Nga: Agron Islami*
Shteti osman ne gjirin e vete përfshinte elemente heterogjene, të cilat nuk përpiqej t’i shkrinte në një të vetme.[1] Territoret e sunduara nga osmanët shquheshin për popuj, kultura e besime të ndryshme. Ata ishin turq, arabë, persë, ciganë, grekë, serbë, shqiptarë etj. dhe kishin besime nga më të ndryshmet.[2]
Edhe pse Sulltani për nga etnia ishte me prejardhje turke dhe gjuha zyrtare e shtetit ishte osmanishtja, personeli i lartë i ushtrisë dhe administratës ishte nga më kozmopolitet,[3] pasi që në vete bartte personalitete me etni të ndryshme të cilët me kontributet e tyre udhëheqëse dhe rolin e madh në drejtimin e shtetit osman prej Kryeveziri (Sadraazam), Veziri, Serdari, Valiu dhe pozita tjera të rëndësishme, më pas do të bëhen të pashlyeshëm për historinë e këtij shteti dhe vendeve të gjenezës së tyre.
Duke qenë se shqiptarët, qysh nga periudha e hershme e shtetit osman, madje edhe para pushtimit të Kostandinopojës ishin bërë pjesë e këtij sistemi nëpërmjet sistemit të Devshirmes, nga gjysma e shekullit XV ata do t’i gjejmë në pozita tё larta udhëheqëse në këtë shtet. Ndër shqiptarët e parë që prekën majën e mundshme në administratën osmane ishin Gedik Ahmet Pasha (1474-78), Davut Pasha (1482-97), Ahmet Pashë Dukagjini (Dukaginoglu Ahmet Pasha) (1515-16), Ajas Mehmet Pasha (1536-1541), Lutfi Pasha (1539-41), Kara Ahmet Pasha (1533-55), Semiz Ahmet Pasha (1579-1580), Koca Sinan Pasha (1580-82), Ferhat Pasha (1595-95) etj.
Personalitetet shqiptare të dala nga Devshirmeja i gjejmë aktivë edhe gjatë shekullit XVII, madje disa prej tyre historia do t’i njohë si shpëtuesit e shtetit te shthurur osman. Pa dyshim, kur e bëjmë renditjen e këtyre udhëheqësve, disa nga ta me sukseset dhe rolin e tyre në udhëheqjen osmane dalin më shumë në pah se të tjerët, siç është rasti me familjen e Qyprylynjve me prejardhje nga Berati, të cilët plotë gjysmë shekulli jo vetëm që udhëhoqën shtetin osman, por edhe u futen në historinë osmane me emrin e familjes së tyre. Respektivisht, kjo periudhë u njohë si “Epoka e Qyprylynjëve” (Köprülüler Devri)[4], gjë që është njëri nga rastet e vetme pas sundimit të familjes së Çandarlinjëve gjatë themelimit të shtetit osman deri në periudhën e Sulltan Mehmetit të Parë.[5]
Roli i udhëheqësve shqiptarë gjatë shekullit XVII
Është me rëndësi të theksohet se rrethanat politike të shtetit osman dallojnë nga periudha në periudhë dhe këto periudha lidhen direkt me sulltanët të cilët sundonin, andaj edhe kompetencat e udhëheqësve të shtetit osman ishin te lidhura ngushtë me politikën udhëheqëse të sulltanit të kohës. Në këtë rast mund të marrim shembull sulltanët e shekujve XV dhe XVI, të cilët falë respektimit dhe aplikimit të kanuneve apo ligjeve të cilat ishin hartuar për vite me radhë nga ana e sulltanëve të fuqishëm, siç ishte periudha e Mehmetit të Dytë – Fatihut dhe Sylejmanit të Parë i njohur edhe si Ligjvënësi, ia dolën që të mbajnë një stabilitet të fuqishëm politikë brenda sistemit të shtetit, periudhë kjo në të cilën kemi një pushtet absolut të Sulltanit dhe si rezultat në vazhdimësi kemi zgjerime të territoreve osman.
