LAJMI I FUNDIT:

Rëndësia e balancës dhe koordinimit te fëmijët me nevoja të veçanta

Rëndësia e balancës dhe koordinimit te fëmijët me nevoja të veçanta

Zhvillimi i ekuilibrit dhe koordinimit fillon të zhvillohet te bebi me rritjen e tij që në lindje. Me rritjen e foshnjës, në bazë të etapave të zhvillimit psikomotor te fëmijët, ai mëson të ngrejë kokën e tij, të rrotullohet dhe të zvarritet në dysheme, gjithashtu balanca dhe ekuilibri zhvillohen më shpejtë duke qëndruar në këmbë, duke ecur apo duke filluar që të kërcej dhe hidhet

MSc Anxhela Avduli
Fizioterapiste në shërbimin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit
Pedagoge e jashtme e FShMT në Universitetin e Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”

Gjatë zhvillimit të këtyre stadeve, fëmijët përfshihen në aktivitete më komplekse dhe të vështira në ambientet e ndryshme që i rrethojnë. Megjithatë, kur fëmija ka vonesa në zhvillim dhe dështon në përmirësimin e aftësive të ti në ekuilibër dhe koordinim përgjatë rritjes, ata mund të hasin vështirësi në zhvillimin e disa prej aftësive të tyre motorike, por edhe në të nxënit.


Balanca i referohet aftësisë për të kontrolluar pozicionin e trupit dhe posturës gjatë performancës së aktiviteteve specifike. Për të zotëruar funksionalitet efektiv në ambientin rrethues gjatë aktiviteteve, duhet të kontrollojmë pozicionin e trupit gjatë aktiviteteve statike dhe dinamike.

Balanca ose ekuilibri statik i referohet aftësisë për të mbajtur pozicionin gjatë aktiviteteve stasionare (p.sh. qëndrimi ulur në karrige ose në këmbë).

Balanca ose ekulibri dinamik është aftësia për të mbajtur ekuilibrin kur jemi duke performuar aktivitete të ndryshme që nevojitet lëvizja (p.sh. ecja).

Koordinimi i referohet aftësisë për të interpretuar në mënyrë të saktë sinjale multiple për të kryer aktivitete fizike më komplekse. Koordinimi sy-dorë kërkon nga ana e fëmijës që të interpretojë informacionin e duhur visual, për të kapur topin në momentin dhe kohën që i hidhet për ta kapur.

Ky veprim i thjeshtë në pamje, përfshin aktivizimin neurologjik, kontrollin fizik dhe reflekset, së bashku me aftësitë e tjera që të bashkëpunojnë për të mundësuar koordinimin.

Patologji ose çrregullime nga më të ndryshmet, mund të kenë të prekur ekuilibrin dhe koordinimin te fëmijët pasi janë shumë të ndërlidhura me njëra tjetrën dhe si rrjedhojë të pengojnë fëmijët për të performuar aktivitete e jetës së përditshme.

Fëmijët me problem në përqendrim dhe vëmendje, ata të prekur nga spektri autizmit, ADHD, vonesat psikomotore, çrregullime vestibulare, paraliza cerebrale infantile, epilepsitë dhe shumë patologji të tjera në mënyrë që t’i ofrohet përmirësim i gjendjes së përgjithshme dhe cilësisë së jetës, për secilin pacientë terapitë dhe seancat rehabilituese duhet të jenë të ndërtuara në një plan të personalizuar për nevojat e çdo pacienti, duke e parë nga aspekti olistik dhe multidisiplinar, të kenë në parim dhe të marrin në konsideratë zhvillimin e ekuilibrit dhe koordinimit te fëmijët.

Ekuilibri dhe koordinimi lidhen drejtpërdrejtë me komponentë të tjerë bazë:

∙ Vëmendja dhe përqendrimi, aftësia për të mbajtur përqendrimin në një aktivitet të veçantë, për një kohëzgjatje të caktuar për aq kohë sa fuqia bazë trupore nuk influencohet nga ky veprim.

∙ Perceptimi trupor, njohja e pjesëve të trupit dhe kuptimi i lëvizjeve të trupit në hapësirë, në raport me bashkëpunim të ekstremiteteve dhe objekteve në ambientin rrethues.

∙ Integrimi bilateral, përdorimi i të dy duarve, kur njëra është dominuese dhe tjetra ndihmon në kryerjen e veprimit.

∙ Koordinimi sy-dorë, aftësia për të procesuar informacionin vizual, për të kontrolluar, udhëhequr dhe drejtuar dorën në realizimin e aktivitetit të caktuar

∙ Dominanca e dorës, përdorimi i vazhdueshëm i së njëjtës dorë për kryerjen e aktiviteteve, të cilat janë të nevojshme për të lejuar aftësi të tjera që të zhvillohen.

