Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur për herë të parë pas ndërhyrjes kirurgjikal për heqjen e apendicitit, që iu nënshtrua mëngjesin e ditës së hënë në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë.

Rama doli nga spitali sot në mëngjes dhe pritet të pushojë edhe 2-3 ditë në shtëpi.


Në një postim në Facebook, kryeministri ka shprehur falënderimin e tij për ata që u interesuan për shëndetin e tij.

"Një falenderim nga zemra kujtdo prej jush që këto ditë është interesuar për shëndetin tim. Falë ekipit të përkushtuar mjekësor dhe pas ndërhyrjes së suksesshme, sot e lashë spitalin për të vazhduar protokollin e rikuperimit në shtëpi dhe pa mundur të gjej dot fjalët e mjaftueshme për t’i falenderuar mjekët e infermierët për përkujdesjen e tyre", shkruan Rama.

"Besoj se do të kthehem shpejt mes jush dhe edhe njëherë shumë faleminderit për mbështetjen tuaj. Ju dua shumë, Edi", e mbyll postimin kryeministri.

Kryeministri Rama shkoi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në spital pasi vuante nga apendiciti akut, të cilin, sipas mjekut Arben Gjata e hoqi me laparoskopi. /Telegrafi/