Qytetarët kërkojnë intervenim urgjent për largimin e arinjve nga fshati Bellobrad i Dragashit – flasin nga policia

Prania e arinjve në fshatin Bellobrad të komunës së Dragashit ka shkaktuar shqetësim të madh tek banorët lokalë, duke u kthyer në një situatë serioze për sigurinë e tyre.
Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Sezai Surroi” në Bellobrad i është drejtuar zyrtarisht Policisë së Kosovës me kërkesë për ndërmarrjen e masave urgjente, pas raportimeve për shfaqjen e disa arinjve në afërsi të zonës së banuar.
Në kërkesën e dërguar nga drejtoria e shkollës thuhet se këto kafshë të egra po përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për nxënësit, stafin arsimor dhe gjithë banorët e fshatit, sidomos gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites, kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla.
“Në emër të ShFMU ‘Sezai Surroi’ në Bellobrad, ju drejtohemi me këtë kërkesë që të ndërmerrni masa të menjëhershme sigurie për eliminimin ose largimin e arinjve që janë shfaqur në territorin e fshatit tonë. Prania e këtyre kafshëve të egra po paraqet rrezik serioz për nxënësit e shkollës sonë, për stafin arsimor si dhe për të gjithë banorët e fshatit, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla”, thuhet në kërkesë.
Ndërkohë, në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar pranimin e kërkesës dhe ka sqaruar se ajo është përcjellë tek Kuvendi Komunal i Dragashit dhe Ministria e Ambientit.
“Është pranuar një kërkesë nga shkolla në Bellobrad. Edhe pse kjo çështje nuk është në kompetencë të drejtpërdrejtë të Policisë, ne do të dërgojmë patrullime të shpeshtuara në zonë. Kërkesa i është përcjellë Kuvendit Komunal të Dragashit dhe Ministrisë së Ambientit”, ka deklaruar Bytyqi. /Telegrafi/


















































