LAJMI I FUNDIT:

Raporti i Progresit, për çka!?

Raporti i Progresit, për çka!?

Driton Tali

Kur Raporti i Progresit për vitin 2009 na erdhi në Kuvend, atëherë pata bërë pyetje se kujt i drejtohet ky raport! Të them të drejtën, edhe më tutje nuk e kam krejtësisht të qartë.


I kuptoj raportet e tilla që shkruhen për ato shtete që synojnë të integrohen në UE dhe UE nuk ka mekanizma ekzekutivë atje, si bie fjala për Shqipërinë, Malin e Zi apo Maqedoninë.

Nëse i lexojmë të gjitha Raportet e Progresit që janë shkruar për Kosovën viteve të fundit, do të shohim se fjalët dhe fjalitë te pjesa kur flitet për korrupsionin dhe hajnitë, në esencë janë të njëjta. Dallon vetëm renditja e tyre. Si, bie fjala, “sfidë mbetet luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, krijimi i një administrate publike jopolitike, zbatimi i legjislacionit etj.”. Apo, ka fjali të llojit si, “ ka përparime të kufizuara”.

Dallim bënte Raporti i vitit 2010, të cilit i ishin shtuar vjedhjet e votave në zgjedhjet elektorale.

Me fjalë tjera, gjithmonë sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni kanë qenë më të theksuarat. Andaj, logjikisht shtrohet pyetja se ku ka më së shumti korrupsion dhe ku është krimi i organizuar më së shumti i involvuar? Përgjigjja pa menduar shumë është në ekonomi, sidomos në procesin e privatizimit.

Mirëpo, që nga paslufta, a nuk ishte ekonomia dhe procesi i privatizimit përgjegjësi e Shtyllës IV të UNMIK-ut, që udhëhiqej nga Misioni i Unionit Evropian në Kosovë (EUMIK). A nuk ishte AKM e “famshme” nën përgjegjësi të EUMIK-ut.

Nëse po, atëherë sa nëpunës të UE-së u morën në përgjegjësi për korrupsion dhe krim të organizuar? Pastaj, le ta zëmë se korrupsioni dhe krimi i organizuar është zhvilluar vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ngjashëm shtrohet pyetja se EULEX sa veta i burgosi për korrupsion dhe krim të organizuar!? Pos disa “shfaqjeve spektakolare” të policëve ndërkombëtarë të veshur me maska, uniforma antiplumbë dhe të “armatosur deri në dhëmbë” , thuajse ja mësynin ndonjë grupi të al-Qaedas në Afganistan apo Irak! Dhe, pos disa burgosjeve për “krime lufte”, deri tani tërësisht dështoi.

Dihet mirëfilli se “me pavarësi” na erdhi edhe EULEX-i. Sa për freskim të memories, të përmendi se më 14 dhjetor 2007, Këshilli i UE-së miratoi kërkesën e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës për të dërguar një mision në Kosovë në monitorimin e sundimit të ligjit, mision i cili do të kishte autoritet ekzekutiv, kërkesë që dilte nga dokumenti i Ahtisaarit. Dhe, vendimi përfundimtar u mor më 26 shkurt 2008, për t’u dërguar ky mision i cili në vete përbënte rreth 1.800 nëpunës. Kurse, Komisioni i UE-së vendosi të dërgojë në Kosovë një përfaqësues special (Pieter Feith, “njeriun me dy kapela”), i cili do të ishte autoriteti i fundit për interpretimin e Planit të Ahtisaarit dhe i përgjigjej Përfaqësueses të Lartë të UE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Catherine Ashtonit).

Me fjalë të tjera, Përfaqësuesi Special do të kishte kompetenca mbi të gjitha institucionet tjera shtetërore, d.m.th., me të drejtë që secilin ligj apo veprim të institucioneve shtetërore të Kosovës ta anulojë, nëse gjykon ai se janë tejkaluar kompetencat e institucioneve shtetërore ose nuk janë respektuar rregullat. Dhe, kjo zgjati deri me 10 shtator 2012. Pra, gjithnjë flasim për periudhën për të cilën është shkruar ky Raport.

Thënë ndryshe, në njërën anë Këshilli i UE-së (ku bën pjesë presidenti dhe zëvendëspresidenti i Komisionit të UE-së) na dërgoi EULEX-in me kompetenca ekzekutive, kurse Komisioni i UE-së na dërgoi Përfaqësuesin Special, po ashtu me kompetenca ekzekutive. Por, patjetër duhet cekur se EULEX-i i përgjigjet Komisionit të EU-së (Përfaqësueses së Lartë – Ashton) në mënyrë direkte nëpërmes të Komandantit Operacional Civil (gjermanit Hansjorg Haber), i cili është shef i shefit të EULEX-it (gjermanit tjetër, Bernd Borchardt).

