Regjisori i njohur, Valmir Tertini, ka ndarë sot me ndjekësit e tij lajmin për një workshop të veçantë që do të zhvillojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në platformën sociale Facebook, Tertini ka treguar se ka marrë një surprizë shumë të këndshme nga bashkëpunëtorja e tij Jenna, e cila kishte realizuar një fushatë promovuese me një poster për këtë aktivitet.


"Sot mora lajmin nga Jenna për fushatën që ka bërë me këtë poster, ishte një surprizë shumë e këndshme. Nesër fillojmë, edhe pse të gjitha vendet janë tashmë të rezervuara”, tha Tertini.

Ai shprehet jashtëzakonisht i lumtur që ky workshop do të mbahet në njërën nga bibliotekat më të vjetra dhe më prestigjioze në Amerikë, duke e konsideruar këtë si një privilegj të veçantë në rrugëtimin e tij artistik.

Workshopi pritet të jetë me pjesëmarrës të limituar, të cilët do të mësojnë nga përvoja dhe qasja kreative e regjisorit shqiptar, i cili vitet e fundit ka fituar vëmendje ndërkombëtare për punën e tij artistike.

Së fundmi ai ligjëroi mbi regjinë përkrah skenaristes së njohur amerikane Pamela Cederquist në edicionin e 10-të të SKENA workshop.

Tertini është diplomuar në regji dhe ka ndjekur trajnime e workshope me emra të njohur të industrisë së artit në Evropë dhe SHBA.

Me një përvojë të pasur në produksione filmike, ai ka bashkëpunuar me institucione kulturore dhe universitete ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e një gjuhe të veçantë artistike.

Aktualisht jeton dhe punon mes Europës dhe Amerikës, ku është i angazhuar në projekte të reja ndërkulturore.

Projektet e tij kanë qenë pjesë e qindra festivaleve në mbarë botën.

Ai është kandidat për doktoraturë, pasi ka studiuar Film në Kosovë dhe ka magjistruar nga Akademia e Arteve në Tiranë.

Valmir Tertini është fitues i më shumë se 30 çmimeve ndërkombëtare.

Tertini është i përkushtuar për motivimin dhe trajnimin e artistëve të rinj për të ndjekur fushën e filmit. /Telegrafi/