Site icon Telegrafi

Rënia e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës – Njëri i akuzuar dënohet me 3 vite burgim e 5 mijë euro gjobë, tjetri me 2 vite burgim

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ylber Jasharit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj Bekim Baftijarajt i akuzuar për punime ndërtimore të kundërligjshme, lidhur me rastin e shembjes së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare.

Jashari u dënua me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse Baftijaraj u dënua me 2 vite burgim.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Gëzim Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i pandehuri Jashari për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” u dënua me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse i pandehuri Baftijaraj për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”, u dënua me 2 vite burgim.

Të njëjtit obligohen që të paguajnë edhe kompensimin e buxhetit të shtetit në vlerën e dëmit të shkaktuar prej 36 mijë e 450 euro e 29 centë.

Dy të akuzuarit obligohen të paguajnë nga 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave.

Shembja e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, aprovohet marrëveshja për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve.

 

Exit mobile version