∙ Forca muskulore, aftësia e muskulit për të vepruar kundrejt një rezistence të caktuar.

∙ Rezistenca/toleranca muskulore, aftësia e një muskuli të caktuar ose të një grup muskujsh për të gjeneruar forcë vazhdimisht kundrejt një rezistence në mënyrë që të veproi ndaj aktiviteteve fizike të caktuara.

∙ Vetëkorrigjimi, aftësia për të mbajtur dhe ndryshuar trupin në nevojë të aktivitetit ose situatës, për të lejuar vëmendje dhe performancë më të mirë të veprimit të kryer.

∙ Kontrolli postural, aftësia për të stabilizuar trungun dhe qafën për të mundësuar koordinim të ekstremiteteve për kontroll gjatë përformancës së aktivitetit.

∙ Propriocepsioni, informacioni që merr truri nga muskujt dhe artikulacionet për të na mundësuar të kuptojmë pozicionin e trupit dhe lëvizjet ë tij, gjë që na mundëson veprimet tona të kryhen automatikisht.

∙ Procesimi sensorial, procesimi i duhur i stimujve sensorë në ambientin rrethues, si dhe në trupin tonë për reagim të shpejtë dhe fizikë ndaj lëvizjeve.

Është shumë e rëndësishme që terapia te moshat pediatrike të jetë e ndërtuar me bazë terapinë e lojës, ambienti të jetë i qetë, i pastër, plot me ngjyra dhe ndriçim që mundëson qetësi. Shumë thelbësore për riedukimin e ekuilibrit dhe koordinimit është edhe pasqyra, pasi e ndihmon fëmijën të kuptojë trupin, të perceptojë lëvizjet, si e t’i imitojë ato.

Disa nga mjetet ndihmëse për rehabilitimin e balancës dhe koordinimit mund të jenë:

Sipërfaqet jostabile – ‘Wavy Tactile Path Balance Beams’

Është e rëndësishme që të krijohet intensiteti i duhur sensorial dhe përshtatja ergonomike e harkut të këmbës së fëmijës ndërmjet kontaktit taktil që realizohet gjatë ushtrimeve. Sipërfaqja jo stabël e ndërthurur me rrugë lineare dhe jo lineare, duke ndryshuar dizanjimin dhe aktivitetet të kryera në të, i mundësohet fëmijës të zhvillojë planifikimin motor në bazë të nevojës së lojës dhe aktivitetit dhe të adaptohet me sipërfaqe jo stabël të ndryshme. Për më tepër fëmija fiton kofidencë, vetëbesim dhe mëson të reagojë ndaj niveleve të ndryshme të vështirësisë.

Stimulimi i balancë dhe koordinimit ndërmjet sipërfaqeve të tilla dhe kontakti me stimujt taktil të shputës, gjithashtu i mundëson kontroll të trungut, të pozicionit të trupit si dhe forcim të muskujve të tij. Përmirësohet aftësia e përqendrimit te fëmija dhe zhvillon stimulimin e sistemit vestibular si dhe gjeneron koordinimin gjatë lëvizjeve. Aktivitete te tilla përmirësojnë planifikimin e aktiviteteve kur ndërkohë aktivizon muskujt.

‘Balance board’

Fëmija përmirëson balancën, koordinimin dhe koordinimin sy-dorë duke kontrolluar lëvizjen e topit mbi mjetin. Në bazë të aftësive të fëmijës mund të fillojë fillimisht duke e mbështetur mjetin në një sipërfaqe dhe fëmija te kontrollojë lëvizjen e topit, fëmija ta mbajë mjetin në dorë duke kontrolluar lëvizjen e topit dhe në stade më të avancuara që fëmija të hipë me këmbë mbi mjetin dhe ta kontrolloji lëvizjen e topit me këmbë. Një mundësi për të zhvilluar aftësitë e ekuilibrit, koordinimit, kontrollit të trupi, forcimit të muskujve, por gjithashtu dhe duke rritur vëmendjen, përqendrimin dhe aftësinë e të menduarit te fëmijët.

‘Ball Chamber’

Ndihmon që t’i mundësojë fëmijës inpute të ndryshme motore dhe sensoriale, duke sfiduar ekuilibrin e tyre. Gjithashtu, është e rëndësishme që i mundëson fëmijës një ambient ku dhe mund të pushojë dhe qetësohet , por edhe duke u rrokullisur mundëson një ‘feedback’, i cili ndihmon orientimin vestibular.

Lëkundësit – ‘Taco Swing’

Terapia ndërmjet lëkundësit siguron që të përfshihet i gjithë trupi i fëmijës në presion të lart, duke mundësuar stimulimin vestibular për balancën dhe propriocepsionin për perceptimin trupor, duke lejuar lëvizjen e lirë të duarve për koordinim bilateral dhe planifikimin e aktiviteteve motore. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori