Monumenti i Skënderbeut në qendër të Tiranës është mbuluar me skela, një veprim që ka ngjallur reagime dhe polemika në rrjetet sociale.
Mes spekulimeve dhe teorive të ndryshme, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke sqaruar arsyen e këtij veprimi.
Sipas Ramës, mbulimi i monumentit nuk ka të bëjë me ndonjë veprim të qëllimshëm për të fshehur figurën e Heroit Kombëtar, por me një projekt të veçantë: realizimin e një kopjeje të statujës, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.
“Parisi do të ketë Skënderbeun e tij!” – shkruan Rama, duke e cilësuar këtë si një arritje diplomatike të rëndësishme për Shqipërinë. Kryeministri thekson se miratimi nga autoritetet franceze për vendosjen e monumentit është rezultat i një përpjekjeje të gjatë dhe të suksesshme diplomatike.
Ai gjithashtu i është përgjigjur kritikave dhe akuzave për tradhti kombëtare, duke i quajtur ato të pabazuara.
Rama njofton se procesi do të zgjasë edhe disa ditë, pas të cilave skelat do të hiqen dhe monumenti në Tiranë do të rikthehet në gjendjen e tij normale./Telegrafi/