LAJMI I FUNDIT:

Religjioni në shërbim të politikës

Religjioni në shërbim të politikës

Shugurimi i Katedrales në Prishtinë, kishte hapësirë madhështore në media. Kjo është në rregull, gjithsesi. Por, përpos elementit fetar, që me pompë u shpërnda nga media shqiptare, në sipërfaqe doli edhe një aktor tjetër. Ai politik-ideologjik. Këtu u pa se simboli, ikona, pra fotografia ka peshën e madhe. U vërtetua se pamorja ka rëndësi të jashtëzakonshme shprehëse.

Përse e them këtë e pse mendoj kështu?


E them këtë sepse kardinali shqiptar, Ernest Simoni, gjatë fjalës përshëndetëse, përdori zhargonin politik e ideologjik “kosovarë” dhe shqiptar!

Por, vëmendjen në hapësirën e Katedrales, të tërhiqte përdorimi jo i barazpeshuar, i pamores nga organizatori – regjisori.

Flamuri kombëtar, si simbol, ikonë e identitetit, këtu, u përzvogëlua para ikonave, figurave fetare. Shohim se si dy flamuj janë të hedhur, shkujdesshëm në dysheme, ashtu pa takt, pa emocione e pa respekt të ndrydhur si letër për përdorim higjenienik!

Ikona, fotografia e religjionit në Katedrale, për publikun e në publik, duket më e madhe dhe zë vend më të madh e më të respektueshëm në hapësirën ku ajo është vendosur. Ikona fetare del mbi ikonën e identitetit kombëtar. Është më e madhe sesa ikona e flamurit dhe ka një vendosje të respektueshme, me emocione e me kujdes, para tavolinës mbretërore me çarçaf të bardhë.

Kjo vendosje, e kjo pozitë e pabarabartë e ikonave, është problematike për publiken dhe dërgon mesazhe të dykuptimta, të kontrolluara e të parrallogaritura për konsumuesin publik.

Evropianët, perëndimorët, pra ne shqiptarët, shkruajmë e lexojmë tekstin duke filluar nga e majta në të djathë. Kështu “lexohet” dhe kuptohet edhe fotografia. Pra, e rëndësishmja fillon nga e majta në të djathtë. Edhe në fushën e reklamës vizuele, pamore, gjërat, objektet, artikujt që duhet theksuar më mirë, e për t’ju dhuruar më shumë vëmendje, ndikim psikologjik e respekt, i vendosim në të majtë e më pas fillojnë ato më pak të rëndësishmet, pra nga e djathta e poshtë faqes në formën e shkronjës “S”. Shikoni me vëmendje vendosjen e figurës fetare dhe atë të flamujve. Së pari (nga e majta) ikona fetare ne shkëlqim, e më pastaj, pas ikonës fetare, të renditura e të hedhura në dysheme, flamuri kombëtar dhe ai “shtetërorë”.

Si njohës i shkencave të retorikës vizuele, mendoj se ikona e flamujve në këtë hapësirë publike fetare, e që doli në publik përmes medias, është keqpërdorur dhe është përdhosur. Flamuri si ikonë, i mbrojtur me ligj e me Kushtetutë, nuk është nderuar nga institucionet shtetërore e as nga ato fetare.

Si përfundim, mund të them se përdorimi i ikonave kombëtare nga religjioni e politika, ashtu siç po ndodhë në Tiranë dhe në Prishtinë, do të shkakton përçarje, hidhërim dhe pakënaqësi tek masat. Pamorja, fotografia, nuk është gjithmonë e padjallëzuar nuk është e paqëllimtë. Ajo shpesh nuk është e ëmbël, nuk është e këndshme.

Fotografia fetare, në Katedrale, tregon se religjioni është shpresa e dashuria, e nderuara e popullit. Fotografia, ikona fetare, e kundërta e asaj fotografie të flamurit kombëtar, rrezaton paqe, nderim, pasuri, krenari e shtet.

Shteti dhe politika duhet ndarë nga religjioni. Gazetaria, po ashtu.