Kosova është në mesin e ekonomive të mbarë botës që ka pasur përmirësimin në reformat e të bërit biznes, thuhet në raportin e "Doing Business 2019", të publikuar të mërkurën nga Grupi i Bankës Botërore, mirëpo vendi ynë për këtë vit ka zbritur për katër vende.

Këtë vit, vendi ynë radhitet në pozitën e 44-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 40-të ku ka qenë vitin e kaluar, duke theksuar se këto dy rangime nuk janë plotësisht të krahasueshme për shkak të rafinimit të metodologjisë në njërin prej dhjetë treguesve të matur nga ky raport.


ks db2019

Kosova radhitet e 13-ta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 51-ta në tregtinë ndërkufitare, e 100 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 95-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 113-ta në furnizimin me energji elektrike, e 50-ta në zbatimin e kontratave, e 44-ta në pagesën e tatimeve, e 37-ta në regjistrimin e pronës dhe e 50-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës, përcjell Telegrafi.

Çdo vit, raporti "Doing Business" në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për ndërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha: krijimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Megjithatë, ai nuk përfshinë të gjitha çështjet që janë me rëndësi për vendimet e bizneseve. /Telegrafi/