Zjarrfikësit e Komunës së Pejës po përballen me vështirësi të mëdha në shuarjen e zjarrit që ka përfshirë bjeshkët e Lubeniqit për më shumë se katër ditë.
Në një prononcim për Telegrafin, përfaqësues nga Qendra e Zjarrfikësve në Pejë kanë deklaruar se zjarri është ende aktiv dhe përpjekjet për ta ndalur po hasin sfida për shkak të terrenit të thyeshëm dhe kushteve të vështira të punës.
“Zjarri është aktiv, jemi duke bërë përpjekje për ndaljen e tij, jemi duke u munduar për shuarjen e tij. Zjarri është aktiv më shumë se katër ditë, gjë që për shkak të terrenit të thyeshëm po është edhe më e vështirë”, kanë thënë nga Qendra e Zjarrfikësve.
Gjendja vazhdon të mbetet delikate, ndërsa qytetarët e zonës kanë kërkuar gjithashtu ndihmën e institucioneve si Komuna, Qeveria dhe KFOR-i për të përballuar këtë situatë dhe për të mbështetur përpjekjet për shuarjen e flakëve. /Telegrafi/