Ndërsa, në shekullin XVII, madje edhe më herët, në fronin osman vinin figura pa përvojë udhëheqëse të cilët për shkak të moshës së re nuk kishin pasur rastin të shërbenin si Sanxhakbej në provincat e Anadollit, ashtu siç ishte traditë e sulltanëve të mëparshëm. Dhe, si rezultat i moshës tepër të njomë[6] ishin të paaftë për të udhëhequr shtetin, që për pasojë përgjegjësia e marrjes së vendimeve në emër të sulltanit mbeti në duart e nënave të tyre të cilat ishin në pozitën e Valide Sulltaneshave që vepronin nën ndikimin e personelit të Haremit, respektivisht agallarëve të haremit tё cilët në një farë mënyre ishin edhe këshilltarët e tyre. Ndikimi më i madh i pjesëtarëve të Haremit në vendimin e sulltaneshave ishte evident sidomos në emërimin e funksionarëve të lartë të shtetit, duke mos u përjashtuar as posti më i lartë i mundshëm i Kryevezirit apo Sadraazamit të cilët emëroheshin mbi baza klanore dhe miqësish.[7]
Andaj shekulli për të cilin po flasim në historinë e shtetit osman njihet si periudhë e dekadencës dhe përçarjes (Tagayyur ve Fesad devri)[8] e cila kishte ardhur si rezultat i shumë faktorëve, me theks të veçantë shtylla e administratës ishte degraduar ne atë masë sa që korrupsioni ishte bërë veti e shtetit që udhëhiqej nga ligjet e Sheriatit dhe traditës turke. Pikërisht para një gjendje të tillë – ku rrezikohej Stambolli nga Republika e Venedikut e cila kishte bllokuar grykën në Dardanele dhe kishte pushtuar ishujt Lemnos (Limni) dhe Tenedos (Bozcaada); humbjes së ushtrisë osmane në Betejen e Lepantos karshi ushtrisë së krishterë; sikur edhe hapjes së një fronti të ri në Hungari nga ana e Habsburgëve[9] – u ndje nevoja për gjetjen dhe emërimin e një Kryeveziri të fuqishëm i cili do të mund ta rikthente qetësinë dhe rregullin brenda shtetit, që njëherësh do të ishte edhe shpëtimtari i shtetit osman.
Një kuadër i tillë u gjet vetëm në vitin 1656, kur me propozimin e Kasim Agasë në postin e kryeministrit u emërua Qypryly Mehmet Pasha me prejardhje nga fshati Rudnik i Beratit. Kasëm Agaja kishte qenë pjesëmarrës në disa takime ku ishin diskutuar temat mbi gjendjen e rëndë të shtetit dhe mundësitë e daljes nga kjo gjendje. Ai besonte në vizionin dhe personalitetin e Qypryly Mehmet Pashës, saqë për disa herë e kishte propozuar tek Valide Sulltanesha që ta emërojë në postin e Kryevezirit, por që për shkak të intrigave të burokratëve osman ishte anashkaluar nga Sulltanesha deri më 1656.[10] Edhe pse Qypryli Mehmet Pasha deri atëherë nuk ishte shumë i njohur për burokracinë osmane dhe vetë sulltaneshën,[11] pasi që në periudha shumë të shkurtra ishte gjendur në pozita shtetërore, falë besueshmërisë së Valide Sulltaneshës ndaj Kasim Agasë[12] u vendos që pozita e Kryevezirit t’i jepet Mehmet Pashë Qypryliut.[13]
Vizioni i Mehmet Pashë Qypryliut shihet në kërkesat e tij ndaj Sulltaneshës gjatë pranimit të detyrës. Ai, me rastin e emërimit për Kryevezir, kërkoi që të ketë kompetencën e plotë në emërimin dhe shkarkimin e personelit, të përkrahet në luftimin e marrje-dhënies së ryshfetit, dhe kërkesa e fundit ishte që të mos merren parasysh akuzat dhe shpifjet e oponentëve.[14] Madje, gjatë takimit me Sulltaneshën premtoi se nëse do të merren parasysh kërkesat e lartcekura, do të jetë e mundur që të realizohen qëllimet e vizionit të tij për rikthimin e dinjitetit të shtetit brenda dhe jashtë.[15]
