LAJMI I FUNDIT:

Rëndësia e marketingut digjital në agjenci – flasin ekspertët e fushës

Në Javën Globale të Ndërmarrësisë në hapësirat e Hapite (Hallakate, Pixels dhe Telegrafi.com) ekspertë të marketingut digjital në Kosovë janë duke diskutuar lidhur me rëndësinë e kësaj fushe me rastin e hapjes së “HaPiTe”, hapësirë ku prodhohet kreativiteti.

Valon Canhasi, drejtor i kompanisë Hallakate tha se kur ka filluar me kompaninë në vitin 2016 ka pasur mungesë të stafit dhe nuk ka gjetur njerëz kompetentë për media sociale.

“Në 2016 kur unë e kam filluar ka pasur mungesë të stafit. Kur kam kërkuar nuk kam gjetur njerëz kompetentë për media sociale. Kur e kam filluar njerëzit me kane thanë që është çështje fëmijërore. Vitet e para kanë qenë tepër sfiduese”, tha Canhasi.

Valon Canhasi, drejtor i kompanisë “Hallakate” /Foto: Ridvan Slivova

Ai më tej shtoi se në fillimet e punës ka qenë vështirë me e gjet një ‘Account menager”, por sipas tij bizneset kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e rrjeteve sociale.

“Bizneset kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e rrjeteve sociale sepse kanë ndryshuar gjërat. Kjo sepse tash ne mbajmë trajnime dhe i njoftojmë njerëzit…”, tha Canhasi.

Ndërsa, lidhur me përvojën e tij ka folur edhe Benjamin Kolenoviq, drejtor në kompaninë Growzillas.

Benjamin Kolenoviq, drejtor në kompaninë “Growzillas” /Foto: Ridvan Slivova

“Ne për dallim nga këta i bëjmë të gjitha shërbimet. Unë e kam përdor tregun e Kosovës për t’i ofruar shërbimet për rrjetet sociale. Kemi dashtë me fuqizu tregun vendor më së pari. Ne po provojmë ekipin sepse po kanë më shumë kohë për të menduar ide më kreative sepse shumicën e punëve tek ne po i kryejnë robotët. Varet prej strategjisë që përdor biznesi për të mbijetuar në tri vitet e para sepse është shumë vështirë”, tha ai.

Ndërkaq, për punën në kompaninë “Manaferra”, ka folur drejtori i kësaj kompanie Faton Sopa.

“Gabimi jonë është qe kemi investuar shumë brenda kompanisë për rritje të kualitetit të brendshëm… e kemi bërë për një kohë të gjatë. Kjo ma ka ‘demolu’ sepse nuk kemi shikuar jashtë kompanisë. Duhet me gabu që më kuptu që ka njerëz që kryejnë punët të cilët t’i ke menduar që mundesh me i bë vetë. Unë paguaj një person në komunitet për 4 orë në muaj që punon, e paguaj 700 dollarë… E mira jonë është që i kemi ndihmu njëri tjetrit”, tha ai.

Faton Sopa, drejtor i kompanisë “Manaferra” /Foto: Rdivan Slivova

Gentian Lluka, drejtor i Telegrafi.com tha se Kosova ka mungesë të investimeve në pjesën e marketingut digjital krahasuar me vendet e tjera.

Ai tha se agjencitë duhet të ndjekin audiencën.

“Në mungesë të platformave, që nuk kanë krijuar mediet me komuniku me agjenci ne jemi së bashku me mediat tjera duke i ofruar përvojat tona. Nëse e marrim një krahasim mes Kosovës dhe vendeve të botës ne jemi shumë poshtë në investime në ‘Marketing Advertising”, tha ai.

Gentian Lluka, drejtor i Telegrafi.com /Foto: Ridvan Slivova

“Unë jam pjesë e Telegrafit prej vitit 2010. Kur kam ardhur kanë qenë shtatë persona, ndërsa tash janë 55 persona të punësuar. Agjencionet duhet te fokusohen dhe ta ndjekin audiencën. Nuk mjafton me qenë vetëm brenda rrjeteve sociale, duhet të dilet përtej kësaj” tha Lluka. /Telegrafi/

Më shumë