Për ata lexues që nuk janë fort familjarë me institucionet e UE-së, të thuhet se Këshilli i UE-së (pra prindi që e lindi EULEX-in) është institucioni më i lartë i UE-së, i cili përbëhet nga presidentët, kryetarët dhe kryeministrat e shteteve anëtare të UE-së, varësisht se shteti në fjalë organin më të lartë a e ka presidentin apo kryeministrin. Dhe, po ashtu, përbëhet nga Këshilli i Ministrave, ku u mor vesh marrin pjesë të gjithë ministrat e punëve të jashtme të shteteve anëtare të UE-së.

Në Këshillin e UE-së marrin pjesë edhe presidenti dhe zëvendëspresidenti i Komisionit UE-së. Kurse Komisioni i UE-së (pra autori i Raportit të Progresit, dhe shefi i shefit të shefit të EULEX-it) është institucioni ekzekutiv i UE-së.

Që ta thjeshtëzojë edhe më shumë për lexuesit që e mbajnë mend mirë organizimin e ish-Jugosllavisë, Këshilli i UE-së (prindi i EULEX-it) i bie diçka si Kryesia e RSFJ-së, e cila përbëhej nga përfaqësuesit më të lartë komunistë të republikave dhe krahinave. Kurse, Komisioni i UE-së (autori i Raportit të Progresit) është sikurse Këshilli Ekzekutiv (ju kujtohet Milka Planinc apo Ante Markoviq) i atëhershëm, do të thotë Qeveria.

Sa për hir të argumentit të thuhet se Komisioni i UE-së nuk udhëhiqet nga kryeministri i saj, por presidenti (Jose Manuel Barroso) dhe zëvendëspresidenti (për momentin është baronesha Catherine Ashton) dhe nuk ka ministra por komisionerë dhe Përfaqësuesi(ja) e lartë, është diçka si ministre e Punëve te Jashtme. Pra, baronesha Ashton i bie të jetë diçka si ministre e Punëve të Jashtme e UE-së, dhe njëherazi është edhe shefe e shefit (Hansjarg Haber) të shefit të EULEX (Bernd Borchardt).

Për të mos e zgjatur, i kishim (kemi) dy institucione ekzekutive të UE-së në Kosovë, me kompetenca të plota, bile edhe më shumë se presidenti, Parlamenti apo Qeveria e Kosovës, që ishin (janë) përgjegjësi e Komisionit Evropian dhe Raporti i Progresit vë në pah një mal kritika për situatën në Kosovë.

Andaj, unë edhe më tutje nuk e kam të qartë se ky Raport kur flet për hajninë dhe mafinë, a i kritikon që dështuan në detyrën e tyre institucionet kosovare apo ato të EU-së, të cilat erdhën në Kosovë pikërisht për atë gjë dhe për çka paguheshin (paguhen) goxha. Ashtu sikurse që nuk e kisha të qartë Raportin e Progresit për vitin 2010, kur fliste për zgjedhjet e dhjetorit 2010. Nuk e kuptoja se a i kritikonte partitë kosovare dhe institucionet kosovare për hajni të votave, apo Pieter Feithin dhe De Marnacun – ICO-n dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë dhe EULEX-in që nuk i anuluan ato? Tek e fundit, këta që sot i udhëheqin institucionet kosovare nuk janë të zgjedhur nga populli, por janë përfaqësues të zgjedhur nga komisionarët dhe vëzhguesit (që sipas burimeve ishin rreth 5000 veta) të cilët i vodhën votat e popullit për t’i zgjedhur komandantët e tyre. Pra, kemi Kuvend të komisionarëve dhe vëzhguesve, Qeveri të komisionarëve dhe vëzhguesve… e jo të popullit! Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për institucionet e UE-së!

Prandaj, nuk e kam të qartë se kush duhet ta luftojë hajninë në Kosovë? Institucionet e dala nga hajnia!? Institucionet që u zgjodhën nga hajnat!? Apo ato që janë dalë nga proceset demokratike të UE-së, e të cilat kanë sovranitet në Kosovës.

Sikur institucionet gjyqësore të Kosovës të ishin në gjendje që t’i marrin në përgjegjësi hajnat dhe kriminelët, atëherë nuk do të kishte nevojë që të kemi institucione të UE-së me kompetenca (sovranitet) ekzekutive. Ose, ndoshta nuk ka fare korrupsion në Kosovë, ka veç llafe!

Zaten para disa viteve kështu pati deklaruar ish-shefi i EULEX-it: “Në Kosovë nuk ka korrupsion, dua fakte e jo llafe”!