LAJMI I FUNDIT:

Ramazani, shtatzënia dhe gjidhënia

Ramazani, shtatzënia dhe gjidhënia

Kur jeni shtatzënë është shumë me rëndësi që të kujdeseni për veten tuaj. Por, nëse keni bërë plan që të agjëroni muajin e shenjtë të Ramazanit, mund të keni shumë pyetje në kokën tuaj se a mund të ndikojë agjërimi tek ju dhe tek bebja juaj

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Në këtë shkrim do të gjejnë përgjigje edhe ato shtatzëna të cilat sapo kanë filluar shtatzëninë, ato që i janë afruar terminit të lindjes dhe gratë me fëmijë.


Mund të jeni e punësuar dhe njëkohësit agjëroni, ose nuk ndiheni shumë mirë që t’i bashkoheni familjes dhe miqve në agjërim. Ndoshta, para pak kohësh keni pasur abort dhe tash keni frikë se mund të ndikojë negativisht nëse nuk hani dhe pini për orë të tëra. Ndoshta, jeni bërë nënë dhe nuk jeni e sigurt se a mund të agjëroni derisa e keni fëmijën në gji.

Nëse vendosni që të agjëroni, në këtë shkrim do t’i gjeni të gjitha këshillat për materiet ushqyese për të cilat bebja ka nevojë. Me këtë shkrim jemi përpjekur t’ju ndihmojmë që agjërimi i Ramazanit të jetë i shëndetshëm krahas të qenët i shenjtë.

Sapo keni mbetur shtatzënë. A duhet të agjëroni?

Feja Islame thotë se ju duhet të agjëroni nëse ndjeheni e fortë dhe shëndetshme për të bërë një gjë të tillë. Pasi që jeni shtatzënë, ju jeni e liruar nga detyrimi që të agjëroni. Mos e injoroni këtë lejim nëse e shihni se agjërimi mund t’ju dëmtojë juve ose beben tuaj. Gjendjet në të cilat rekomandohet mosagjërimi janë:

– Vjellja
– Shtypja e lartë e gjakut
– Nëse keni binjakë

Në fillim të shtatzënisë mund të vuani nga:

– Plogështia
– Kapsllëku
– Kokëdhimbja
– Marramendja

Këto mund të theksohen akoma më shumë nëse nuk hani ose pini për periudha të gjata kohore.

Ndryshimi i rutinës së përditshme, mungesa e ushqimit dhe ujit si dhe ngrënia e pirja në kohë të ndryshme nga zakonisht mund të shkaktojë tek ju stres. Në një studim u gjet se gratë shtatzëna të cilat agjërojnë kanë vlerën e kortizolit (hormon i stresit) më të larta se gratë të cilat nuk agjëronin.

Pa marrë parasysh se a agjëroni apo jo, ju mund të keni marramendje, pengesa në të pamur ose dhimbje të këmbëve. Nëse keni ndonjërën nga këto ankesa konsultohuni me mjekun.

Nëse keni dyshime për atë se a duhet të agjëroni apo jo bisedoni me një predikuese të fesë, me burrin tuaj, me nënën, motrën ose me ndonjë shoqe.

Jeni në muajin e gjashtë të shtatzënisë, por nuk po ndjeheni mirë. A duhet ta ndërprisni agjërimin?

Feja Islame në mënyrë të qartë lejon që të mos agjërohet nëse nuk ndjeheni e fortë dhe e shëndetshme.

Nëse nuk ndjeheni mirë apo nëse bëheni merak për shëndetin e bebes suaj, ndërpriteni agjërimin dhe konsultohuni menjëherë me mjekun. Organizmi juaj do ta mbrojë beben edhe nëse agjërimi ju bën juve më të plogësht. Por, mund të ketë edhe problem – mund t’ju bie të fikët, ose mund të dehidroheni.

Gjatë shtatzënisë është e zakonshme që gruaja të ketë kokëdhimbje, lodhje, pengesa të lukth, kapsllëk apo ankesa tjera. Agjërimi ndonjëherë mund t’i theksojë këto probleme. Mos pritni që problemi të bëhet shumë i madh dhe pastaj të kërkoni ndihmë. Nëse bëheni merak, është më mirë që të konsultoheni dhe të siguroheni se krejt është në rregull, sesa më vonë të pendoheni!