Qypryly Mehmet Pasha, kur erdhi në postin e Kryevezirit, ishte në një moshë shumë të shtyrë (72 vjeç) dhe me një përvojë kryesisht të shkurtër në pozita shtetërore. Me sukseset e tij të treguara në një periudhë të përzier nga brenda dhe jashtë, vërtetoi mendimin e mirë të Kasëm Agasë që ushqente për udhëheqjen e tij.[16] Ai, gjatë sundimit të shkurtër pesëvjeçare, zhbllokoi Dardanelet apo grykën e Çanakkales nga zaptimi i Republikës së Venedikut. Në kuadër të kësaj ekspedite rimori ishujt Lemnos (Limni) dhe Tenedos (Bozcaada). Qypryly Mehmet Pasha zgjidhi edhe çështjen e Transilvanisë, sikur që shtypi edhe kryengritjet e korpusit të spahinjve dhe jeniçerëve.[17] Roli më i madh i Qypryly Mehmet Pashës ishte rikthimi i autoritetit politik nga Haremi tek saraji i Kryevezirit.[18]
Edhe pas vdekjes së tij më 1661, postin e Kryevezirit osman e trashëgoi i biri Qypryly Fazëll Ahmet Pasha, i cili po sikur babai i tij tregoi suksese në udhëheqjen e shtetit osman nga posti i Kryevezirit. Gjatë periudhës së tij u pushtua Heraklioni (Kandiye, 1669), po ashtu u plotësua edhe pushtimi i Kretës (Girit) më 1669. Fazëll Ahmet Pasha nga viti 1672 doli në ekspeditë për marrjen e Podolias në Ukrainë, të cilën arriti ta pushtojë vetëm në vitin 1676 dhe si rezultat i kësaj kemi zgjerimin më të madh të mundshëm të territorit osman.[19]
Duhet theksuar se sukseset e Mehmet Pashës dhe pasuesit të tij Fazëll Ahmet Pashës fuqizuan emrin e Familjes së Qyprylynjëve, saqë pas vdekjes së Fazëll Ahmetit kohë pas kohe në postin e Kryevezirit erdhën edhe shumë pjesëtarë të kësaj familje. Ashtu si Fazëll Mustafa Pasha, i cili ra në Betejën e Salankamenit më 1692, po ashtu nga kjo familje në krye të shtetit osman ishin edhe Kara Mustafa Pasha i cili ishte dhëndër i Mehmet Pashë Qypryliut, më pas Amxhazade Hysejn Pasha i cili njihet për rolin mbikëqyrës në negociatat e Marrëveshjes së Karloviçit (1699).[20]
Rënia e Abdurrahman Abdi Pashë Shqiptarit (1686)
Ndryshe prej Qyprylynjëve të cilët treguan sukseset në pozitën më të lartë të Sulltanatit osman, një shqiptarë tjetër nga Peqini hyri në historinë osmane nga pozita e ushtarakut të suksesshëm. Edhe ky, sikur shumica e ushtarakëve, kishte kaluar nëpër Sistemin e Jeniçerit për t’u graduar në pozitën e komandantit të jeniçerëve (Yeniçer ağası) më 1669[21]. U tregua shumë i zoti në ekspeditën e Ukrainës[22] dhe si shpërblim, më 28 qershor të vitit 1674, u emërua Bejlerbej i Bagdadit. Pas pesë vjetëve, respektivisht nga prilli i vitit 1679, u emërua Vali në Exhipt.[23] Abdurrahman Abdi Pasha nga qershori i vitit 1681 e deri më 1686 ushtroi detyrën e Valiut në Bosnje (1681), Muhafizit në Kameniçe të Ukrainës, për t’u emëruar Vali i Budinit më 1686 ku edhe ra në betejën e fundit të Budinit.[24]
Abdurrahman Abdi Pasha gjatë periudhës sa ishte Muhafiz i Kamenicës së Ukrainës (1682), kishte thyer forcat polake duke marrë edhe shumë robër lufte dhe vetëm një vit më vonë u emërua Vali i Budinit në vend të Melek Ibrahim Pashës.[25]
Me 18 qershor 1686, një ushtri prej 90 mijë vetash e udhëhequr nga Duka Lorraine (Lotheringen) marshuan drejtë Budinit, i cili mbrohej me vetëm gjashtë mijë ushtarë osman (sipas disa burimeve 16 mijë)[26] të udhëhequr nga Abdurrahman Abdi Pasha, i cili para rrethimit të Budinit nga austriakët kishte liruar një numër të konsiderueshëm të timariotëve që shërbenin në ushtrinë osmane, andaj edhe ishte kapur i papërgatitur nga ushtria e armikut.[27] Sipas Hammerit, ushtria e Aleancës përbëhej pothuajse prej gjitha kombeve evropiane dhe i ngjante ushtrisë së krishtere të para 190 viteve ne Nikopolis (Nigbolu, 1396) kundër Bejazitit të Parë.[28]
