LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët e Rahovecit kundërshtojnë trasenë e propozuar të Autostradës së Dukagjinit, paralajmërojnë bllokim të rrugëve

Qytetarët e Rahovecit kundërshtojnë trasenë e propozuar të Autostradës së Dukagjinit, paralajmërojnë bllokim të rrugëve

Këshilli i banorëve kundërshtues të Autostradës së Dukagjinit, ka konfirmuar se është mbajtur një takim me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Në njoftimin e Këshillit, thuhet se takimi i zhvilluar me kryetarin Latifi, sipas tyre, ai është kundër qytetarëve që kjo Autostradë të realizohet sipas variantit të parë.


Sipas banorëve, nëse nuk zgjidhjet kjo çështje, ata pritet të organizojnë protesta duke bllokuar rrugët kyçe.

“Ne si Këshill kemi vendosur të marrim hapa tjerë në parandalimin e kësaj padrejtësie e cila është duke ju bërë Komunës së Rahovecit. Si masë për parandalimin e kësaj padrejtësie historike e cila është duke ju bërë komunës sonë në ditë në vijim do të kërkohen takime me institucionet shtetërore, një ashtu do të fillohet me organizim të peticionit dhe organizim të protestave masive duke bllokuar rrugët kyçe”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i Këshillit të banorëve të Rahovecit

Këshilli i banorëve të Komunës së Rahovecit, të cilët kundërshtojnë draftvariantin e Autostradës së propozuar për pjesën e Komunës se Rahovecit përskaj lumit Drin nga ministri Pal Lekaj dhe kryetarit Smajl Latifi.

Më datën 04.03.2019 është mbajtur takim me kryetarin Latifi dhe me stafin e tij për t’i shpjeguar problemet që do të ballafaqohen qytetarët dhe shumica fshatrat përreth Komunës Rahovecit për draftvariantin e propozuar.

Këshilli i cili është duke kundërshtuar variantin 6 apo siç ndryshe quhet varianti më i keq i mundshëm për Komunën e Rahovecit, e ftoi kryetarin Smajl Latifi t’i bashkëngjitet kësaj iniciative të banoreve të Komunës se Rahovecit dhe të ishte përfaqësues i shumicës së banorëve.

Në këtë takim u konkluduam se kryetari Smajl Latifi nuk dëshiron të jetë përfaqësues i banorëve të Komunës së Rahovecit, por dëshiron t’i mbron interesat e një klani të caktuar.

Përfaqësuesit e kompanisë projektuese gjatë takimit, në prani të kryetarit kanë cekur se, nuk ka kryer ndonjë studim fizibiliteti për asnjë variant dhe se pohimet që kinse janë bërë analiza fizibiliteti ishin veç trillime dhe manipulim me banorët e Komunës së Rahovecit. Po ashtu se nuk kishin kryer analiza gjeologjike, analiza gjeodezike, analiza rreth dëmtimit të tokave bujqësore, analiza rreth kostos së shpronësimit, nuk kishte as një analizë në rrafshin ekonomik rreth humbjeve ose përfitimeve eventuale që të kishte Komuna e Rahovecit, madje nga vetë përfaqësuesit e kompanisë projektuese është cekur se variantin 6 janë disa persona të cilët e kanë shtyrë përpara pa ndonjë analizë dhe studim të mirëfilltë.

Nga ky takim është argumentuar nga vet kompania projektuese se propozimi për variantin 6 që kinse është variant më ekonomik dhe më i mirë për Komunën e Rahovecit nuk qëndron dhe se ky variant është propozim vetëm i një klani të caktuar, i cili nuk e ka problem dëmtimin dhe betonizimin e Drinit të Bardhë.

• Pra kryetari nuk e ka problem faktin së banorëve të Komunës së Rahovecit kyçjen më të afërt do të kenë 15 kilometra dhe për shumicën fshatrat përreth mbi 25 kilometra dhe do t’i ndalohet qasja në Drinin e Bardhë.

• Nuk e ka problem se me këtë variant dëmtohen tokat bujqësore dhe bëhen shkeljet ligjore dhe po ashtu duke shkelur Ligjin për Mbrojtën e Drinit të Bardhë.

• Nuk e ka problem së janë duke i dëmtuar kanionet tek Drini i Bardhë, me qëllim që në këtë rast ata të jenë përfitues.

Gjatë studimit të trasesë kemi konkluduar se të gjitha qytetet duke filluar nga Istogu e deri tek Gjakova kanë kyçjet në Autostradë në një distancë nga qendrat e qyteteve prej 1.5 kilometra deri në 2.5 kilometra, kurse qyteti i Rahovecit dhe disa fshatrave i mohohet ky privilegj të cilin e kanë komunat tjera, sepse veç qyteti i Rahovecit ka një distancë nga kyçja prej 14 kilometra, kurse disa nga fshatrat e Rahovecit kanë distancë prej kyçjes edhe prej 25 kilometra.

Ne si Këshill kemi vendosur të marrim hapa tjerë në parandalimin e kësaj padrejtësie e cila është duke ju bërë Komunës së Rahovecit. Si masë për parandalimin e kësaj padrejtësie historike e cila është duke ju bërë komunës sonë në ditë në vijim do të kërkohen takime me institucionet shtetërore, një ashtu do të fillohet me organizim të peticionit dhe organizim të protestave masive duke bllokuar rrugët kyçe. /Telegrafi/