LAJMI I FUNDIT:

Raporti real i keqqeverisjes

Fjalët për luftën kundër korrupsionit nuk kanë reshtur kurrë që nga paslufta e deri më sot. Secili kryeministër, ministër, kryetar komune e zyrtar i Kosovës, para e pas statusit, i cili ka ardhur në pushtet me vota të qytetarëve apo të vjedhura, është zotuar se do ta luftojë korrupsionin gjatë mandatit të tij. Asnjëri prej tyre s’e ka mbajtur fjalën e dhënë. Asnjëri! Janë dorëzuar para korrupsionit dhe krimit të organizuar, madje shumë prej tyre hynë në politikë vetëm për t’iu bashkangjitur valles, e cila po e çon këtë shtet drejt falimentimit.

Po t’i pyesni, secili prej zyrtarëve e ish-zyrtarëve ndjehet krenar me arritjet personale. Ata sot janë milionerë, kanë shtëpi të mira, dy-tre banesa (natyrisht në emër të të afërmve të tyre), kanë biznese të ndryshme, vetura luksoze dhe fëmijë në shkolla private e universitete të huaja. Ata ndjehen shumë krenarë që vinë e shkojnë duke na shpërfillur. Ndërsa Ne, edhe pse nuk ndjehemi aspak krenarë me të arriturat e tyre dhe gjendjen tonë kolektive, sikur mjaftohemi me kritikat e përvitshme që vinë nga Komisioni Evropian!


Falimentimi i këtij shteti, që e përmenda më lartë, assesi nuk do të thotë kthim nën Serbi. Ky rrezik për Kosovën ka kaluar përgjithmonë, falë luftës së UÇK-së dhe aleatëve tanë Perëndimorë. Falimentim do të thotë: getoizimi, papunësia, varfëria, korrupsioni, krimi i organizuar dhe të gjitha ato dukuri tjera negative me të cilat përballemi përditë dhe nuk bëjmë asgjë për t’i mposhtur. Thënë më shkurt, falimentim do të thotë pajtimi ynë me keqqeverisjen e të zgjedhurve tanë duke filluar nga zyrtari më i lartë deri tek ai më i ulëti.

Korrupsioni aktualisht është super-institucioni i Kosovës, është mbi ligjin, mbi idealet. Sikur të mos ishte kështu, do të ishte bërë pak më tepër për një shtet që e kemi ëndërruar aq shumë, me gjithë pengesat që kemi pasur rrugës nga strukturat paralele të Serbisë dhe burokracitë e ‘misioneve’ ndërkombëtare, e në veçanti nga ai i Kombeve të Bashkuara.

Ka një shprehje të një shkrimtari që nuk më kujtohet emri, i cili thotë se “në një sokak të vogël lind një vepër e madhe”, dhe Kosova të paktën është dashur të merrej me ‘imtësira’. Apo edhe pastrimi i rrugëve, mbledhja e bërllokut, ndalimi i ndërtimeve ilegale, ngritja e cilësisë në arsim (për të mos e përmendur gjyqësinë dhe shëndetësinë si çerdhe korrupsioni), është diçka që nga klasa jonë politike nuk mund të rregullohet me dekada të tëra.

Konstatimet e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2011, lidhur me procesin e dobët zgjedhor, menaxhimin e keq të buxhetit, moszhvillimin ekonomik, mosfunksionimin e rendit dhe ligjit, nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe mbi të gjitha mungesën e vullnetit politik për t’i adresuar dhe luftuar këto fenomene, janë tregues të mjaftueshëm se në çfarë drejtimi po shkon shteti më i ri evropian. Dhe çfarë kanë për të thënë Ata, përgjegjësit tanë për këtë gjendje në të cilën jemi katandisur? “Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën është real”. Kaq!?

Ata u ikin kritikave dhe fokusohen vetëm te fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave. Proklamohet si e arritur e madhe, thua se me heqjen e vizave do të lulëzojë tërë Kosova. Me heqjen e vizave, nëse nuk luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, asgjë nuk do të ndryshojë për të mirë për shumicën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, përveç faktit se brenda pak ditësh do të mbesin rreth 200 mijë më pak se sa që thonë se janë pas atij regjistrimit të shumëpërfolur.

Rruga që kemi zgjedhur për të jetuar dhe krijuar institucionet shtetërore është e gabuar. Jemi më pak se dy milionë banorë në Kosovë (të paktën kështu thonë), por edhe sikur të jemi dy milionë e gjysmë, prapë jemi pak dhe e njohim njëri-tjetrin thuajse shumë mirë. E njohja mes nesh po zbulon një dukuri të frikshme që venit shpresat për të ardhmen: Korrupsioni në shoqërinë tonë po kuptohet si mënyrë e të jetuarit. E frikshme.
E vërteta, ka edhe më keq. Nëse nuk vetëdijesohemi, e ardhmja do të jetë përditë e më e vështirë, madje edhe vrasëse.

Në trend

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Serbia
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Trajneri i Palmeiras i lutet presidentit të mos e shesë Messinhon, thotë se nuk ka parë kurrë këso lojtari

Ndërkombëtare
Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Tentuan t’ia vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, reagon Drejtoria e Arsimit: Të zbulohen motivet e sulmit kriminal mbi objektet shkollore

Arsim
Kalo në kategori