Rrethimi i kalasë ishte i vështirë edhe për ushtrinë e madhe të armikut, ku mbrojtësit osman armikut i shkaktuan humbje të konsiderueshme në njerëz. Përkundër kësaj, ushtria e armikut edhe në numër edhe në logjistikë ishte më e përgatitur dhe për rezultat Abdurrahman Abdi Pasha e gjeti veten të rrethuar nga të gjitha anët. Austriakët që kishin stacionuar mbi 15 topa në Peshtë, në vazhdimësi goditnin muret e kalasë dhe me datën 16 korrik nga topat e ushtrisë së aleancës u qëllua kantieri detar i Budinit, me ç’rast shpërthyen më se 36 stoqe baruti, ku pati humbje të konsiderueshme në njerëz nga ushtria osmane (sipas disa burimeve katër mijë ushtarë) dhe një pjesë e murit të kalasë u shkatërrua.[29] Menjëherë pas kësaj ngjarje, Duka Lorraine ia kërkoi Abdurrahman Pashës dorëzimin e Budinit, duke i premtuar edhe lirimin e ushtarëve mbrojtës, por Pashai refuzoi kërkesën e Dukës.[30] Më 27 korrik u zhvillua beteja e përgjakshme në hyrjen e quajtur Beç të kalasë së Budinit ku humbjet ishin të mëdha nga dy palët[31]
Menjëherë pas përleshjes së parë, Abdurrahman Abdi Pasha kishte kërkuar ndihmë nga Serdari, nga Sylejman Pasha i cili ndodhej në Beograd. Mirëpo, gjatë ardhjes, ushtria e Sylejman Pashës kishte hasur në pritën e ushtrisë së armikut dhe pas humbjeve të afro 300 ushtarëve ishte tërhequr.[32]
Kjo betejë ishte përcjell me shumë shqetësim nga vetë Sulltani, i cili në vazhdimësi dërgonte shkresa zyrtare (hatt-ı Hümâyûn), ku i përkujtohej mbrojtësve të Budinit se Budini është njëra nga pikat më të rëndësishme të shtetit dhe se mbrojtja e tij është detyrë fetare dhe më e rëndësishme se vetë jetët e ushtarëve mbrojtës. Abdurrahman Abdi Pasha qëndruan stoikisht për 78 ditë të rrethuar dhe nën breshërinë e topave austriakë. Pas shembjes së mureve, ushtria e armikut u futë brenda kalasë. Abdurrahman Abdi Pashë Shqiptari së bashku me ushtarë ranë në mbrojtje të Budinit më 2 shtator gusht 1686.[33]
Hungarezët për vite të tëra nuk e harruan trimërinë e Abdurrahman Pashë Shqiptarit, saqë shumë vjet pas betejës në fjalë e nderuan armikun e tyre me një epitaf të veçantë në të cilin shkruan: ”Këtu pushon armiku trim, Abdurrahman Abdi Pashë Shqiptari, guvernatori i fundit pas pushtimit 145 vjeçar, i cili ra në me 2 shtator 1686, në moshën 70 vjeçare”.
Në vend të përfundimit mund të thuhet se shekulli i XVII ishte periudha më kritike e shtetit osman. Periudhë kur autoriteti i sulltanëve klasikë kishte kaluar në kontrollin e Haremit, përkatësisht Valide Sulltaneshave dhe agallarëve të Haremit, që për pasoj edhe fuqia e Kryevezirit, si pozita më e lartë e shtetit dhe përfaqësues i Sulltanit ishte zbehur në atë masë sa që të gjitha tentativat për reforma në sistem, rezultuan të pasuksesshme falë intrigave të Haremit. Kjo gjendje në shtet solli një krizë socioekonomike e cila u përcoll me humbjen e vlerës së valutës osmane (akça), ndërrimin e shumë kryevezirëve dhe katër sulltanëve për një periudhë të shkurtër. Shembujt e Qyprylinjëve dhe Abdurrahman Abdi Pashë Shqiptarit dhe shumë personaliteteve tjera të shekullit XVII dhe më pas, janë treguesi më i mirë i rolit të madh të shqiptarëve në udhëheqjen e shtetit osman nga pozitat e larta shtetërore, pozita nga të cilat me kontributet e tyre zgjaten jetën e shtetit të lartë osman. /Telegrafi/
* Ky punim është lexuar në Simpoziumin e Dytë Ndërkombëtarm Armiku Trim, Kahraman Düşman, Abdurrahman Abdi Pasha, Guvernatori i fundit osman i Hungarisë (fundin e shekullit XVII), organizuar nga Alsar, Tiranë 28 janar 2016.
