Rama duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale lavdëron në gjuhën malazeze, Abazoviqin

Në Kongresin e 4-t të Lëvizjes Qytetare URA, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dërgoi një mesazh mbështetjeje për liderin e URA-s, Dritan Abazoviq, duke theksuar rolin e tij unik politik në rajon dhe vlerat progresive që ai përfaqëson, njoftoi partia në mbrëmje.
“Një ide e guximshme u shndërrua në një parti politike, e cila në sytë e mi e bëri themeluesin e saj, liderin tuaj Dritan Abazoviq, një pionier në politikën ballkanike – një bartës të një barre që askush tjetër nuk guxoi ta mbajë,” tha Rama në një video-mesazh, i cili, sipas GP URA, u gjenerua në gjuhën malazeze duke përdorur inteligjencën artificiale (AI).
Rama theksoi se Abazoviq i kapërceu kufijtë e politikës së vjetër identitare dhe foli në emër të çdo qytetari, pa dallim etnie, shkruan vijesti.me.
“Dritani ishte një shpirt i lirë që dinte të fliste me të njëjtin respekt dhe ndjeshmëri, qoftë kur iu drejtohej një malazezi, serbi, boshnjaku apo shqiptari,” tha lideri i Shqipërisë.
“Mali i Zi është një partner i rëndësishëm për Shqipërinë. I respektoj të gjithë liderët e tij, por një figurë si Dritani është diçka krejt tjetër. Ai është një urë – një aleancë e mendjeve të hapura dhe një vullneti të çliruar nga paragjykimet e vjetra,” deklaroi Rama.
Ai theksoi se URA si një lëvizje politike po arrin atë që shumë të tjerë e mbështesin vetëm në mënyrë deklarative: që politika të bëhet praktikë e përditshme e gjithëpërfshirjes, drejtësisë dhe rrugës evropiane.
“Dritani mishëron qytetarin modern kozmopolit të këtij rajoni më mirë se kushdo tjetër. Ai ecën me të njëjtën lehtësi nëpër rrugët e Ulqinit dhe në korridoret e Brukselit, flet me të rinjtë në Tuz dhe me liderët evropianë në Strasburg,” tha Rama, duke shtuar se aftësia për të qenë i dashur, por edhe për të shkaktuar nervozizëm mes grupeve të ndryshme etnike, është shenja më e mirë e suksesit të tij politik.
Ndryshe, Abazoviq u rizgjodh president i GP URA në Kongresin e partisë të mbajtur më 5 korrik në Lovçen. /Telegrafi/

















































