LAJMI I FUNDIT:

Rasti i Përmetit: Zaptimi i kulturës nga Kisha

Përmetasit ishin të bindur që krejt problemi i truallit ku gjendet Shtëpia e Kulturës ishte thjesht mosmarrëveshje pronësie, ku Kisha ortodokse thotë se trualli i përket asaj. Faktet janë të ndryshme nga rrethanat që rrodhën më pastaj në Përmet.

Sipas burimeve historike, me të mbaruar Lufta e Dytë Botërore në atë truall ishin të vendosura familje të cilat jetonin në baraka pa ndonjë vendim ligjor, kurse në vitin 1958 të gjitha ato familje i shpërnguli pushteti. Arsyeja e shpërnguljes së tyre, dhënë nga pushteti në atë kohë ishte plani urban e rregullues i qytetit të Përmetit. Pas bërjes së planit urban e rregullues të qytetit në vitin 1962 në atë truall u inaugurua Shtëpia e Kulturës së bashku me një park me plotë lule, që vendasit e njihnin si lulishtja me e bukur e qytetit.


Konvertimi i Shtëpisë së Kulturës të Përmetit në Kishë Ortodokse ndodhi në vitin 1997, ku si bazë për këtë veprim u mor një vendim i Komisionit të Pronave të rrethit të Përmetit. Bashkia e Përmetit duke e pa këtë me plotë të drejtë si veprim të dëmshëm, përmes mekanizmave ligjor, pra duke i njohur subjektivitetin juridik edhe Kishës Ortodokse, fillojë procesin gjyqësor.

Gjykata Kushtetuese, në vitin 2002 morri një vendim i cili mbështeste faktet e ofruara nga pushteti lokal, në këtë rast Bashkia e Përmetit. Tentativat për ta rikthyer Shtëpinë e Kulturës të zaptuar nga Kisha ortodokse shkuan në 15 herë. Ekzekutimi përfundimtar i vendimit të Gjykatës Kushtetuese u bë me 16 gusht të këtij viti, mirëpo ky hap nxori diçka që problematizoi raportet Shqipëri – Greqi.

Domosdoshmërisht lind pyetja, pse, çka ka lidhe kjo me Greqinë tash? Shkak për këtë u bë gjoja kisha e Përmetit. Autoritetet grek në Athinë u ndjen të thirrura për të mbrojtur vëllezërit e tyre nga besimi, ortodoksët shqiptar. Nonsens më i madh nuk duket në horizont. Athina zyrtare përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë. Pas kësaj priftërinjtë ortodoksë u ndjenë rehat sa që dhunshëm kundërshtuan ekzekutuesit e vendimit gjyqësor.

Për ta forcuar “interesin” për besimtarët ortodoksë, deputeti grek i partisë “Demokracia e Re”, Jorgos Kumutsakos në Komisionin Evropian diskutojë edhe për çështjen e Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet të zaptuar nga Kisha ortodokse. Ai intervenimin e ligjit e përshkroi si “dhunë kundër klerit e besimtarëve, vandalizëm dhe akte sakrilegji në Kishën e shenjtë të Virgjëreshës Mari, në Përmet”. Bile ai këtë rast provoj ta ngrinte si çështje e cila do të monitorohet nga BE për progresin e Shqipërisë drejt integrimeve evropiane.

Shërbyesit e Kishës ortodokse pasi dështuan me drejtësinë e ligjin me forcë e konfrontim fizik tentuan rimarrjen e ndërtesës së Shtëpisë së Kulturës, por e njëjta u rimori prapë nga organet e ligjit. Shërbyesit pas këtyre ngjarjeve vendosën ikonat dhe mbajtën lutjet e tyre në oborrin e Shtëpisë së Kulturës, me të cilin veprim ata kundërshtuan drejtësinë e kjo u bë duke ju falënderuar “interesimit” të Athinës zyrtare. Përkrahja për ortodoksët në Përmet erdhi edhe nga një subjekt fashist, grupacion i njohur si “Agimi i Artës”. Këta janë të njohur për ksenofobi dhe fjalor ofendues. Në prononcimin e tyre të fundit Republikën e Shqipërisë e quajtën “shteti i kaçakëve” i cili po “terrorizon grekët” dhe se Athina zyrtare duhet të dëbojë menjëherë emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në shtetin anëtar të Bashkimit Evropiane e cila e mori çmimin Nobel për Paqe, të njohur si Greqia.

Ngjarja e Përmetit u ndje edhe në kalimin kufitar të Kakavijës ku autoritetet kufitare të shtetit grek kthyen mbrapsht emigrantët shqiptar. Autoritetet kufitare greke u kërkonin shqiptarëve të cilët kalonin kufirin të kishin me vete nga 1500 deri ne 3000 euro si garancion monetar, së bashku me adresën e vendit ku do të qëndronin ata. Përveç kësaj, siç raportojnë mediat, emigrantët pohonin se kufitarët nuk i lejonin shqiptarët të kalonin kufirin edhe për shkak të ngjarjes në Përmet. E bukura ndodhi kur drejtori i Policisë Kufitare në Kakavijës, Admir Abrija vendosi masa të reciprocitetit edhe për shtetasit grek që tentonin kalimin kufitar për në Shqipëri. Greket nuk u lejuan të kalonin deri sa nodhi takimi i ambasadorit grek në Tiranë, Leonidas Rokanas me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë e cila situatë filloj të normalizohej.

Nuk është kjo hera e parë që Greqia tregohet se nuk do fqinjësi të mirë me fqinjët e saj, e sidomos me Shqipërinë. Ajo që është e nevojshme tani për shqiptarët e besimit ortodoksë është largimi i menjëhershëm i Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatosit dhe distancomi i të gjithë besimtarëve ortodoksë të kombit shqiptar nga ai. Shqiptarët e besimit ortodoks kanë shtetin e tyre që kujdesët për ta dhe nuk u nevojitet ndihma greke. Raportet e Tiranës zyrtare me Athinën duhet të jenë të ndërtuara vetëm mbi bazën e barazisë dhe fqinjësisë korrekte.