___________
[1] Halil Inalcik, “Arnavutluk’ta osmanlı Hakimiyetinin Yerleşmesi ve İskender Bey İsyanının Menşei” Fatih ve İstanbul, nr.1, İstanbul 1953, f. 158.
[2] Zhil Veinshtein, “Perandoria ne Madhështin e saj, (Editor) R. Mantrana; Historia e Perandorisë Osmane. Tiranë 2004.
[3] Zhil Veinshtein, po aty, f.162.
[4] Mehmet Toprak, “Sadrazam”, TDV Islam Ansiklopedisi, istanbul 1998, f, 415.
[5] Munir Aktepe, “Çandarli”, TDV Islam Ansiklopedisi, Istanbul 1993, f.209.
[6] Shënim: Sikur ishte rasti me Sulltan Ahmedin e Parë i cili ishte vetëm 13 vjeç, Murati i Katërt ishte vetëm 11 vjeç dhe Mustafa i Parë me të meta psikike.
[7] Salih Budakoğlu, Köprüleler Devri, İstanbul 1988, f.4.
[8] Halil Inalcik, Devlet-i Aliyye, osmanli Imaparatorluğu üzerinde araştırmalar, Vëll. II, Istanbul 2015, f.4.
[9] Robert Mantrana,“Shteti osman ne Shek. XVII: Qendrueshmeri apo e Tatpejete?”, (Editor) R.Mantrana; Historia e Perandorisë osman. Tiranë 2004. f.238-242.
[10] Salih Budakoğlu, po aty, f.4.
[11] Po aty, f.5.
[12] Uzunçarşılı I. Hakkı, osmanlı Tarihi, vëll. 2, f.302.
[13] Skender Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, Prishtinë 1982, f. 291.
[14] H. Inalcik, f. 343-346
[15] Po aty. 345
[16] Salih Budakoglu, po aty, f.5.
[17] Halil Inalcik, Devlet-i Aliyye, osmanli Imaparatorluğu üzerinde araştırmalar, Vëll. II, Istanbul 2015, f.29.
[18]Po aty, f. 62
[19] Suraiya Faroqhi” Krizler ve Değişim”, H. İnalcık&Donald Quataert (Editor), osmanli İmparatorluğ’nun Ekonomik ve Sosyal Tarihi, Istanbul 2006, f.551.
[20] Po aty, f. 552.
[21] Mehmed Süreyyâ Bey. Sicil-i Osmânî, Süleyman Şevket’in hâşiyeli nüshası, Ktp.nr.688/4. Përg. Seyyit Ali Kahraman, Istanbul 1994, vëll. III, f. 316.
[22] Josef Matuz, Wesir Abdurrahman Abdi Pascha, der letyte Ofner Beglerbeg (Versuch einer Vita), Acta Historica Scientiarum 33 , Budapest 1987, f. 346.
[23] Mehmed Sureyya, po aty.
[24]Po aty.
[25] Abdulkader Ozcan, ‘’Macarların Kahraman Düşmanı son Budin Valisi Abdurrahman Abdi Paşa”, FSM Ilmi Arastirmalar-Insan ve Toplum Bilimler Dergisi, Istanbul 2015, f. 442.
[26] Yilmaz Oztuna, osmanli Devleti Tarihi. Vell. I, Istanbul 2004, f. 353.
[27]Abdulkader Ozcan, po aty.
[28]Joseph Von Hammer, Büyük osmanlı Tarihi, Istanbul 1992, vëll. XII, f.119.
[29] Yilmaz Oztuna, po aty.
[30] Abdulkadir ozcan, po aty, f. 445.
[31] Yilmaz oztuna, po aty, f. 354.
[32] Po aty.
[33] Abdulkadir ozcan, po aty.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme