Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka regjistruar një rast të rrallë kirurgjikal, ku një paciente 16-vjeçare u operua me sukses për një cistë gjigante të shpretkës.

Vajza, e lindur në vitin 2009, u paraqit në spital me dhimbje të barkut dhe një prominim nën harkun brinjor të majtë, raporton Telegrafi.


Ekografia e abdomenit zbuloi një formacion cistik tumoral me përmbajtje jo homogjene, i cili u konfirmua më pas nga tomografia kompjuterike (CT) si një masë 20x20 cm në shpretkë.



Pas përgatitjeve preoperative dhe analizave laboratorike, u krye ndërhyrja kirurgjikale nën anestezion të përgjithshëm.

Gjatë operacionit, masa cistike u izolua dhe u hoq së bashku me shpretkën, pa dëmtuar organet përreth si lukthi, pankreasi, kolon, veshka e majtë, apo diafragmën.

Pacientja e përballoi mirë operacionin dhe periudhën post-operative në njësinë e kujdesit intensiv.

Materiali i hequr është dërguar për ekzaminim histopatologjik për verifikim të mëtejshëm të natyrës së lezionit.

Ky rast tregon përgatitjen dhe profesionalizmin e stafit kirurgjikal në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe përfaqëson një shembull të suksesshëm në trajtimin e patologjive të rralla kirurgjikale. /Telegrafi/