Ramadani: Serbia frikësohet të bëjë luftëra, sepse është djegur keq në Kosovë

Zëvendësministri në dorëheqje i Mbrojtjes, Burim Ramadani, e ka quajtur forcim të institucioneve të vendit, Strategjinë e Sigurisë së Kosovës. Ai thotëse Serbia nuk ka ndryshuar, por se tash frikësohet të bëjë luftë në Kosovë.
Ramadani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo strategji e bën Kosovën të synojë që të kthehet shtet model në rajon në fushën e sigurisë, mbrojtjes, informacionit dhe diplomacisë.
“Me të drejtë, kemi definuar Aktivitetet e Jashtme Armiqësore (Serbinë dhe Rusinë) si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë së Kosovës”, thotë ai.
Postimi i plotë i Ramadanit:"Strategjia e Sigurisë së Kosovës është strategji modernizimi dhe forcimi të institucioneve, duke bërë Kosovën të synojë që të kthehet shtet model në rajon në fushën e sigurisë, mbrojtjes, informacionit dhe diplomacisë. Pra, një Strategji modernizimi. Me të drejtë, kemi definuar Aktivitetet e Jashtme Armiqësore (Serbinë dhe Rusinë) si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë së Kosovës. Pak javë pasi ne miratuam Strategjinë tonë të modernizimit, Serbia e miratoi Strategjinë e vet Millosheviqiane. Sërish, e konfirmoi se Serbia nuk ka ndryshuar fare, vetëm që tash frikësohet të bëjë luftëra, sepse është djegur keq në Kosovë.
Në Qeverinë e Serbisë, të enjtën iu dha drita jeshile dy dokumenteve më të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat do të jenë bazë për miratimin e të gjitha rregulloreve dhe akteve të tjera nënligjore në dekadën e ardhshme.


















































