Ratcliffe u shpall 'luftë të hapur' tifozëve të Man United

Manchester United po shqyrton mundësinë që të vendosë një tarifë deri në 4,700 euro për tifozët – vetëm për të fituar të drejtën për të blerë një biletë sezonale në stadiumin e ri të planifikuar.
Sipas raportimeve të Mail Sport, një propozim shumë i diskutueshëm për të futur të ashtuquajturën "Licencë Personale e Vendit" (PSL) – një sistem i zakonshëm në SHBA, por i papërdorur deri më tani në Ligën Premier – është paraqitur tifozëve nga kompania konsulente amerikane CSL International.
Zyrtarët e United kanë sqaruar se nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar dhe se projekti është ende në fazën eksploruese. Megjithatë, nëse implementohet, kjo do të detyronte tifozët të paguanin mijëra euro paraprakisht, përpara se të blinin biletën e tyre sezonale çdo vit.
Sipas këtij modeli, që përdoret shpesh në SHBA për të ndihmuar në financimin e stadiumeve të reja, tifozët që paguajnë për një PSL do të kenë të drejtën e refuzimit të parë për ulësen e tyre për 30 vitet e ardhshme. Por, nëse nuk e blejnë biletën sezonale në një sezon të caktuar, ata automatikisht e humbasin këtë të drejtë.
Pas ardhjes së bashkëpronarit Sir Jim Ratcliffe dhe grupit të tij INEOS, United ka prezantuar konceptin për një stadium të ri me kapacitet 100,000 vende, të dizajnuar nga arkitekti i njohur Lord Norman Foster. Stadiumi do të ndërtohet pranë Old Trafford dhe synon të jetë një ndër më modernët në botë.
Kostoja e ndërtimit të stadiumit pritet të kalojë 2.35 miliardë euro. Klubi është duke kërkuar mbështetje financiare nga qeveria për infrastrukturën përreth, por ka bërë të ditur se vetë do të sigurojë fondet për ndërtimin e vetë stadiumit. /Telegrafi/


















































