Pas nisjes së shkyçjeve masive nga KEDS ndaj bizneseve që nuk kanë arritur të lidhin marrëveshje me furnizues të licencuar nga ZRrE, ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Në një deklaratë publike, Rama është shprehur se Komuna e Prishtinës qëndron fuqishëm përkrah bizneseve lokale, të cilat po përballen me sfida të mëdha për shkak të kostove të larta të energjisë dhe kërcënimeve për ndërprerje të furnizimit.


“Reforma në tregun e energjisë mund të jetë e nevojshme për qëndrueshmëri afatgjatë, por mënyra dhe ritmi i zbatimit aktual po vendosin barrë të padrejtë mbi shtyllën kurrizore të ekonomisë sonë. Bizneset nuk janë thjesht njësi ekonomike, ato janë punëdhënës, inovatorë dhe ndërtues të komunitetit”, ka theksuar Rama.

Ai ka kërkuar nga qeveria që të zbatojë një fazë kalimtare për daljen në tregun e liberalizuar, të pezullojë kërcënimet për shkëputje të energjisë dhe të ofrojë lehtësime tatimore të përkohshme e grante emergjente për bizneset më të prekura.

Në të njëjtën kohë, Rama ka paralajmëruar se Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë krijimin e një Task Force për Qëndrueshmërinë e Bizneseve, inicimin e projekteve komunale për energji të ripërtëritshme dhe ofrimin e lehtësimeve fiskale të përkohshme.

“Kërkojmë unitet, transparencë dhe ndjeshmëri në përballimin e këtij momenti kritik. Prishtina nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa bizneset tona rrezikojnë të mbyllen.

Së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme energjetike më të qëndrueshme dhe më të drejtë”, ka përfunduar kryetari i Prishtinës.