Modelja e njohur shqiptare, Emina Çunmulaj, ka tërhequr vëmendjen e publikut me deklaratat e saj në emisionin e Arbana Osmanit, ku ishte e ftuar për një darkë dhe intervistë ekskluzive në vilën e moderatores në Bogë.
Emina, e cila ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në botën e modës ndërkombëtare, foli hapur për fëmijërinë e saj, kulturën shqiptare dhe traditat që e lidhin ende me vendlindjen.
Teksa biseda mori një kthesë drejt zakoneve dhe ushqimeve tradicionale shqiptare, Arbana e pyeti nëse merr ende me vete produkte nga Shqipëria kur kthehet në Amerikë. Emina, me sinqeritetin e saj karakteristik, tregoi një histori që ka shkaktuar të qeshura dhe befasi te publiku:
“Më ka ndodhur një herë dhe i kam thënë vetes ‘kurrë më’ pasi ma hapën valixhen. Kisha marrë djathë me vete, një shishe vaj ulliri, raki… e nuhati qeni dhe ma gjetën. Pastaj më shkruan vërejtjen që për tri vite të kontrollohem ekstra,” tha ajo, duke treguar për një përvojë të sikletshme në aeroport.
Por, një tjetër deklaratë e saj shkaktoi edhe më shumë debat në rrjetet sociale. Emina foli për mënyrën tradicionale të ruajtjes së rakisë në vendlindjen e saj, duke përmendur një detaj që la disa shikues të habitur:
“Kur e pjekin rakinë në anën tonë, në Malin e Zi, neve na e vendosin në shishet plastike të Coca-Cola, se këto të xhamit kanë qenë tepër fancy. Ndoshta e kemi pasur një që për Bajram, baba e ka vendosur në tavolinë dhe s’ka guxuar askush ta prekë se po të thyhej ajo, katastrofë”, tha modelja.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të ndryshme në rrjet, pasi përmendja e rakisë në festën e Bajramit u pa si paksa fyese për komunitetin mysliman, duke shkaktuar konfuzion te ndjekësit e saj. Disa e morën me sportivitet, ndërsa të tjerë reaguan duke e konsideruar një përmendje të papërshtatshme. /Telegrafi/