Partia e Ramush Haradinajt i ka ndihmuar Qeverisë së Hashim Thaçit sa herë kjo e fundit ka pasur nevojë për numra, madje deputetët e AAK-së disa herë ia kanë bërë pozitës edhe kuorumin në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, të enjten, kur edhe do të votohet buxheti për vitin 2014, deputetët e AAK-së kanë paralajmëruar se do të ndjekin shembullin e pjesës tjetër të opozitës. Do të qëndrojnë jashtë sallës së Parlamentit, kur do të ndodh votimi.


Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani i ka bërë pyetje Qeverisë se ku i ka deputetët për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm.

"Në shumë seanca parlamentare është parë se koalicioni qeverisës nuk e ka pasur numrin e mjaftueshëm të deputetëve. Kjo është çështje e koalicionit qeverisës për të bërë kuorumin në seancë. Si mendojnë këta qeveritarët të qeverisin pa pasur shumicën në Kuvend? Nëse kanë shumicën, seanca vazhdon!", ka shkruar Ramadani në Facebook.

"Thjesht, Qeveri ku i ke deputetët?", ka pyetur Ramadani në postimin e tij në Facebook. /Telegrafi/