Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar pamja nga projekti i Urës së Bunës, një ditë pas takimit ndërqeveritar me Malin e Zi në Podgoricë.
Marrëveshja për këtë projekt që do të lidhë Velipojën me Ulqinin, u firmos në mbledhjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze.
Rama shkruan se ura e re do t’i japë një shtysë turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare.
“Mirëmëngjesi me projektin e “Urës mbi Bunë”, një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkë-financohet nga dy qeveritë, për të lidhur vendet tona duke shkurtuar distancën mes Velipojës e Ulqinit nga 73km në 300m, si edhe duke i dhënë një shtysë të re lirisë së lëvizjes, turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare, ju uroj një ditë të bukur”, tha Rama në Facebook.
Projekti është me rëndësi jo vetëm për të dy vendet por edhe për rajonin dhe më konkretisht për qytetarët e Kosovës, të cilët e ka më të thjesht udhëtimin drejt Ulqinit dhe Mal të Zi nëpërmjet Shqipërisë. /Telegrafi/