A është rrezik të rrini bashkë me familjen tuaj në një dhomë me plot njerëz?

Ramazani është muaj i agjërimit dhe i lutjeve, por është një muaj kur kryhen vizita tek të afërmit dhe miqtë. Keni kujdes nëse në këto vizita juve ju duhet të qëndroni në dhomë të mbyllur plot me tym duhani. Kjo gjë e rrezikon shëndetin tuaj dhe të bebes suaj. Nëse ju vetë e pini duhani, shfrytëzoni këtë muaj të shenjtë duke lënë duhanin për ta ruajtur shëndetin tuaj dhe të bebes që po rrisni.

Mos hani ushqime të cilat kanë qëndruar për një kohë të gjatë, sidomos nëse koha ka qenë e nxehtë. Bakteret shumohen shumë lehtë në ushqim të ngrohtë. Ushqimet tjera të cilat duhet t’i evitoni janë:

– Çdo ushqim i cili ka vezë të papërpunuara termikisht,
– Çdo ushqim i cili ka mish apo peshk të papërpunuar termikisht,
– Djathin e butë të papasterizuar si për shembull djathin e bërë me qumësht të dhisë ose të deleve,
– Mos pini kafe të fortë. Edhe pse shtatzënat normalisht mund të pinë disa kafe në ditë, kafeina është diuretik dhe ju bën që të humbni më shumë lëngje me urinë. Për këtë arsye gjatë agjërimit pini pije pa kafeinë, në mënyrë që të evitoni dehidrimin.

Keni kujdes me frutat e freskëta, perimet ose sallatat të cilat nuk janë shpërlarë si duhet, sepse këto mund të kenë parazitin toksoplazma ose bakterien e quajtur listeria.

Gjatë Ramazanit zakonisht të gjithë anëtarët e familjes rrinë zgjuar deri natën vonë, por ju duhet të keni kujdes dhe të mos e teproni. Nuk duhet të lodheni shumë kur jeni shtatzënë. Pushimi është shumë i rëndësishëm dhe bebja që po rritet ka nevojë për energji të cilët duhet t’ia jepni ju.

Nëse jeni e punësuar dhe shtatzënë, si mund ta përballoni më mirë agjërimin

Nëse jeni e punësuar dhe agjëroni kjo është një vështirësi në vete. Nëse vendosni edhe të agjëroni keni parasysh se po kërkoni jashtëzakonisht shumë nga vetja juaj tash kur jeni shtatzënë. Bisedoni me punëdhënësin tuaj për mundësinë që gjatë muajit të Ramazanit të jeni më pak e ngarkuar me punë.

Nëse angazhoheni shumë dhe nuk hani e pini, kjo mund t’ju bëjë të jeni e lodhur dhe të mos ndjeheni mirë. Për këtë arsye keni kujdes, nëse jeni e punësuar dhe keni vendosur të agjëroni, provoni për një ose për disa ditë dhe shihni se si e përballoni këtë gjë.

Nëse ju merren mendtë, keni pengesa në të pamuar ose ndonjë simptomë tjetër, ndërpriteni agjërimin dhe bisedoni me mjekun menjëherë.

Nëse jeni duke agjëruar, duhet të jeni shumë më e kujdesshme për aktivitetet të cilat ju japin stres. Ndryshimi i rutinës së përditshme, mungesa e ushqimit dhe ujit si dhe ngrënia në kohë të ndryshme nga zakonisht, mund të shkaktojë stres. Përveç kësaj përpiquni që të evitoni aktivitetet të cilat ju bëjnë të nxeheni ose që ju shtojnë etjen. Ngadalësoni ritmin dhe pushoni më shumë!

A mund ta ushqeni beben me gji derisa agjëroni?

Nëse keni fëmijën në gji, nga ju nuk pritet që të agjëroni gjatë muajit të Ramazanit. Predikuesit e fesë islame thonë se gratë të cilat ushqejnë fëmijën me gji (si dhe ato që janë të sëmura dhe gratë që udhëtojnë) janë të lejuara që të mos agjërojnë. Disa predikues shkojnë edhe më larg dhe thonë se është gabim që të injorohet ky akt i mirësisë dhe të agjërohet ndërkohë që nuk jeni e detyruar ta bëni një gjë të tillë.

