Site icon Telegrafi

Rama për dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër: Shpresojmë të mos jetë tjetër mashtrim ballkanik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas takimit të djeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Rama ka përshëndetur pajtueshmërinë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq mbi aneksin e zbatimit të planit evropian.

Rama është shprehur se shpreson që arritja e marrëveshjes së panënshkruar Kosovë-Serbi të mos jetë tjetër mashtrim ballkanik.

Lexo po ashtu Bashkimi Evropian publikon pikat e aneksit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi

“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”, ka shkruar Rama në Twitter.

Ai ka uruar që marrëveshja e panënshkruar të kthehet në realitet të ri, “të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij.

Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/

Exit mobile version