Rashica flet pas paraqitjes së mirë dhe supergolit ndaj Bayerni
Milot Rashica ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të folur rreth ndeshjes se djeshme (e mërkurë) ndaj Bayern Munichut.
Werder Bremen është mposhtur me rezultat 3-2 nga Bayern Munichu në gjysmëfinale të DFB Pokal duke humbur mundësinë e kualifikimit në finale.
Njërin nga golat e Bremenit e shënoi pikërisht ylli i Kosovës, Milot Rashica.
Djaloshi vushtrrias shënoi golin e barazimit 2-2, ku në minutën e 75-të gjeti rrjetën pas një veprimi të mirë individual.
Rashica ka shfrytëzuar profilin e tij në Facebook për të folur rreth ndeshjes së djeshme.
"Fatkeqësisht nuk mjaftoi, por ne vazhdojmë së bashku. Mbështetje e mrekullueshme nga tifozët tanë", ka shkruar Rashica në Facebook.
Ndryshe, Rashica deri më tani këtë sezon ka shënuar tetë gola në Bundesliga dhe tri tjera në DFB Pokal. /Telegrafi/





