Megjithatë, vendimi juaj varet nga mosha e bebes. Natyrisht që nuk është njësoj se a është beba juaj disamuajshe dhe ju e ushqeni vetëm me gji, apo fëmija juaj ka mbushur një vit, është i shëndetshëm dhe ushqehet me të gjitha ushqimet, ndërkohë që ju e ushqeni me gji vetëm gjatë natës.

Është mirë që të diskutoni për këtë gjë me:

– Shoqet dhe familjaret e juaja (nëna, gjyshja, motra, halla, tezja)
– Me doktorin tuaj
– Me predikuesen e fesë

A e dëmton agjërimi beben tuaj që e ushqeni me gji?

Ju nëse agjëroni nuk do ta dëmtoni beben, sepse ju do të vazhdoni të prodhoni qumësht në sasi të mjaftueshme për ta ushqyer atë. Fakti që ju nuk merrni kalori të mjaftueshme nuk ndikon në sasinë e qumështit që ju prodhoni.

Organizmi juaj adaptohet dhe i shfrytëzon më mirë kaloritë të cilat janë në dispozicion. Në fakt, një grua mund të mos hajë asgjë për 24 orë dhe kjo nuk ndikon aspak në sasinë dhe në vlerën ushqyese të qumështit të gjirit. Ju mund të ndjeni efektet e agjërimit (dhe mund të vendosni ta ndërpreni agjërimin) përpara se organizmi juaj të fillojë të prodhojë më pak qumësht.

A ndryshon cilësia e qumështit gjatë agjërimit?

Agjërimi nuk ndikon as në cilësinë e qumështit. Domethënë bebja juaj nuk preket nga ky ndryshim. Bebja mësohet me ndryshimet e vogla në qumështin e gjirit, varësisht se çfarë ju hani dhe varësisht sa bebja ka nevojë për të pirë. Është vërtetuar se edhe nëse nëna agjëron 24 orë rresht, kjo nuk ndikon aspak në përqindjen e yndyrës në qumështin e gjirit.

Nëse ju hani aq pak, sa që filloni të humbni peshë, kjo mund të ndikojë që të ndryshojë lloji i yndyrës në qumështin e gjirit, por jo sasia e yndyrës. Ndonëse edhe vetë gjiri mund të prodhojë një sasi të yndyrës së qumështit, pjesa më e madhe e yndyrës vjen nga depot e yndyrës në trupin tuaj (në rast se ju nuk merrni sasi të mjaftueshme me ushqim).

A e dëmton agjërimi organizmin tuaj tash kur jeni duke e ushqyer beben me gji?

Organizmi juaj ka aftësi që ta përballojë shumë mirë agjërimin. Në një studim, u bënë analizat e gjakut tek një grup i vogël i grave të cilat agjëruan gjatë Ramazanit. Baraspesha e materieve kimike ishte e njëjtë si tek gratë cilat ushqenin fëmijën me gji dhe sikur tek ato që nuk ushqenin fëmijën me gji ose tek ato që nuk ishin shtatzënë; domethënë pavarësisht se a e ushqeni fëmijën me gji, gjatë agjërimit përbërësit e gjakut nuk ndryshojnë.

Natyrisht, nëse keni agjëruar ndonjëherë më parë e dini se sa shumë ju merr etja. Nëse dehidroheni ju nuk do të ndjeheni mirë. Shenjat e para të dehidrimit janë:

– etja e madhe
– urina ka ngjyrë të errët dhe erë të rëndë
– ndjeheni e plogësht dhe e lodhur
– keni kokëdhimbje ose ndonjë dhimbje tjetër

Nëse keni ndonjërën nga këto shenja, ndërpriteni agjërimin me pak ujë dhe pushoni. Pas gjysmë ore nëse prapë nuk ndjeheni mirë konsultohuni me mjekun.

