Remzi Ejupi reagon pas dënimit të shqiptuar nga FFK-ja: Është tentim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë

Kryetari i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, ka reaguar me anë të rrjeteve sociale pas dënimit të shqiptuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Mbrëmë (e mërkurë) FFK shqiptoi Ejupit një dënim prej një viti për mos-kryerje të funksionimit të presidentit të Prishtinës.
Ky dënim ka bërë që i pari i Prishtinës të reagojë menjëherë, duke e cilësuar si tentim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë nga individët që po mbajnë në grusht FFK-në dhe futbollin e Kosovës.
Postimi pa ndërhyrje i Remzi Ejupit:Të nderuar sportdashës, Siç jeni njoftuar tashmë, mbrëmë – natën - Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e shqiptoi një dënim ndaj meje me një vit moskryerje të funksionit të presidentit të FC Prishtinës. Këtë FFK’ja e bëri natën, gjë që më së miri e tregon organizimin e tyre të mbrapshtë. Sido që të jetë, ky dënim nuk i shqiptohet vetëm një delegati të FFK’së, por është tentim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë nga ana e disa individëve të cilët e kanë kapur dhe po e mbajnë në grusht të shtrënguar FFK-në dhe futbollin e Kosovës. Siç e dini, prej anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA në FFK janë mbi 40 milionë euro të hyra. Kur unë se delegat i FFK’së, apo edhe delegatë të tjerë, nuk e dimë asnjëherë se ku janë apo ku kanë shkuar ato miliona euro, aq më pak e di opinioni i gjerë. Andaj, kam kërkuar sqarim për këtë dhe e kam propozuar një auditim të pavarur dhe të besueshëm në FFK dhe se e kam shprehur qëndrimin tim se nuk u besoj raporteve financiare që përpilohen sipas dëshirës së krerëve të FFK’së, të cilat ndoshta përpilohen po ashtu natën. Si delegat i FFK’së, asnjëherë nuk e kam pasur të qartë se ku kanë përfunduar paratë e biletave të gjithë atyre ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës! Është detyrë e jona si delegatë të federatës të kërkojmë llogari nga ata që e udhëheqin FFK’në dhe Kombëtaren e Kosovës edhe për rezultatet e skuadrës shtetërore, sepse ajo është ndër të rrallat që e bën çdo qytetar të Kosovës të lumtur me vendin e vet, ku dihet se në segmente tjera Kosova jon nuk është që i ka punët mirë.

















































