Reagime të forta nga Flick, Arbeloa dhe Simeone pas skandalit të thirrjeve islamofobike në stadium

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka reaguar ashpër pas incidenteve me kore islamofobike që njollosën barazimin 0-0 mes Spanjës dhe Egjiptit në një ndeshje miqësore të zhvilluar të martën në stadiumin RCDE Stadium.
Gjatë takimit u dëgjuan disa herë thirrje diskriminuese si “Kushdo që nuk kërcen është mysliman”, duke shkaktuar reagime të forta dhe duke vënë në shënjestër veçanërisht talentin e ri Lamine Yamal.
Autoritetet kanë nisur një hetim për incidentin.

Një ditë më pas, Yamal reagoi publikisht, duke i cilësuar këto sjellje si “të patolerueshme”.
Deklarata e tij u vlerësua nga Flick, i cili theksoi nevojën për ndryshim në futboll dhe shoqëri:
“Mendoj se Lamine bëri një deklaratë fantastike. Futbolli përfaqëson përfshirjen. Është zhgënjyese që një numër i vogël njerëzish nuk e kuptojnë këtë. Nuk duam racizëm duam respekt dhe bashkim, pavarësisht racës apo fesë. Është koha për ndryshim”.
Ndërkohë, trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, u shpreh se Spanja “nuk është një vend racist”, por pranoi se nevojitet më shumë punë për të luftuar fenomene të tilla.
Nga ana tjetër, trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, e cilësoi situatën si një problem më të gjerë shoqëror:
“Është një problem social, jo vetëm në Spanjë, por në të gjithë botën. Kemi humbur respektin për familjen, mësuesit, trajnerët dhe institucionet. Duhet të punojmë për ta rikthyer atë”.
Në aspektin disiplinor, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit rrezikon sanksione, përfshirë gjobë apo mbyllje të pjesshme të stadiumit. /Telegrafi/





















