Gjatë iftarit dhe syfyrit pini shumë lëngje, veçanërisht në syfyr. Por, kini kujdes, mos e mbushni barkun vetëm me lëngje, sepse ju keni nevojë për materie ushqyese dhe për kaloritë të cilat i merrni me ushqim. Mund ta keni vështirë që të hani gjatë natës dhe për këtë arsye mund të humbni në peshë. Nëse kjo ndodhë konsultohuni patjetër me mjekun.

Megjithatë, pushoni dhe mos keni merak, sepse derisa jeni e shëndetshme dhe e lumtur, edhe në rast se humbni deri 1 kg në javë gjatë Ramazanit, kjo nuk ndikon aspak në prodhimin e qumështit.

Si mund t’i parandaloni problemet?

– Përpara agjërimit duhet të bëni disa përgatitje në mënyrë që t’i evitoni problemet e mundshme me shëndetin.
– Akumuloni sasi të mjaftueshme ushqimi në shtëpi dhe punët e shtëpisë të cilat kërkojnë energji kryeni përpara Ramazanit.
– Mbani një ditar të ushqimit në mënyrë që të siguroheni se jeni duke ngrënë dhe pirë mjaftueshëm edhe gjatë natës.
– Gjatë ditës pushoni sa më shumë që është e mundur.

Kur duhet të kërkoni ndihmë?

Nëse nuk ndjeheni mirë ose nëse mendoni se jeni dehidruar kërkoni ndihmën e mjekut. Nëse jeni bërë merak se beba juaj nuk po merr mjaft ushqim, këshillohuni me mjekun për këtë gjë. Shenjat se beba nuk po merr sasi të mjaftueshme të qumështit janë:

– Bebja e lag pelenën më pak (i porsalinduri duhet ta lagë pelenën disa herë gjatë ditës).
– Jashtëqitjet janë me ngjyrë të gjelbër.
– Bebja qan pandërprerë dhe nuk pajtohet në asnjë mënyrë.
– Bebja humb në peshë ose nuk shton në peshë.

Keni pasur abort disa muaj më parë. Tash jeni shtatzënë dhe keni merak se agjërimi mund ta rrisë rrezikun që të abortoni sërish

Shumë gra abortojnë spontanisht për arsye të ndryshme. Në shumicën e rasteve mjekët nuk mund ta gjejnë shkakun e abortit. Për fat të keq, abortet janë të shpeshta. Rreth 15% e shtatzënive të konfirmuara përfundojnë me abort, por konsiderohet se kjo shifër është shumë më e lartë – mendohet se me abort përfundon një nga 4 shtatzëni.

Nëse keni pasur një abort, kjo ju bën që të jeni shumë e merakosur në shtatzëninë e ardhshme. Përpiqeni që të jeni shumë e kujdesshme me shëndetin tuaj. Nëse limitoni ushqimin dhe pirjen e lëngjeve, ky nuk është një veprim i mirë.

Agjërimi kërkohet nga ju nëse jeni e shëndoshë. Prandaj nëse keni merak se kjo mund të ndikojë tek bebja juaj, ju mund të faleni.

Mjekët nuk e dinë se a ka ndonjë lidhje midis agjërimit dhe abortit. Tash për tash, bazuar në studimit që janë bërë për agjërimin dhe shtatzëninë, nuk është studiuar ky efekt dhe është shumë vështirë që të përcillet një gjë e tillë. Shumica e aborteve ndodhin në tre muajt e parë të shtatzënisë. Është vërtetuar se gratë abortojnë edhe përpara se ta marrin vesh se kanë qenë shtatzënë.

Gratë shtatzëna të cilat kanë peshë normale dhe mënyrë të shëndetshme të të jetuarit e përballojnë më mirë agjërimin. Ju mund të agjëroni dhe megjithatë të merrni sasi të mjaftueshme të kalorive, por është shumë e vështirë që kur jeni e paushqyer dhe pa lëngje të bëni punë të rënda.

Është gjë normale që të jeni e shqetësuar nëse jeni shtatzënë dhe keni pasur një abort më parë. Ju ndihmon nëse bisedoni për mënyrën se si ndjeheni me një person që ju i besoni. Disa gra ndjehen më mirë dhe janë më të relaksuara kur e kapërcejnë javën në të cilën kanë pasur abortin në shtatzëninë e kaluar. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori