.s., rreth pesë shekuj më vonë (shek. II p.e.s.) do t’i bashkëngjitet qyteteve të sunduara nga Perandoria Romake. Ndonëse Bizantioni kishte përparësi të mëdha gjeostrategjike, nuk e kishte tërhequr vëmendjen e perandorëve romakë. Gjërat ndryshojnë me ardhjen në fron të Kostandinit të Parë (324-337), i cili në muajin maj të vitit 330, në një atmosferë festimesh që zgjatën katër ditë, rezidencën perandorake të Romës do ta zhvendosë në brigjet e Bosforit. Kështu, edhe zyrtarisht, Bizantioni i vogël do të shndërrohet në qendër të botës. Por, tani me emrin e ri, Kostandinopoja – emër që identifikonte edhe pronarin e ri, Kostandinin. Nga këtu e tutje, Kostandinopoja, i cili ishte kryeqytet i Perandorisë Romake për 1123 vjet, do të jetë zemra e qytetërimeve ku luftërat sektare të krishterimit do të bëhen pikërisht aty.
Ashtu siç mund ta ketë menduar Kostandini – i lindur në hapësirën e Ilirisë (Nish), i njohur edhe për strategji luftarake dhe pragmatizëm në përfitimin e masave (siç është rasti me njohjen e Krishterimit) – qyteti antik Bizantion ishte i ngritur në ngushticën e Bosforit, i rrethuar nga deti dhe Briri/Kepi i Artë. Kishte kushte të favorshme për t’i rezistuar stuhive të pushtimeve. Andaj, dhe jo rastësisht, ky qytet i fortifikuar nga ana e Kostandinit i qëndroi rrethimeve të shumta që ia bënë ushtritë e dinastive arabe dhe ato të sulltanëve osmanë. Qëndroi i palëkundur deri në shpikjen e teknologjisë së re, siç ishte topi, që arriti të demolonte muret mbrojtëse më 1453.
Zaptimit të Kostandinopojës ia kishin mësyrë latinët (të krishterët e Perëndimit), arabët, hungarezët, serbët, peçenekët, fiset turke etj. Mirëpo, zaptimi i parë u realizua nga kryqtarët latinë më 13 prill 1204. Sipas N. Akominatit, “qyteti i lavdisë tashmë ishte veçse dëshpërim, lot, britma dhe rënkime”. Ky mllef i shprehur në dhunë erdhi si rezultat i luftës sektare mes dy qendrave romake (atë Lindjes dhe Perëndimit) të ndara në sekte fetare. Ndërsa, zaptimi i dytë ishte ai vitit 1453, kur osmanët e udhëhequr nga Sulltan Mehmeti II e nënshtruan njëherë e përgjithmonë.
Biografët e Mehmetit II konstatojnë se sulltani ishte po aq strateg sa edhe ndërtuesi (Kostandini). Ky kishte bërë gjithë studimin mbi përparësitë që kishte qyteti perandorak. Dhe, mbi këto gjetje bëri edhe planin e zaptimit. Fillimisht ndërtoi fortifikatën e Rumeli Hisarit (10 milje në veri të qytetit, në anën evropiane të Bosforit), ku merr nën kontroll rrugët detare në drejtim të Detit të Zi dhe siguroi rrugën për depërtimin e trupave osmane nga Anadolli për në Evropë (janar-gusht 1452). Menjëherë pas mbarimit të punimeve të fortifikatës, Mehmeti i kërkoi qytetit të dorëzohej, përndryshe do të përballej me rrethim dhe ngujim të plotë. Më pas u kthye në kryeqytetin osman (Edrene) dhe filloi të bëjë hulumtime rreth shpikjes së teknologjisë për demolimin e mureve shekullore e të pathyeshme të ndërtuara nga perandori Teodosi II. Me këtë çështje e angazhoi mjeshtrin e madh me prejardhje hungareze, Urbanin, dhe, krejt në fund, pasi i bëri përgatitjet për marshim drejt qytetit, ripërtëriu Marrëveshjen Paqësore me shtetin detar të Venedikut dhe nënshkroi një akt paqeje edhe me hungarezët. Me 23 mars 1453, ditë e premte, ushtria osmane marshoi drejt Kostandinopojës. Sulltan Mehmetit, iu deshën plotë 54 ditë rrethim dhe luftë për ta thyer mbrojtjen dhe për ta zaptuar qytetin perandorak i cili mbrohej nga vetë perandori bizantin, Kostandini XI.
Përçarjet sektare ishin evidente që nga koha e ndarjes së kishave por, në vitin 1439, perandori bizantin, në këmbim të ndihmës që do t’i ofronte Roma, pranoi nënshtrimin ndaj këtyre të fundit duke u premtuar bashkimin e kishave katolike dhe ortodokse. Patriku në i Kostandinopojës dhe pasuesit/besimtarët e tij reaguan ashpër karshi këtij vendimi, të cilën e quanin si përulje deri në poshtërim ndaj kishës së Romës. Megjithatë, kjo nuk do ta pengonte patrikun Georgios Skolarios që t’i printe rreth 30 mijë pasuesve të tij në mbrojtjen e qytetit bashkë me një formacion të vogël të krishterëve katolikë të ardhur nga Napoli, sipas marrëveshjes për bashkimin e kishave. Njëri nga formacionet ushtarake të ardhura nga Perëndimi, që luajti rolë kyç në mbrojtjen e qytetit, ishte ai Giovanni Giustiniani Longos, i cili së bashku me 700 luftëtarë profesionistë kishte ardhur qysh në janar të vitit 1453 dhe ishte njëri nga hartuesit e të gjitha strategjive të mbrojtjes.
Numri i luftëtarëve profesionalë nga ana e Bizantit arrinte shifrën rreth 9-10 mijë. Ndërsa, brenda mureve qëndronin të armatosur edhe 30 mijë besimtarët e patrikut, si dhe një formacion prej 100 vetash të udhëhequr nga Orhan Çelebiu, një princ osman, i cili ishte strehuar tek Bizanti. Ndërsa, ushtria profesionale e sulltanit kishte rreth 70 mijë veta. Vlen të theksohet se sulltanit i kishin ardhur në ndihmë edhe formacione ushtarake dhe profesionale nga popuj e zonave të Anadollit dhe Rumelisë (Ballkanit të sotëm) të cilët ishin nën vasalitetin osman. P. sh. sunduesi i hapësirës së Kosovës së sotme kishte dërguar 1500 minatorë të cilët kontribuuan në hapjen e tuneleve nën muret e qytetit.
Më datën 6 prill 1453, Kostandinopoja do të përballet me sulmin e parë dhe ndër më të fuqishmit që kishte përjetuar ndonjëherë. Për herë të parë sulltani përdori topin e konstruktuar nga mjeshtri i madh hungarez, Urban. Kjo teknologji e re, përveç shkatërrimeve në mure, u bë edhe shkak i një paniku dhe i humbjes së moralit tek mbrojtësit, në veçanti tek vullnetarët që vinin nga popullata e thjeshtë. Më pas, me datën 11, u përdoren bateri të ndryshme të topave luftarakë. Ndërsa, më 18 prill, ushtritë osmane marshuan drejt qytetit, nga të katër anët. Mbrojtja arriti që të jetë e suksesshme karshi këtij sulmi. Ky dështim bëri që të bie morali tek ushtria osmane. Ndërsa, nëntë ditë më vonë, respektivisht me 20 prill 1453, tri anije luftarake xhenoveze dhe një bizantine arritën që t’i thyejnë forcat osmane te Briri i Artë dhe ta furnizojnë qytetin me ushqime.
Ky dështim i forcave osmane bëri që krahu i burokratëve osmanë, të udhëhequr nga kryeveziri, Çandarli Halil Pasha, të kërkonin edhe njëherë tërheqjen nga synimi për ta nënshtruar Kostandinopojën. Në këto momente, kur sulltani duhej të merrte vendimin e vështirë, të vazhdimit ose të tërheqjes, një mbështetje morale i vjen nga dijetari islam i kohës dhe mësuesi i tij personal, Akshemsetini. Padishahut të vetmuar ai ia shkruan një letër që është ruajtur deri në ditët e sotme. Në këtë letër, që për referencë kishte ajete kuranore dhe histori të lavdishme të myslimanëve, kërkonte që të dënoheshin të gjithë ata që nuk e bënin luftën me nderë, si dhe të zëvendësoheshin me të duhurit. Krejt në fund të letrës i shkruante se, për ta kaluar mërzinë që ndiente nga dështimi i sulmit, kishte lexuar pjesë nga libri i shenjtë, Kurani, më pas kishte rënë për të fjetur. Në ëndërr i ishin dëftuar disa sihariqe, gjë që i bënte me dije sulltanit se kjo ëndërr ishte shenjë se qyteti i përmendur edhe në thënien e pejgamberit Muhammed – “më i bekuari komandant dhe më e bekuara ushtri është ajo që do ta çlirojë Kostandinopojën” – do të binte. Krejt në fund të letrës, në mënyrë urdhërore i kërkonte që të vazhdojë sipas planeve.
Pas kësaj, Mehmeti, me qëllim të rritjes së moralit tek skeptikët, vendosi që nga toka të transportojë 60 anije mbi kodrat e Gallatës për në Haliç (Bririn e Artë). Kjo lëvizje bëri që suksesi Bizantin i datës 20 prill, të shndërrohet në panik dhe frikë. Megjithatë, zgjatja e rrethimit dhe qëndrimi në vend e favorizonte krahun opozitar të burokratëve osmanë të cilët vazhdonin me sabotime. Kësaj radhe këta do ta shfrytëzojnë edhe vizitën kërcënuese të përfaqësuesit hungarezë, i cili kishte ardhur në shtabin e luftës për të kumtuar lajmin se, në rast të mos tërheqjes nga rrethimi, një ushtri e krishterë do të marshojë drejt Kostandinopojë. Edhe pse ky kërcënim nuk është marrë parasysh, bizantinët arritën që brenda ushtrisë të përhapin lajmin se ushtria e krishterë tanimë kishte marrë rrugën drejt Rumelisë.
Në këto momente kritike për sulltanin, i cili akuzohej se po shpenzonte fuqinë ushtarake dhe ekonomike të shtetit për teke të veta, në mbështetje do t’i del Zaganos (Zognos) Pasha (burimet italiane dëftojnë se është me prejardhje shqiptare dhe ky pohim mbështetet edhe nga Halil Inalciku që thotë se ishte nga Vushtrria) dhe kështu sulltani kërkoi nga pashai (shqiptar) që të hartojë planin për sulmin përfundimtar. Kështu u mor vendimi që sulmi të bëhet me datën 29 maj.
Ky sulm e bëri realitet ëndrrën e Mehmetit II për të marrë qytetin e njërit prej perandorëve më në zë të Romës. Me nënshtrimin e qytetit, heroikisht ra edhe perandori i Bizantintit, Kostandini XI. Rënia e perandorit bëri që nga këtu e tutje Mehmeti II të marr epitetin “Fatih” (Ngadhënjimtari) dhe kjo si rezultat i marrjes së kurorës së Bizantit, si dhe shndërrimit në xhami të kishës kryesore të krishterimit lindor, Aja Sofia. Akti i shndërrimit të kishës kryesore në xhami ishte dhe simbolik – i ngadhënjimit të islamit karshi krishterimit, meqë shënon edhe fundin e Perandorisë Romake të Lindjes.
Sulltani Mehmeti II konsiderohet si një ndër burrështetasit më të mëdhenj në histori dhe më i dalluari nga ata myslimanë. Nga përbërja e literaturës që është gjetur në bibliotekën personale të tij, nënkuptohet se ishte njohës i shkëlqyeshëm gjuhëve të vjetra, kishte lexuar vepra nga historia e pejgamberëve, Leka i Madh, histori të perandorëve, filozofi dhe shkenca natyrore, dhe s’do mend se kishte studiuar mirë qëllimin dhe vizionin e Kostandinit në raport me rindërtimin e qytetit perandorak. Kështu, sulltani nuk e shkatërroi qytetin, siç bënë latinët më 1204. Përkundrazi, u përkujdes që ta ruajë edhe me ligj. Andaj, jo rastësisht ky qytet vetëm se u bë edhe më kozmopolit seç ishte. Nuk u përjashtua asnjë popull (pa dallim racore, e fetare) për të qenë pjesë e tregtisë dhe dinamikës së Stambollit. Mjafton të kujtohen emërtimet e profesioneve me emrin arnavut/shqiptar – sikur vije fjala me arnavut kalldrëmi, arnavut cigeri, arnavut çullamasi etj. (morën emërtimet arnavut/shqiptar, ngase ishin profesione dhe ushqime me të cilat identifikoheshin shqiptarët) etj.
Siç edhe na bëjnë me dije të gjitha burimet e kohës, pasi që sulltan hyri në qytet, sipas praktikës së kohës lejoi plaçkën për tre ditë (por jo edhe demolimin); banorëve ua premtoi të drejtën e jetëve dhe të ushtrimit të besimit të mëparshëm. Si qendër të Patriarkanës e caktoi Kishën e Apostujve por, më vonë, më 1455, patriku Gennadius kërkoi që të kalojë në Manastirin Pamakaristos. Meqë Kisha e Apostujve mbeti e boshatisur, në vitin 1490 myslimanët kërkojnë që ta shndërrojnë në xhami. Por, fakti se këto manastire dhe kisha nuk ishin të zakonshme për nga shenjtërimi, nuk ishte aprovuar kërkesa e tillë.
Megjithëkëtë, çështja e kishave dhe manastireve merr kah tjetër në kohën e sundimit të Selimit të Parë (1512-1520). Kësaj here, kjo çështje u ngrit nga fanatikët myslimanë të cilët, të ndikuar nga luftërat osmane-safavide, kërkonin mbylljen e manastireve aktive në Stamboll. Për këtë çështje u kërkua nga patriku Theolepti i Parë që të dëshmojë me dekret (berat) të drejtat që Sulltan Mehmeti II ia kishte njohur mbi kisha dhe manastire. Patriku konstatoi se këto berate mund të jenë djegur dhe propozoi që të merren parasysh deklaratat e disa ushtarëve të gjallë që kishin qenë pjesë e luftimeve në Stamboll. Pas këtyre deklaratave të dëshmitarëve, edhe kësaj here u ruajt statuti i objekteve të kultit.
Debati mbi Manastirin Pamakaristos ringritet edhe në kohën e Sylejmanit të Parë (1520-1566) . Kësaj here u krijuan dyshime në raport me atë se si e ka marrë Fatihu, Stambollin – me luftë apo me marrëveshje paqeje? Kështu, çështja merr edhe një dimension juridik saqë u lëshua edhe një Fetfa/mendim i Shejhulislamit/Dijetarit më të madh të kohës, Ebu Suud Efendiu, i cili njihet edhe për përpilimin e gjithë legjislacionit osman.
Pyetja e cila kërkonte mendimin e Shejhulislamit ishte: “Sulltan Mehmeti, qytetin e Stambollit, bashkë me fshatrat përreth, a i mori me luftë”? Përgjigja ishte: “Zonat e përmendura janë marrë me luftë, mirëpo ekzistenca e kishave të vjetra nënkupton se (kjo zonë ku gjenden kisha/mansatire) është dorëzuar në paqe”. Kështu, u shuan zërat kritik që kërkonin mbylljen e kishave dhe manastireve në Stambollin e shekullit XVI.
Megjithë debatin pro dhe kundër të zhvilluar ndër shekuj, studimet e detajuara moderne të bazuara në argumente të shkruara dhe ato në terren, dëshmojnë faktin se Stambolli ra në duart e osmanëve pas një lufte të gjatë dhe se nuk kemi të bëjmë me ndonjë marrëveshje paqësore. Mendimi i dijetarit islam ishte në përputhje me të drejtën e juridiksinonit islam për bashkëjetesë ndërfetare, përderisa jomyslymanët respektonin të drejtat dhe ligjet e caktuara në kanunamet e bazuara në Sheriat. Në anën tjetër, ekzistenca e aktivitetit të kishave dhe manastireve në kohën e Sulltan Mehmetit II, po ashtu dëshmon edhe vizionin e Sulltanit për të ruajtur harmoninë fetare në qytetin i cili do të jetë kryeqendër e osmanëve plot 470 vjet dhe për 407 vjet qendër e Kalifatit (Hilafetit) Islam. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme